Gjendja e njerëzve në Ditën e Gjykimit

Gjendja e njerëzve në Ditën e Gjykimit

Janë katër gjendje të njerëzve në Ditën e Gjykimit:

─Gjendja e atyre të cilët kanë vepra të mira dhe të këqija. Mirëpo, veprat e mira u peshojnë më shumë. Këta me lejen e Allahut nuk do të dënohen dhe do të futen në xhenet.

─Gjendja e atyre të cilët kanë vepra të mira dhe të këqija, porse të këqijat u peshojnë më shumë. Disa dijetarë kanë thënë se këta do të jenë nën Dëshirën e Allahut, nëse do i fal e nëse do i dënon. Disa prej tyre kanë thënë se këta do të dënohen. Dhe mendimi i tretë, që është më i sakti, është: nëse veprat e këqija kanë peshuar më shumë dhe nuk u janë falur për shkak të sprovave sa kanë qenë në dunja, apo për shkak të dënimit në varr, apo për shkak të llahtarisë së Ringjalljes dhe ndodhive që janë para Peshimit, duke përfshirë se nuk kanë shpëtuar as për shkak të ndërmjetësimit të Pejgamberëve dhe të dëshmorëve, atëherë ata patjetër se do të dënohen.

Mirëpo, pavarësisht se si do të ndodhë, qoftë nëse dënohen apo falen nga Allahu, duhet ditur se një grup i njerëzve mëkatarë (nga muslimanët) kanë për t’u dënuar në xhehenem përkohësisht. E dënimi i xhehenemit është i dhimbshëm, qoftë nëse kjo është një çast a një moment.

─Gjendja e atyre të cilët kanë të mira e të këqija barazi. Këta persona do të ndalen në një rrafshnaltë, në mes xhenetit dhe xhehenemit, për një kohë të caktuar, mirëpo përfundimi i tyre do të jetë xheneti.

─Gjendja e atyre për të cilët nuk ka as llogaridhënie e as dënim. Këta janë cekur në hadithin në të cilin Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë ata të cilët nuk kërkojnë t’iu bëjë dikush rukje, nuk kërkojnë shërim përmes djegies, nuk besojnë në ogurzi dhe vetëm Zotit të tyre i mbështeten.” Janë ata të cilët i kanë realizuar këto katër cilësi. Atyre në Ditën e Gjykimit as nuk do t’u llogariten veprat e as nuk do të dënohen.

Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim.

Madhësia e tekstit