Hadithi: “Islami është ndërtuar mbi pesë (shtylla)…”

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

بُنِيَ الإِسْلامُ عَلَى خَمْسٍ: شَهَادَةِ أَنْ لاَ إِلَهَ إِلاَّ الله وَأَنَّ مُحَمَّدَاً رَسُوْلُ اللهِ، وَإِقَامِ الصَّلاةِ، وَإِيْتَاءِ الزَّكَاةِ، وَحَجِّ البِيْتِ، وَصَوْمِ رَمَضَانَ

“Islami është ndërtuar mbi pesë (shtylla): Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit dhe agjërimi i Ramazanit.”

Buhariu dhe Muslimi.

Komentimi

Prej këtij hadithi përfitohet se Islami ka pesë shtylla.[1] Nuk ka mundësi që feja të qëndrojë e fort apo të ekzistojë përveç nëse plotësohen këto shtylla. Ato plotësojnë ndërtesën e Islamit. Sa më shumë që njeriu i realizon këto pesë shtylla, aq më shumë merr sigurinë prej Allahut se do të hyjë në xhenet.

Islami është ndërtuar”- Qëllimi këtu është për Islamin e veçantë, me të cilin është dërguar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem (me të është veçuar umeti i tij).[2]

Shehadeti لاَ إِلَهَ إِلاَّ الله وَأَنَّ مُحَمَّدَاً رَسُوْلُ اللهِ – La ilahe ilAllah Muhameden Resulullah – Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Tij. Të gjitha veprat janë të bazuara mbi këto dy shehadete. Ato nuk pranohen pa i bërë sinqerisht për Allahun (këtë e kërkon pjesa e parë e shehadetit) dhe pa qenë sipas sunetit (këtë e kërkon pjesa e dytë e shehadetit).

Ai që dëshmon shehadetin së pari duhet ta dijë/njohë domethënien e tij dhe ta besojë me zemrën e tij, pastaj ta shqiptojë me gjuhë dhe pastaj të njoftojë të tjerët për atë që beson (ta shpallë atë). Nuk pranohet ndryshe përveç nëse i bashkon këto tri komponentë (përjashtim bën nëse është i detyruar të mos e shpallë shehadetin ngase rrezikohet të vritet, apo të torturohet etj.).

Kuptimi i fjalës La ilahe ilAllah: Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, apo të Vërtetë, që meriton adhurimin, përveç Allahut. Ajo është fjala e teuhidit, e cila ka dy shtylla:

  1. Mohimin: “La ilahe”- Mohimi se askush nuk e meriton adhurimin përveç Allahut.
  2. Pohimin: “il-Allah”- Pohimi se vetëm Allahu e meriton adhurimin.

Është gabim shumë i madh nëse kjo fjalë përkthehet: “Nuk ka Zot përveç Allahut”. Fjala “Ilah – Ai që adhurohet me dashuri, frikë dhe shpresë”[3] nuk vjen kurrë në kuptimin “Rab-Zot”.

Ajo nuk pranohet tek Allahu nëse vetëm e thua me gjuhë pa e besuar me zemër. Së pari njeriu duhet ta kuptojë këtë fjalë (domethënien e saj), pastaj ta besojë me zemër, të besojë se askush përveç Allahut qoftë engjëll, Pejgamber, njeri i devotshëm etj., nuk e meriton adhurimin, sepse është krijesë. Të adhuruar të tjerë ka, por adhurimi që u kushtohet është i padrejtë, i kotë (pa meritë).

Pastaj sa i përket pjesës së dytë të shehadetit “Muhameden Resulullah”, duhet të besosh me zemër, ta thuash me gjuhë dhe ta shpallësh tek të tjerët se Muhamedi është i Dërguar i Allahut me të vërtetën, atij i është zbritur Shpallja prej Allahut përmes Xhibrilit dhe pastaj ai na ka përcjellë neve. Gjithashtu të besosh se ai salAllahu alejhi ue selem është vula e Pejgamberëve. Ai që beson në këtë mënyrë e ka plotësuar këtë shehadet. Ky shehadet kërkon disa gjëra, si: bindjen ndaj Muhamedit salAllahu alejhi ue selem në atë që ka urdhëruar, besimin në lajmet që ka sjellë, largimin prej atyre gjërave për të cilat na ka paralajmëruar dhe ndaluar dhe adhurimin ndaj Allahut vetëm përmes rrugës të tij (pa bidate).

Falja e namazit “وَإِقَامِ الصَّلاةِ”- Është shtylla më e fortë pas shehadetit. Siç e dimë, Allahu e ka bërë obligim pa ndërmjetës (pa e dërguar Xhibrilin me shpallje te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem sikur për obligimet e tjera), në vendin më të lartë që ka arritur dikush prej njerëzve dhe në natën më të ndershme (natën e Miraxhit). Këto tregojnë për dashurinë e madhe të Allahut ndaj namazit. Në gjuhën arabe “ikametussalah – falja e namazit” nuk është thjeshtë vetëm ta falësh atë, por ta lartësosh atë: ta falësh në formën e plotë, duke plotësuar kushtet, shtyllat dhe obligimet e namazit. Namazi është baza e adhurimeve dhe peshorja përmes së cilës besimtari sheh se sa e madhëron fenë në zemrën e tij. Sa më shumë që i kushton rëndësi dhe e plotëson atë, aq më shumë do të zërë vend feja në zemrën e tij. Falja e namazit ka qenë edhe porosia e fundit e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem para se të vdiste: “Kushtoni rëndësi namazit…” Gjithashtu, namazi është streha e besimtarit gjatë shqetësimeve, fatkeqësive dhe brengave. Përmes tij Allahu na fal mëkatet tona dhe ngreh shkallët tona dhe shpëtojmë prej dënimit të Tij. Ai mbron prej epsheve të ndaluara (është mburojë) dhe prej mëkateve. Ai është udhërrëfyesi jonë drejt kënaqësive të amshueshme në xhenetin e Allahut. Andaj, namazi ka pasur vend dhe pozitë shumë të lartë në zemrën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.

3 Dhënia e zekatitوَإِيْتَاءِ الزَّكَاةِ” – Fjala zekat është marrë nga fjala zekke që nënkupton: pastrim dhe shtim. Ai që e jep zekatin, e pastron veten e tij prej koprracisë dhe shton pasurinë e tij; i shtohet bereqeti i pasurisë dhe shpërblimi dhe pastrohet e i shtohet e mira nga aspekti shpirtëror. Zekati është një pjesë e caktuar prej një pasurie të veçantë që i jepet disa njerëzve të veçantë. Njerëzit nuk janë të barabartë në jetën e kësaj bote, disa janë të pasur e disa janë të varfër. Prej madhështisë së kësaj feje është se Allahu ka bërë që bamirësia të jetë në mesin pjesëtarëve të këtij umeti. Ai që jep zekatin, kryen një prej shtyllave të Islamit, pastron veten prej koprracisë dhe veseve të liga dhe pastron faqet e regjistrit të tij prej gjynaheve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Lëmosha shlyen mëkatatin siç e fik uji zjarrin.” Dhe lëmosha më e mirë është zekati. Ai që e jep zekatin, ka bërë bamirësi ndaj të tjerëve dhe në këtë mënyrë ka hyr në mesin e bamirësve të cilët i përfshin dashuria e Allahut, “por bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit”. Bekare 195. Me dhënien e zekatit njeriu e stërvit vetveten të japë e të shpenzojë në rrugën e Allahut, me të kemi ngushëllim për të varfrin, me të realizohet solidariteti dhe ndihma ndaj pjesëtarëve të shoqërisë.

4 Kryerja e haxhit “وَحَجِّ البِيْتِ” – Disa dijetarë thonë se haxhi është adhurim që kryhet për hir të Allahut, duke kryer ritualet e tij, në një vend të veçantë (Meke), në kohë të veçantë dhe sipas sunetit profetik. Çdo musliman/e që ka mundësi, atëherë e ka obligim të kryejë haxhin. Haxhi është obligim të kryhet një herë gjatë jetës (për atë që ka mundësi).[4]

5 Agjërimi i Ramazanit “وَصَوْمِ رَمَضَانَ”- Disa dijetarë kanë thënë se është quajtur Ramadan ngase shuan nxehtësinë e mëkateve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe me shpresë (në shpërblimin e Allahut), i falen mëkatet e kaluara.” Agjërimi është ndalja prej ngrënies e pirjes dhe marrëdhënieve intime, prej lindjes së agimit deri në perëndimin e diellit.

Janë veçuar këto pesë shtylla në këtë hadith, për shkak se rëndësia e tyre në sheriat është shumë e lartë dhe ndikimi i tyre te njeriu është shumë i madh. Këto pesë shtylla të përmendura në këtë hadith ndahen në tri lloje: adhurime të zemrës, të trupit dhe të pasurisë. Së pari janë dy shehadetet, që janë vepër e zemrës, dhe përmes tyre realizohet besimi (imani). Pastaj vjen namazi i cili është adhurim trupor. Pastaj zekati që ka të bëjë me pasurinë. Pastaj vjen haxhi i cili është adhurim trupor dhe i pasurisë. Pastaj vjen agjërimi i Ramazanit që ka të bëjë me trupin (adhurim trupor).[5]

[1] Te ehli suneti qëndron mendimi se ai që e thotë shehadetin dhe e fal namazin (sipas njërit mendim lidhur me namazin), por nuk zbaton pjesën tjetër të shtyllave të Islamit për shkak të dembelisë apo neglizhencës, atëherë ai prapë mbetet musliman (nuk i merret emri i Islamit nëse lë tri shtyllat e tjera). Ndërsa, lidhur me namazin, ehli suneti kanë mospajtime mes veti se a i merret emri i Islamit atij që e lë atë për dembeli apo neglizhencë por duke e pranuar obligueshmërinë e Islamit. Shumica e dijetarëve thonë se ai llogaritet musliman, por që ka bërë mëkat të madh (e disa thonë se ka bërë kufër-mohim të vogël). Ndërsa, pjesa tjetër thonë se ai nuk ka Islam. Lidhur me shtyllat e tjera, shumica e dijetarëve kanë mendimin se kush i lë ato nga dembelia atëherë nuk llogaritet i dal nga feja.

[2] Ndërsa, definicioni i Islamit të përgjithshëm, në të cilin kanë qenë Pejgamberët më përpara, është: Dorëzimi ndaj Allahut me teuhid, nënshtrimi ndaj Tij me bindje dhe distancimi nga shirku dhe ithtarët e tij. Nga ky aspekt është i njëjtë me Islamin e veçantë, porse nga aspekti i sheriatit, ligjeve e dispozitave, Islami i veçantë është tjetër (nuk është i njëjtë sikur me të Pejgamberëve më përpara).

[3] Kështu është kuptimi i fjalës Ilah në gjuhën arabe dhe kështu e gjejmë në Kuran e sunet.

[4] Nëse njeriu nuk ka pasuri apo mjet të udhëtimit, atëherë nuk e ka obligim ta kryejë atë e as të dërgojë dikë (bedel). Por, nëse nuk ka mundësi për shkak të shëndetit, atëherë nëse është fjala se shpresohet t’i largohet atëherë duhet të presë, mirëpo nëse nuk shpresohet t’i largohet (siç është pleqëria), atëherë lejohet të dërgojë dikë (bedel) të kryejë haxhin në vend të tij.

[5] Andaj, për këtë shkak, në këtë hadith, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka dhënë përparësi haxhit para Ramazanit (në renditje). Në shumicën e transmetimeve haxhi vjen në fund (në renditje).

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit