Faktorët ndihmues në shfrytëzimin e Ramazanit
Disa njerëz ndodhë të jenë shumë energjik e aktiv në fillim të muajit, por pastaj me kalimin e ditëve kjo ambicie fillon të zbehet. Janë disa faktorë të cilët të ndihmojnë të përfitosh (sa më shumë) në këtë muaj fisnik:
-Të agjërosh me gëzim të madh, me zemër të hapur, me vullnet të fortë. Të dish se agjërimi i Ramazanit është obligim i pakontestueshëm dhe për mosagjërimin e tij nuk ka arsye, përveç atyre të cilët i ka arsyetuar Allahu. Allahu thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush…” Bekare 183.
-Të mendosh thellë rreth thesareve të çmuara që përmban ky muaj madhështor, si: falja e mëkateve (“Kush falet gjatë Ramazanit (namaz nate, teravi) me besim dhe me shpresë (në shpërblim) i falen mëkatet e kaluara.” Dhe: “Kush falet në natën e Kadrit me besim dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e kaluara.”
-Të lirohesh prej pengesave dhe angazhimeve të tepërta, të përgatitesh për Ramazan me seriozitet dhe vendosmëri, mos i hap vetes dyert e projekteve të kësaj bote, sepse ato pastaj ta rrëmbejnë kohën dhe ëmbëlsinë e këtij muaji.
-Të stimulosh dhe nxitësh vetveten drejt punëve të mira, dhe të kuptosh mirë se nuk lejohet të tregohesh i shkujdesur në këtë muaj. Allahu thotë: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj” Ali Imran 133.
-Të shikosh të mirët e të devotshmit si e shfrytëzojnë këtë muaj, që edhe ti t’iu ngjasosh atyre.
-Të luftosh vetveten, ta mundësh atë, për të larguar nga vetja dembelinë, gjumin, shkujdesjen, kjo duke shpeshtuar përmendjen e Allahut e kërkimin e faljes tek Ai, duke u larguar prej mexhliseve të kota, duke ruajtur syrin e veshin nga mëkatet etj.
-Të kuptosh mirë urtësinë e ligjësimit të Ramazanit, që është devotshmëria, et takua, frika ndaj Allahut. Ibën Mesudi radijAllahu anhu thoshte: “Devotshmëria është të bindemi ndaj Allahut e jo të tregohemi të pabindur ndaj Tij, vazhdimisht ta kujtojmë e ta përmendim Allahun dhe ta falënderojmë Atë e të mos tregohemi mosmirënjohës ndaj Tij.” Aliu radijAllahu anhu thoshte: “Devotshmëria është kur frikësohesh prej të Madhërishmit, kur punon me Kuran, kur je i kënaqur me pak (aq sa të ka dhënë Allahu) dhe përgatitja për ditën kur largohesh prej kësaj bote.” Qëllimi i këtyre fjalëve është: ta dish se je nën mbikëqyrjen e Allahut, të punosh sipas fesë së Tij, të mos shtosh gjërat e panevojshme nga jeta e kësaj bote dhe të përgatitesh seriozisht për ditën e Kiametit. Mejmun ibn Mehran rahimehullah thoshte: “I devotshmi (ai që ka frikë Allahun) e llogaritë veten më me rreptësi sesa ortaku koprrac që e llogaritë ortakun e tij.” Andaj, nëse përmes agjërimit ti arrin të realizosh devotshmërinë atëherë pa dyshim se ky agjërim do të inkurajojë dhe do të nxisë të përmendësh Allahun sa më shumë, të bësh vepra të mira, të kesh frikë Allahun dhe të përgatitesh për Ditën e llogaridhënies, gjithashtu bën që tek ti dunjaja të mos ketë vlerë dhe mos të të shfrytëzojë ajo ty, por ti ta shfrytëzosh atë e ta trajtosh si urë apo rrugë që të çon në botën tjetër.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.