Hadithi: “Feja është nasiha.” E pyetën: “Për kë?”

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

“الدين النصيحة . “قلنا: لمن؟ قال: لله، ولكتابه، ولرسوله، ولأئمة المسلمين وعامتهم.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Feja është nasiha.” E pyetën: “Për kë?” Tha: “Për Allahun, për Librin e Tij, për Pejgamberin e Tij, për udhëheqësit e muslimanëve dhe për muslimanët në përgjithësi.” Muslimi.

Komentimi

Ky hadith përfshin të drejtat e Allahut ndaj nesh, të drejtat e Kuranit dhe të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem ndaj nesh, por edhe të drejtat e njerëzve ndaj nesh.

Fjala “nasiha – نصيحة” përmbledh të gjitha drejtat përmes të cilave arrihet mirësia në këtë dunja dhe tjetrën. Ajo është komentuar me dy interpretime:

  1. Pastërti, dëlirësi, çiltërsi, prej njollave dhe diçkaje tjetër, bashkim mes dy gjërave, lidhja mes tyre, përputhje mes tyre, duke u bërë një lidhje e fortë, e plotë.
  2. Të duash të mirën ndaj atij që do ta këshillosh.

Për të tri të parët, nesiha ka kuptimin e lidhjes mes dy gjërave, përputhjes mes tyre (qëllimi: lidhja e fortë dhe e pastër e njeriut me Allahun, me librin dhe të Dërguarin e Tij, plotësimi i të drejtave obligative dhe të preferuara në këtë raport/lidhje). Komentimi i dytë ndërlidhet me raportin me udhëheqësit muslimanë apo me masën e gjerë.

Lidhja e njeriut me Zotin, kërkon plotësim të shumë të drejtave, ose janë të drejta obligative ose të preferuara, po kështu dhe lidhja me Kuranin dhe me të Dërguarin salAllahu alejhi ue selem.

Nasihati përfshin të gjithë fenë (besimin, adhurimet, raportet ndërnjerëzore etj.), me obligimet e saj dhe me të preferuarat e saj.

Pyetja “لمن – limen – për kë” tregon: Kush e meriton këtë nasihat, për kë tregon feja se e meriton atë?

-“Për Allahun…” – përfshin të gjitha të drejtat e Allahut, që obligohen për muslimanin karshi Tij, qofshin obligative apo të preferuara. Sa i përket atyre që janë obligative janë: Besimi në Allahun (në zotërimin e Tij, në veçimin e Tij me adhurime dhe në Emrat dhe Cilësitë e Tij), dashuria ndaj Tij, pasimi i urdhrave të Tij, besimi në lajmet për të cilat na ka njoftuar Ai dhe që adhurimi t’i kushtohet/drejtohet sinqerisht vetëm Atij.

Sa i përket atyre që janë të preferuara janë: Mos pasja vend në zemër për dikë tjetër përveçse për Allahun, ndjesia se je gjithmonë nën mbikëqyrjen e Tij, veprimi i veprave të preferuara dhe kujtimi me zemër se do të dalësh një Ditë para Allahut.

-“për Librin e Tij” – duke ia dhënë të drejtën që i takon. Sa i përket të obliguarave përmendim: Besimi se Kurani është Fjalë e Allahut me të cilën Ai ka folur, se ai është prova më madhështore që ia ka dhënë të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem, se ai do të jetë argumenti i vetëm fuqishëm që do të mbetet deri në Ditën e Kiametit, se në të është udhëzimi dhe drita, se ne duhet të zbatojmë atë që urdhëron, të largohemi prej asaj që na ndalon, të besojmë atë për të cilën na njofton etj.

Sa i përket atyre që janë të preferuara janë: Leximi i shumtë i Kuranit, mos hedhja pas shpine e Kuranit nga aspekti i leximit, meditimit dhe shërimit/mjekimit me të etj.

-“për Pejgamberin e Tij”- duke iu bindur atij salAllahu alejhi ue selem në atë që na ka urdhëruar, duke besuar në atë që na ka njoftuar, duke u larguar prej asaj që na ka ndaluar, duke e adhuruar Allahun vetëm me fenë me të cilën Ai e ka ligjësuar përmes Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, duke besuar se ai është vula e Pejgamberëve (nuk ka shpallje pas tij), duke iu bindur atij etj.

-“për udhëheqësit e muslimanëve”- prijësit e çështjeve të muslimanëve, kjo duke iu bindur në gjërat që na urdhërojnë (që janë adhurime ndaj Allahut), por jo në gjynahe e mosbindje ndaj Allahut, duke u bashkuar për ato çështje që nuk ka mëkat në to, duke bashkuar zemrat e njerëzve rreth tyre, duke u lutur për ta, duke mos bërë kryengritje ndaj tyre dhe duke mos u rebelohemi kundër tyre, duke ia dhënë zotimin për besnikëri udhëheqësit musliman, duke i këshilluar[1] për gabimet që kanë në fe etj.

Ndërsa, sa u përket imamëve të fesë (prijësve fetarë), nga gjërat obligative janë: duke i dashur për shkak të fesë dhe dijes që kanë dhe që e shpërndajnë atë, duke i ndihmuar, duke i mbrojtur ata dhe nderin e tyre, duke ruajtur pozitën e tyre të lartë etj.

-“për muslimanët në përgjithësi”- duke i drejtuar në atë që është e mirë për ta në këtë botë dhe tjetrën, duke i dashur për hir të Allahut, duke bashkëpunuar me ta në mirësi e jo në mëkat e armiqësi, duke ua sqaruar të vërtetën, duke i këshilluar në të vërtetën (me fjalë e vepra) kur bëjnë të këqija e mëkate, duke gjykuar mes tyre mes tyre me ligjet e Allahut etj. Këtu hyjnë të gjitha të drejtat (ndërmjet muslimanëve) që janë përmendur në hadithe.

[1] Kjo ka disa kushte, si: t’i këshillojë me butësi, me fjalë të mira e të zgjedhura, t’i këshillojë fshehtas, jo publikisht, pa e ditur të tjerët.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit