Gjashtë shenjat e dashurisë ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem

(Dersi) Gjashtë shenjat e dashurisë ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem

Dashuria ndaj Muhamedit salAllahu alejhi ue selem është prej adhurimeve më madhështore dhe prej gjërave që afrojnë më së shumti tek Allahu. Muhamedi salAllahu alejhi ue selem ka qenë dhe është zotëria i bijve të Ademit, imami i të gjithë njerëzve, shembull e model. Ai ka thirrur për në rrugën e drejtë të Allahut. Allahu e ka dërguar atë mëshirë për të gjitha botët. Kush dëshiron të ndjekë rrugën e drejtë, duhet të pasojë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem. Allahu e ka bërë detyrë (farz) për të gjithë njerëzit pasimin e tij, respektimin dhe nderimin ndaj tij dhe përmbushjen e të drejtave që ka ai ndaj tyre.

Çdo pretendim duhet të ketë dëshmi që tregon për sinqeritetin e atij pretendimi. Ai që pretendon se e do Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem duhet të sjellë dëshmi që tregon sinqeritetin e këtij pretendimi. Dashuria ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem ka shenja. Ato janë të shumta, por do të përmendim gjashtë prej tyre:

1. Pasimi i sunetit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, kapja pas udhëzimit të tij. Allahu thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”. Ali Imran 31. Ibn Kethiri rahimehullah komenton: “Ky ajet fisnik gjykon kundër atij që pretendon se e do Allahun, por që nuk e pason rrugën e Pejgamberit salAllahu alekhi ue selem. Ai që vepron kështu, ai është gënjeshtar dhe i pasinqertë në pretendimin e tij, derisa ta pasojë sheriatin e Muhamedit salAllahu alejhi ue selem. Ky pasim duhet të jetë në të gjitha thëniet e tij, veprat e tij dhe gjendjet e tij.”

2. Përmendja e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe dëshira e madhe për ta parë atë (në xhenet). Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Njeriu sa më shumë që e përmend atë të cilin e do dhe çon nëpër mendje cilësitë e veprat e tij të mira, do t’i shumëfishohet dashuria ndaj tij dhe do t’i shtohet mallëngjimi për ta takuar atë. Nëse vepron kështu, dashuria do t’ia përfshijë të gjithë zemrën e tij.” Kush pretendon se e do Muhamedin salAllahu alejhi ue selem duhet që sa më shumë ta përmendë atë, të kujtojë cilësitë e tij të mira, tiparet e përsosura etj. Kjo do ta shtojë dashurinë ndaj tij dhe mallin për ta takuar e parë një ditë atë. Vazhdon: “Nëse vepron të kundërtën, dashuria do t’i pakësohet në zemër. Nuk ka asnjë gjë që e kënaqë më shumë syrin e të dashuruarit sesa të shohë atë që e do. Nuk ka gjë që e kënaqë më shumë zemrën e tij sesa ta kujtojë e përmendë atë. Nëse kjo shtohet në zemrën e tij, edhe gjuha e tij do ta përmendë më shumë, do ta lavdërojë etj. Shtimi e pakësimi i kësaj gjëje është në varësi të shtimit apo pakësimit të dashurisë ndaj tij.” (Këto fjalë i përmend në një libër të tij që është për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem). Përmendja e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem bëhet duke përmendur virtytet e tij, cilësitë e tij të larta, duke e sqaruar sunetin e tij, gjurmët madhështore që i ka lënë dhe duke shtuar salavatet për të.

3. Mësimi i Kuranit dhe veprimi me të si dhe pajisja me edukatën që na mëson ai. Abdullah ibn Mesudi radijAllahu anhu ka thënë: “Askush të mos pyesë se si është gjendja e tij, por le të pyesë se si e ka raportin (gjendjen) me Kuranin. Nëse e do atë, rrjedhimisht e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Bejhekiu. Ta duash Kuranin do të thotë: ta lexosh atë me meditim, të punosh me mësimet e tij etj.

4. Të duash atë që e ka dashur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe të urresh atë që e ka urryer ai. Kjo arrihet duke i dashur veprat, cilësitë, sjelljet e virtytet që i ka dashur ai dhe ata njerëz që i ka dashur ai. Dhe e kundërta, duke urryer ato vepra, cilësi, sjellje e njerëz që i ka urryer ai. Nuk ka mundësi dikush të jetë i sinqertë në dashurinë e tij nëse e kundërshton atë të cilin e do, kështu ai të dojë diçka e ti ta urresh atë gjë apo ai të urrejë diçka e ti ta duash atë gjë.

5. Mosteprimi ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, mosngritja e tij më lartë sesa pozita në të cilën e ka vendosur Allahu. Atë që nuk janë kapur pas këtij parimi, kanë devijuar. Ndërsa vetë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka paralajmëruar ndaj kësaj. Ai është rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij. Ai ka thënë: “Mos e teproni lavdërimin ndaj meje ashtu siç e tepruan të krishterët ndaj birit të Merjemes; unë jam rob i Allahut. Andaj, më së shumti më lavdëroni kur thoni “Është rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij”. Kjo është pozita në të cilën e ka vendosur Allahu.

6. Largimi nga bidatet. Disa njerëz kanë menduar se rruga më e mirë për të shfaqur dashurinë ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem është shpikja e bidateve në fe (si: Mewludi, kremtimi i Israsë dhe i natës së Miraxhit, urimi i vitit të ri hixhri etj.). Por, nuk është transmetuar prej askujt nga sahabët apo dijetarët të kenë vepruar ndonjë gjë nga këto bidate në fe. Përkundrazi, i kanë kundërshtuar dhe kanë tërhequr vërejtjen ndaj bidateve. Feja e Allahut është plotësuar dhe nuk është e nevojshme për të sjellë dikush gjëra të reja në të. Mjafton pasimi ndaj sunetit profetik. Kush njeh obligimet që ka umeti ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, nuk e kthen kokën kah këto gjëra dhe nuk angazhohet me to, nuk e adhuron Allahun me to, por i kapet rrugës së Muhamedit salAllahu alejhi ue selem dhe pason gjurmët e tij.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit