Frika e madhe nga rënia në shirk
Besimtari i gëzohet mëshirës e mirësisë së Allahut që e ka udhëzuar drejtë teuhidit (dhe njohjes së tij) dhe njëkohësisht duhet të ketë frikë të madhe nga shirku. Teuhidi është qëllimi i ekzistencës sonë, krijimit tonë, pasi kemi qenë një hiç. Njohja dhe dija për teuhidin dhe shirkun, është mirësia së cilës duhet t’i gëzohemi. Pas kësaj duhet t’i largohemi shirkut, gjithashtu t’i thërrasim të tjerët në teuhid e largim nga shirku. Të gëzuarit për mirësinë e njohjes së teuhidit, ia mundëson njeriut të qëndrojë i fortë në këtë rrugë, dhe sa herë që e kujton këtë atëherë edhe më shumë përqendrohet në këtë rrugë, ndërsa frika nuk e lë të shkojë anash (të devijojë).
Sa herë shejtani mundohet ta devijojë, frika që ka nga rënia në shirk e ndalon nga kjo, sepse muslimani vazhdimisht duhet të kujtojë frikën që ka pasur Ibrahimi alejhi ue selem nga rënia në shirk. Ai e ka lutur Allahun që ta largojë dhe ruajë nga adhurimi i idhujve, “e më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve!” Ibrahim 35. Ai vetë i ka thyer idhujt me duart e tij. Nëse ai nuk ka ndjerë siguri nga devijimi atëherë kush është i mbrojtur pas tij?! Po ashtu duhet të kujtojë dhe frikën që kanë pasur robërit e tjerë të mirë të Allahut, besimtarët e devotshëm. Duhet të ketë frikë sa më shumë në mënyrë që të mos bie në shirk. Kjo duhet të jetë gjendja e besimtarit.
Shumë njerëz kanë rënë në disa pjesë të shirkut ngase nuk kanë pasur frikë nga rënia në të, sidomos në shirkun që bëhet me shprehje, me gjuhë. Vetëm atëherë kur ke frikë nga rënia në shirk shpëton nga kjo, vazhdimisht. Kush e sjell në mendje e zemër këtë gjithmonë ka kujdes.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Keshfush shubuhat.