Gjurmët që lënë këto ajete në vetët tona
Allahu thotë: “…por bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit.” Bekare 195. Kjo kërkon që ne të jemi bamirës ndaj të tjerëve e të sillemi me mirësi. Allahu e do bamirësinë dhe ata që janë bamirës, andaj ti duhet të jesh bamirës ndaj çdokujt, si: ndaj njerëzve më të afërt, familjes etj.
Allahu thotë: “…pajtojini ata midis tyre, me drejtësi dhe paanësi, sepse Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi.” Huxhurat 9. Kjo kërkon prej nesh që të jemi të drejtë, sepse Allahu i do ata që janë të drejtë. Allahu e do drejtësinë, por nuk e do padrejtësinë.
Allahu thotë: “Sa kohë që ata t’i përmbahen marrëveshjes – përmbajuni edhe ju, sepse Allahu i do ata që (i) frikësohen (Atij).” Teube 7. Kjo kërkon prej nesh që medoemos të jemi të devotshëm ndaj Allahut, ta kemi frikë Atë e jo të kemi frikë ndaj krijesave. Dikush i braktis mëkatet për shkak të turpit ndaj njerëzve, por nuk i vjen turp prej Allahut, dhe në momentin që nuk i ka pranë ata njerëz u kthehet mëkateve. Shumë njerëz kanë probleme/konflikte me njerëz (me familjar apo me të tjerë), por këto (mund) të jenë pasoja të mëkateve të tyre. Nëse e përmirëson raportin me Allahun, atëherë Ai do të përmirësojë raportin tënd me të tjerët.
Allahu thotë: “Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” Bekare 222. Kjo kërkon prej nesh të shtojmë pendimin dhe kthimin tek Allahu me zemër (duke u penduar sinqerisht) dhe me trup (duke shtuar adhurimet). Gjithashtu, kërkon prej nesh të shtojmë pastrimin (e rrobave apo të trupit prej papastërtisë). Shumë prej nesh pastrohemi[1] (qoftë me pastrim të zakonshëm apo marrim abdes e gusël) pa e pasur ndjesinë se kjo vepër të afron tek Allahu dhe përmes saj arrin dashurinë e Allahut.
Allahu thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet!” Ali Imran 31. Kjo kërkon prej nesh t’i kushtojmë kujdes të veçantë pasimit të Muhamedit salAllahu alejhi ue selem dhe të mos pakësojmë e as të shtojmë nga kjo rrugë.
Allahu thotë: “O besimtarë! Nëse ndokush prej jush braktis besimin e vet, dijeni se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan…” Maide 54. Këtu Allahu na paralajmëron të kemi kujdes të mos e braktisim fenë e Tij, Islamin. Kur ne e mësojmë këtë kërcënim të ardhur në ajet, atëherë kjo na detyron t’i përkushtohemi adhurimit ndaj Allahut dhe të largohemi nga çdo gjë që dërgon në braktisjen e fesë. Në këtë kuptim (që flet ajeti) hyn edhe braktisja e një pjesë të fesë.
[1] Kur gratë pastrojnë rrobat (e familjes), qoftë me duar apo me mjete, kjo është një gjë që sjell dashurinë e Allahut ndaj saj (duhet ta çojë ndërmend se kjo gjë është shkak për dashurinë e Tij).
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.