Kur Pejgamberi ﷺ arriti moshën 40 vjeçare, filluan t’i shfaqen disa shenja të profetësisë, prej tyre ishin: ëndrrat e vërteta që i shihte në gjumë. Pra, nuk kishte ëndërr që e shihte gjatë kohës që ishte në gjumë, veçse të nesërmen e shihte realizimin e saj, ashtu siç e kishte parë në ëndërr. Kështu vazhdoi për një periudhë 6-mujore, pastaj i zbriti shpallja prej Allahut.
Gjëja tjetër që i ka paraprirë zbritjes së shpalljes tek Pejgamberi ﷺ ishte se Allahu ia bëri të dashur vetminë dhe izolimin nga njerëzit dhe nuk kishte gjë më të dashur për të, sesa të vetmohej. Ai ﷺ e braktiste Mekken çdo vit, pastaj muajin e Ramazanit e kalonte ne shpellën Hira dhe kjo ishte diçka e njohur në mesin e kurejshitëve në kohën e injorancës.
Prej gjërave të tjera që i kanë paraprirë zbritjes së shpalljes tek Pejgamberi ﷺ ishte dhe fakti që disa gurë dhe pemë e përshëndesnin atë me selam. Thotë Pejgamberi ﷺ: “Me të vërtetë, unë e njoh dhe e di një gur në Mekke, i cili me jepte selam para se të më vinte shpallja dhe vërtet unë e di se ku është ai gur tani.”
Pastaj, ndodhi ngjarja e zbritjes së shpalljes tek Pejgamberi ﷺ kur ai arriti moshën 40-vjeçare, ndërkohë që qëndronte në shpellën Hira, ashtu siç e kishte shprehi në muajin e Ramazanit, ku i erdhi atij Xhibrili, alejhi selam, me urdhrin e Allahut dhe e zbriti për të suren “El-Alek”, apo siç njihet ndryshe me emrin “Ikra”, dhe kështu u bë profet, mëshirë për botën dhe për të gjithë njerëzimin, paralajmërues dhe përgëzues. Pra, i zbriti fillimi i sures “El-Alek”, gjersa Pejgamberi ﷺ ishte në shpellën Hira, dhe kjo është pjesa e parë që ka zbritur nga Kurani, sipas unaminitetit të dijetarëve.
Pas zbritjes së fillimit të kësaj sureje, shpallja u ndërpre për disa ditë, pastaj Allahu zbriti fillimin e sures “El-Mudeththir”, dhe kjo është pjesa që ka zbritur nga Kurani pasi u ndërpre shpallja prej Allahut për një farë kohe. Pastaj, Pejgamberi ﷺ filloi t’i thërriste njerëzit drejt Allahut. Davetin e tij gjatë gjithë jetës së tij ﷺ mund ta ndajmë në disa periudha:
- Periudha e Mekkes, e cila zgjati 13 vite.
- Periudha e Medines, e cila zgjati 10 vite të plota.
▪︎ Periudha e Mekes ndahet në:
-Periudhën sirrijeh (të fshehtë), që zgjati 3 vite, dhe
-Periudhën xhehrijjeh, gjatë së cilës Pejgamberi ﷺ filloi të bënte davet haptazi, që nga fillimi i vitit të katërt pas zbritjes së shpalljes mbi të. Pra, kjo pjesë e davetit të tij është bërë haptazi deri në vdekjen e tij ﷺ.
Fillimisht, Pejgamberi ﷺ filloi t’i thërriste njerëzit drejt Allahut fshehtazi, dhe kështu e pranuan islamin anëtarët e shtëpisë së tij, pra: bashkëshortja e tij, Hatixhja, vajzat e tij, Aliu (radijAllahu anhu) dhe Zejd ibn Harith. Pastaj, Pejgamberi ﷺ filloi të fliste edhe me ata persona tek të cilët kishte besim jashtë shtëpisë, familjes së tij, dhe islamin kështu e pranoi edhe Ebu Bekri. Në vazhdim, njerëzit filluan të dëgjonin për thirrjen e Pejgamberit ﷺ dhe njerëzit e varfër/ të gratë nxituan të hynin në islam. Kjo periudhë zgjati tri vite të plota dhe u bënë muslimanë një numër jo dhe aq i vogël i njerëzve.
Mësimet madhështore që marrim nga këto ngjarje:
Në ngjarjen e priftit dhe murgut Behira me Pejgamberin ﷺ ka argument se Ehlul Kitabët e njihnin mirë atë (Pejgamberin).
Madje Allahu thotë në Kuran për ta:
… يَعْرِفُونَهُۥ كَمَا يَعْرِفُونَ أَبْنَآءَهُمْ…
“E njohin atë, siç i njohin fëmijët e tyre.”
Pra, i dinin mirë karakteristikat, veçoritë e Pejgamberit ﷺ e dinin se në cilin vend e kohë do të dilte ai, e gjithë kjo ishte e shkruar në librat e tyre të shenjta.
Mësuam sesi Pejgamberi ﷺ që në vegjëli kishte ruajtur delet. Po ashtu, mësuam se pasuria më e mirë që fiton njeriu është ajo që e përfiton me mundin e vet, me duart e veta edhe nëse është e pakët.
Hatixhja e paraqiti kërkesën e saj që ajo të martohej me Pejgamberin ﷺ dhe kjo gjë është argument për moralin e lartë që kishte Pejgamberi ﷺ.
Dijetarët kanë thënë se nuk ka gjë të keqe që një grua e devotshme te shfaqë dëshirën e saj për t’u martuar me një njeri të devotshëm, siç veproi Hatixhja me Pejgamberin ﷺ për shkak të devotshmërisë dhe moralit të tij të lartë.
Mësuam sesi Allahu e ka ruajtur Pejgamberin ﷺ nga veprimet dhe gjërat e kota të kohës së injorancës.
U njohëm me gjërat që i kanë paraprirë zbritjes së shpalljes, e ato ishin ëndrrat e vërteta që ai shihte, pastaj si Allahu ia bëri të dashur vetminë, po ashtu sesi i jepnin selam gurët dhe pemët.
Mësuam po ashtu se njerëzit e varfër janë ata që më së shumti e pranojnë të vërtetën gjithmonë.
Në periudhën gjatë së cilës Pejgamberi i thirri njerëzit fshehtazi kemi mësim për thirrësit drejt Allahut në çdo kohë e çdo vend që t’i marrin shkaqet që ua mundësojnë atyre ta kumtojnë shpalljen e Allahut tek njerëzit.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.