Falënderimi ndaj Allahut
۞Allahu ka derdhur mirësitë e Tij të larta e të shumta ndaj robërve të tij. Ai jep vazhdimisht, ditën e natën; dikujt i jep më pak, dikujt më shumë, dikujt i jep pa llogari.
۞Allahu për të treguar pozitën/shkallën e lartë të falënderimit (shukrit) e ka krahasuar dhe barazuar me imanin. Ka thënë: “Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju e falënderoni dhe e besoni?!” Nisa 147.
۞Qëllimi i krijimit të njerëzve është që ta falënderojnë Allahun, “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues”. Nahl 78. E bëri kënaqësinë e Tij në falënderimin ndaj Tij, “por kënaqet me ju, nëse e falënderoni” Zumer 7.
۞Ai që meriton të quhet rob adhurues i Allahut është ai që e falënderon Atë, “adhuro vetëm Allahun dhe bëhu falënderues!” Zumer 66.
۞Ai që është falënderues, këshillohet dhe merr mësim prej ajeteve, argumenteve dhe ngjarjeve që përmenden në Kuran, “Ne ia shpjegojmë shpalljet Tona njerëzve mirënjohës.” Araf 58.
۞ Allahu na ka dhënë mirësi që ta falënderojmë, madhërojmë e lavdërojmë Atë, “…ju dha shumë të mira, që ju ta falënderoni” Enfal 26.
۞ Ata që e falënderojnë Allahun, kur ndodhin fitne e sprova të shumta, të mëdha, nuk janë të luhatshëm, por janë stabil, “Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.” Ali Imran 14.
۞ Falënderimi është siguri nga dënimi e ndëshkimi i Allahut, “Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju e falënderoni dhe e besoni?!” Nisa 147.
۞ Fudajl ibn Ijad ka thënë: “Vazhdimisht të jeni falënderues ndaj Allahut për të mirat të shumta që ua ka dhënë, sepse shumë rrallë ka ndodhur që Ai t’ua t’ia largojë një mirësi një populli e pastaj t’ia japë përsëri.” Duke mos qenë falënderues, Allahu ta merr atë të mirë që ta ka dhënë e nuk ta kthen.
۞ Ata që janë falënderues siç duhet, janë të paktë, “Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues.” Sebe 13.
۞ Çdo mirësi që të është dhënë nëse nuk bëhet shkak që të afrohesh më shumë tek Allahu, atëherë në esencë nuk është e mirë për ty.
۞ Duke e falënderuar Allahun, jo vetëm që ruan të mirat momentale që ke, por Ai të jep (shton) edhe të mira të tjera. Aliu radijAllahu anhu ka thënë: “Të mirat e Allahut janë të vazhdueshme me falënderim ndaj Tij. Falënderimi (shukri) ndaj Allahut është i lidhur me shtimin e të mirave, dhe nuk ndalet ky shtim derisa të ndërpritet ky falënderim (prej robit të Tij).” Duke iu bindur Allahut dhe duke e falënderuar Atë, do të të vijnë të mirat e kësaj jete dhe tjetrës.
۞ Falënderimi ndaj Allahut bëhet me zemër (duke e ditur se të mirat që ke janë vetëm prej Allahut), me gjuhë (duke thënë elhamdulilah) dhe me gjymtyrë (duke i shfrytëzuar të mirat në kënaqësinë dhe bindjen ndaj Allahut).
۞ Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Fjala elhamdulilah mbush peshoren në Ditën e Gjykimit”. Nëse do që peshorja e veprave të tua të mira të anojë në atë Ditë, atëherë thuaj elhamdulilah.
۞Njeriu më i lumtur në këtë botë është ai që të mirat që ia ka dhënë Allahu i bën rrugë e mjete për arritjen e Kënaqësisë së Tij dhe shpërblimin e Tij në Ditën e Gjykimit. Njeriu më i palumtur është ai që të mirat që ia ka dhënë Allahu i bën rrugë e mjete për arritjen e epsheve të tij dhe për hidhërimin e Allahut.
۞ Kush e falënderon Allahun, Ai e falënderon atë duke i dhënë prej të mirave të Tij. Allahu është esh Shekur – Ai që falënderon shumë, dhe i do ata që e falënderojnë Atë. Rob i dashur tek Allahu është ai që e falënderon Allahun, por edhe njerëzit.
۞ Nëse je i kënaqur me furnizimin që ta ka dhënë Allahu, do të jesh më falënderuesi ndaj Tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ka shpëtuar ai që është bërë musliman, që i ka dhënë Allahu rrizk të mjaftueshëm dhe që është i kënaqur me atë që ia ka dhënë.”
۞ Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shembulli i atij që ushqehet dhe e falënderon (siç duhet) Allahun është si shembulli i atij që agjëron dhe duron (deri në iftar)”, pra shpërblimi është i njëjtë.
۞ Ai i cili nuk e falënderon për pak, nuk e falënderon as për shumë. Andaj falënderoje Allahun për çdo të mirë, sado e vogël që duket në sytë e tu. Allahu thotë: “Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato.” Ajeti 18. E kanë pyetur njërin prej selefit: “Si u gdhive?”, ka thënë: “Jemi gdhirë të zhytur në të mirat e Allahut, mirëpo nuk po kemi mundësi ta falënderojmë për to.”
Hoxhë Lulzim Perçuku – Marrë nga dersi “Falënderimi i Allahut” – Transkriptim.