Fjala “Mos ndjell kob (zi)”

─ Fjala “Mos ndjell kob (zi)”

Prej Islamit është mosbesimi në shenja ogurzeza dhe ogurbardha, të mos besosh se nëse sheh apo dëgjon diçka atëherë do të të ndodhë një e mirë apo keqe, e pastaj të bazohesh në këtë dhe ta ndalësh veten prej veprimit të një gjëje apo ta nxitësh të veprosh një gjë. Kjo është tijere.

Kjo e ka bazën te praktika e mushkrikëve të Mekës të cilët këtë gjë e kanë bërë me zogj. Ata kur kanë dal prej shtëpisë kanë lëshuar zogun dhe nëse ka fluturuar në anën e djathtë, atëherë kanë besuar se udhëtimi do të jetë i mbarë, ndërsa nëse ka fluturuar në anën e majtë, kanë besuar se do t’iu ndodhë diçka e keqe dhe janë kthyer mbrapshtë.

Dijetarët thonë se kjo pastaj ka kuptim më të gjerë, nuk është vetëm me zogj, por çdo gjë që e nxit të veprojë (sheh apo dëgjon diçka) apo e ndalon të mos veprojë diçka, futet te tijere. Dhe tijere është shirk.

Përveç kësaj është një gjë e cila nuk ekziston në realitet. Ato gjëra të cilat i dëgjon apo i sheh nuk ndikojnë asgjë në jetën e personit. Thjeshtë janë imagjinatë e tij. Përveç që është shirk ngase me këtë e lidh zemrën për dikë tjetër përveçse me Allahun, është edhe dëmtim i vetes në aspektin psikologjik ngase e frikëson vetveten për një gjë që nuk ekziston në realitet e që nuk ndikon.

Nëse dikush del për të udhëtuar por rrugës has në një aksident dhe e llogaritë këtë si shenjë të keqe dhe kthehet, me këtë ka bërë tijere. Nëse dikush del dhe dëgjon një zhurmë dhe e llogarit si shenjë të keqe dhe kthehet, ka bërë tijere. Nëse dikujt i kalon macja përpara dhe kthehet, apo këndon qyqja te shtëpia dhe e llogarit si shenjë të keqe (ogurzi), kjo është tijere.

Njëjtë ndodh dhe kur beson në shenja ogurbardha, p.sh.: del dhe sheh diçka duke e llogaritur si shenjë se do t’i shkojë mbarë dhe vazhdon, ka bërë tijere. Si shenjat ogurzeza si ogurbardha, nuk ekzistojnë në Islam.

Andaj, në këtë kuptim, nëse dikush beson se një person ndjell keq apo kob kur thotë një fjalë, apo kur bën një veprim dhe se do t’i ndodhë diçka e keqe (për shkak të fjalës a veprimit të tij), atëherë kjo hyn te tijere dhe ky besim nuk lejohet.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit