Gjashtë gjëra që na mbrojnë nga sprova e Dexhalit

Gjashtë gjëra që na mbrojnë nga sprova e Dexhalit

 

  1. Shtimi i kërkimit të mbrojtjes tek Allahu prej sprovës së Dexhalit. T’i kushtosh rëndësi të veçantë kësaj çështjeje dhe të mos e marrësh si gjë të lehtë duke thënë “ndoshta kjo sprovë nuk ndodhë gjatë jetës sime”. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i mësonte shokët e tij që të kërkonin mbrojtje tek Allahu prej sprovës Dexhalit dhe i urdhëronte me shtimin e istiadhes (kërkim mbrojtjen/ndihmën tek Allahu). Kësaj duhet t’i kushtojmë rëndësi më së shumti, duke u lutur në fund të namazit para selamit, qoftë namaz farz apo vullnetar. Pejhamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur dikush prej jush e kryen teshehudin (uljen në namaz), atëherë le të kërkoj mbrojtje tek Allahu prej katër gjërave (të thotë): “O Allah kërkoj mbrojtje tek Ti prej dënimit të xhehenemit, prej dënimit të varrit, prej sprovës së jetës dhe të vdekjes dhe prej të keqes së sprovës së Mesihut Dexhal!” (Duaja thuhet arabisht pas salavateve). Disa dijetarë madje kanë mendimin se kjo lutje është obligim të lexohet në fund të namazit para selamit, ngase ka ardhur në formë urdhërore (“le të kërkojë mbrojtje tek Allahu”).

 

  1. Qëndrimi larg sprovave, fitneve, larg shkaqeve që çojnë në to dhe larg vendeve të tyre. Pejgamberi salaallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush dëgjon për Dexhalin, le të ikë (largohet) prej tij!” Si mund që të largohet prej fitnes së Dexhalit ai që gjithmonë ka rënë në fitne gjatë jetës së tij, apo ka qenë i pari në to? Për të mos rënë në sprovën e Dexhalit duhet ta trajnosh, ushtrosh dhe diciplinosh shpirtin tënd para se të vijë Dexhali, në largimin prej fitneve, në qëndrimin larg tyre.

 

  1. Ripërtërija e besimit, forcimi i tij (shkaku më madhor). Besimi është mburojë, garanci e shpëtim për besimtarin. Besimi është shkak për shpëtim prej të këqijave të shumta, e prej tyre është ruajtja prej rënies në sprovën e Dexhalit.

 

  1. Veprat e mira, adhurimet e pastra, me të cilat kërkohet afrim tek Allahu. Veprat e mira dhe adhurimet e mbrojnë njeriu nga rënia në fitne. Nëse besimtari shton adhurimet para se të vijë fitneja atëherë kjo gjë bëhet siguri dhe mburojë nga mosrënia në to, e në veçanti në fitnen e Dexhalit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nxitoni (garoni) në vepra të mira, para se t’iu arrijnë gjashtë gjëra” e prej tyre përmend: “Dexhali…”

 

  1. Njohuria mbi përshkrimin e Dexhalit, me cilësitë dhe tiparet e tij, në bazë të haditheve profetike. Kështu, kur të shfaqet Dexhali do të kuptosh se është ai, gënjeshtari i madh, të cilit nuk duhet t’i besohet.

 

  1. Mësimi i dhjetë ajereve të para të sures Kehf përmendësh (e gjithashtu leximi e meditimi në këtë sure). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush i mëson dhjetë ajetet e para të sures Kehf përmendësh do të mbrohet prej Dexhalit.” Dhe: “Kushdo që e arrin Dexhalin, le t’ia lexojë ajetet e para të sures Kehf.” Nëse ndalemi të meditojmë në suren Kehf, sidomos në ajetet e para, do të vërejmë se në të përfshihen kuptime të shumta, që flasin rreth besimit, që na tregojnë për madhështinë e Allahut etj. Të gjitha këto gjëra janë ndihmë, shpëtim dhe mbrojtje prej fitneve në përgjithësi, e sprovës së Dexhalit në veçanti. Por, siç thamë, nuk mjafton vetëm mësimi përmendësh i këtyre ajeteve, por duhet ditur domethënia e tyre, duhet medituar thellë rreth kuptimeve të tyre. Dhe në këtë mënyrë besimtarit i shtohet e i forcohet besimi, i shtohet njohja për Zotin e tij. Disa prej dijetarëve kanë përmendur se pse surja Kehf është mbrojtje prej sprovës së Dexhalit dhe kanë thënë për arsye sepse Dexhali vjen me sprova të ndryshme me të cilat i sprovon njerëzit, e që të gjitha janë përmendur në këtë sure, si: besimi (ngjarja e banorëve të shpellës), pasuria (ngjarja e pronarit të dy kopshteve), dija (ngjarja e Musës dhe Hidrit) dhe pozita e pushteti (ngjarja e Dhul Karnejnit).

 

 

Hoxhë Lulzim Perçuku –

Dersi “Gjashtë gjërat që na mbrojnë nga sprova e Dexhalit”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit