Gjërat që e prishin agjërimin- 4. Ato gjëra që janë në kuptimin e ushqimit dhe pijes, 5. Nxjerrja e gjakut me hixhame

 

4.Ato gjëra që janë në kuptimin e ushqimit dhe pijes

Dijetarët thonë se këto janë dy gjëra:

  1. Dhënia gjak agjëruesit (injektimi). Këtu dijetarët kanë dy mendime: e prishë dhe nuk e prishë agjërimin. Madje dhe vetë shejkh Uthejmin rahimehullah ka pasur dy mendime. Fillimisht ka pasur mendimin se agjërimi prishet në rastin kur i jepet gjak atij që ka gjakderdhje, kjo sepse gjaku është rezultati i ngrënies dhe pirjes, e kur jepet gjaku nga dikush, i jepet rezultati i ngrënies dhe pirjes së dikujt tjetër, andaj thotë se i prishet agjërimi. Por, pastaj e ka ndërruar mendimin, ka thënë se më vonë ka ardhur në përfundim se kjo gjë nuk e prishë agjërimin ngase nuk është ushqim e pije, e as nuk është në kuptimin e tyre, dhe thotë se origjina është se agjërimi mbetet i saktë dhe i pranuar derisa të bëhet e qartë me argument të qartë se diçka e prishë atë, kështu sepse prej parimeve të vendosura në Islam është: bindjen nuk e largon dyshimi. Thotë se jemi të bindur se kjo gjë nuk e prishë agjërimin përderisa nuk vjen ndonjë argument që tregon se e prishë atë, dhe për këtë nuk kam gjetur argument, andaj ai dyshim që kam pasur është larguar.
  2. Injeksionet në përgjithësi (edhe për këtë ka mospajtime mes dijetarëve se a e prishin agjërimin). Shejkhu thotë se injeksionet që e prishin agjërimin janë vetëm ato që janë ushqyese, të cilat kur i merr personi forcohet (sikur të hajë e pijë) dhe nuk ka nevojë të hajë e pijë. Këto injeksione apo infuzione (sido që quhen) e prishin agjërimin, edhe pse në realitet nuk janë ushqim e pije, porse janë në domethënien (kuptimin) e tyre, andaj e marrin dispozitën e ushqimit dhe pijes. Kështu sepse kur i merr ato forcohesh sikur ha e pi. Ndërsa, injeksionet e tjera që nuk janë ushqyese nuk e prishin agjërimin, qoftë nëse merren përmes venave apo në muskuj, qoftë nëse e gjen nxehtësinë e tyre në fyt. Ato as nuk janë ushqim, as pije e as në këtë kuptim. Andaj nuk e marrin dispozitën dhe vendimin e ngrënies dhe pirjes. Në këtë rast, nuk duhet të merret nën konsideratë ndjesia e shijes së tyre në fyt, përderisa nuk janë ushqim e pije. Shejkhu përmend një shembull të përmendur nga dijetarët e mëhershëm i cili është shembull hipotetik – porse i përmendur nga ta për të mbështetur mendimin e tyre: nëse njeriu e shkel një kungull dhe e ndien shijen e tij në fyt, kjo nuk ia prishë agjërimin. Me këtë kanë dashur të tregojnë se nuk merret parasysh ndjesia në fyt e shijes së diçkaje (hidhësia e ilaçit apo diçkaje tjetër) që të konsiderohet se ajo gjë ia ka prishur agjërimin, përderisa nuk është futur brenda përmes gojës e hundës, sipas këtij mendimi. Ibn Tejmije rahimehullah në librin “حقيقةُ الصيامِ – Realiteti i agjërimit” thotë: “Nuk ka argumente (në Kuran e sunet) se gjërat që Allahu dhe i Dërguari salAllahu alejhi ue selem i kanë llogaritur prishëse të agjërimit duhet të jenë ato gjëra të cilat arrijnë në tru apo në brendësi të trupit, apo që hyjnë (depërtojnë) në fyt përmes ndonjë hapjeje të trupit (përveç gojës dhe hundës), apo që arrijnë aty me ndonjë mënyrë tjetër. E njëjta gjë thuhet edhe për kuptime të tjera, që dijetarët të cilët i kanë këto mendime i bëjnë si arsye (shkak) të ligjësimit të tyre nga ana e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Dhe përderisa nuk ka argument që tregon se Allahu dhe i Dërguari i Tij i kanë kushtëzuar këto dispozita në këtë mënyrë, atëherë mendimi i tyre kur thonë se “Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë llogaritur këtë (gjë) që është prej gjërave që e prishin agjërimin”, është mendim i pabazuar në dije (argumente).”

Ndërsa, mendimi i dytë i dijetarëve në këtë pikë është se çdo gjë që arrin në brendësinë e njeriut e prishë agjërimin, pavarësisht nga çfarë rruge arrin, e këtu i fusin edhe injeksionet joushqyese, madje thonë se në to ka dhe pjesë të ujit dhe tretësirë, e nuk janë thjeshtë vetëm ilaçe, andaj përderisa depërtojnë brenda në trup agjërimi prishet.

 

5.Nxjerrja e gjakut me hixhame

Për këtë ka mospajtime mes dijetarëve. Para se të përmendim këtë mospajtim, duhet ditur se dijetarët kanë pajtueshmëri se nëse dalja e gjakut ndodh pa dëshirën e njeriut, nuk e prishë agjërimin, si: i del gjak nga hundët,[1] apo kollitet dhe nxjerrë gjak, apo dikush ka hemorroide dhe i del gjak poshtë, apo nga nxjerrja e dhëmbit[2], apo gjakoset plaga, apo i merret gjak për analiza etj. Kjo ngase, siç thonë, nuk është në kuptimin e hixhames gjatë së cilës dobësohet trupi i njeriut kur nxjerrë gjak me të madhe. Ata dijetarë që kanë thënë se hixhamja e prishë agjërimin kanë argumentuar me hadithin që e transmeton Tirmidhiu: “E ka prishur agjërimin ai që bën hixhame dhe atij që i bëhet hixhame”, dhe Buhariu ka thënë për të: “Ky është hadithi më i saktë i transmetuar në këtë temë.” Dhe kanë thënë se qëllimi i kësaj është se kur njeriu bën hixhame kjo e kundërshton kuptimin e agjërimit, d.m.th. dobësohet shumë dhe nuk ka mundësi ta përballojë agjërimin. Prandaj çdo nxjerrje e gjakut që është në këtë kuptim – nxjerrje e shumtë – thonë se e prishë agjërimin. E nëse është më pak nuk e prishë agjërimin, siç i përmendëm pak më lartë rastet, ngase kjo nuk e ka ndikimin siç e ka hixhamja.

Këta dijetarë, në këtë kuptim, kanë thënë se përveç hixhames, agjërimi prishet edhe nëse nxjerrët gjak prej venës së njeriut kur dëshiron ta dhurojë për nevojtarët. Përderisa ky gjak është i shumtë sikurse kur bëhet hixhamja dhe ndikon në trupin e njeriut siç ndikon hixhamja, kjo gjë e prishë agjërimin. Andaj thonë se agjëruesit me agjërim obligativ (farz), nuk i lejohet të dhurojë gjak për dikë nëse nxjerrja e gjakut është me shumicë, me sasi të madhe, përveç nëse kjo gjë është e domosdoshme, p.sh.: është një i sëmurë i cili ka nevojë urgjente për t’i dhuruar gjak dhe se agjëruesi nuk dëmtohet nëse i jep gjak, atëherë lejohet për shkak të domosdoshmërisë, por ajo ditë i është e prishur dhe duhet të bëhet kaza.

Ndërsa mendimi i dytë i dijetarëve është se hixhamja nuk e prishë agjërimin, dhe ky inshAllah është mendimi më i saktë. Është transmetuar se vetë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka bërë hixhame duke qenë agjërueshëm, siç ka ardhur në hadith. Po ashtu është dhe një hadith tjetër në të cilin ai salAllahu alejhi ue selem ka lehtësuar për agjëruesin bërjen e hixhames dhe puthjen e gruas. Andaj, kjo gjë tregon se fillimisht kjo çështje ka qenë e ndaluar, e pastaj është lehtësuar.[3]

[1] Mundohu ta pështysh gjakun që të del nga mishi i dhëmbëve. Nëse të kalon pa qëllim, pa vetëdije, agjërimi nuk prishet. Njëjtë është dhe me gjakun që del nga hunda. Nuk e kthen atë mbrapshtë, por i pastron hundët dhe e nxjerrë nga aty. E nëse të shkon poshtë pa qëllim, agjërimi nuk të prishet. Nëse këlbaza është brenda (në hundë ose fyt) kjo nuk e prishë agjërimin dhe nuk e ke obligim ta nxjerrësh jashtë. Mund ta përpish sepse ajo është pjesë e brendshme, sikurse pështyma. Disa thonë se nëse vjen te goja dhe e kalon përsëri brenda, nuk ta prishë agjërimin. Ky është mendimi më i saktë. Porse, nëse të vjen te goja nxirre jashtë.

[2] Anestezionët lokal nuk ta prishin agjërimin. Ndërsa ato totale po. Kur personi e rregullon dhëmbin nuk i prishet agjërimi, porse dijetarët thonë se ai duhet të ruhet të mos përpijë diçka. E nëse përpinë pa qëllim, nuk i prishet agjërimi. Ashtu siç rasti kur merret abdes dhe personit i kalon ndonjë pikë ujë pa qëllim, nuk i prishet agjërimi.

[3] Shejkh Sulejman er Ruhejl thotë se për shkak të mospajtimit të madh që është mes dijetarëve në këtë çështje, më së miri është largimi nga kjo gjë (nga bërja hixhame gjatë agjërimit). Nëse na pyet ndokush se a na lejohet të japim gjak apo të bëjmë hixhame duke qenë agjërueshëm, i themi “Jo, mos e bëj, por bëje pas iftarit!” Mirëpo, nëse ndokush pyet se a i është prishur agjërimi duke qenë se ka dhënë gjak apo ka bërë hixhame gjatë agjërimit, i themi: “Jo, nuk të është prishur.” Prandaj, këta dijetarë rreth dhënies gjak nga agjëruesi, thonë: Nëse nuk është një gjë e domosdoshme për të dhënë gjak, atëherë ta bëjë këtë pasi të bëjë iftar, e nëse është diçka urgjente (p.sh.: rasti kur duhet për t’i dhënë gjak një pacienti aty për aty), atëherë nuk prishë punë ta bëjë këtë gjë edhe gjatë agjërimit.

Libri “Ndejat e muajit Ramazan” – Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit