Hadithi: “Kush i ka katër tipare ai është hipokrit…”

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush i ka katër tipare ai është hipokrit (munafik). Nëse e ka njërën prej tyre, llogaritet se e ka një prej tipareve të hipokritëve derisa ta braktisë atë. (Ato tipare janë): Kur flet gënjen, kur premton nuk e përmbush atë, kur tejkalon kufijtë gjatë grindjes dhe kur e jep besën tradhton.” Buhariu dhe Muslimi | (Hadithi është prej shtojcës së ibën Rexhebit).

Ky hadith është prej haditheve më të sakta që numërojnë tiparet/pjesët/degët e hipokrizisë (përball të cilave qëndrojnë degët e besimit/imanit). Qëllimi këtu është për hipokrizinë në vepër (hipokrizinë e vogël, e cila nuk nxjerr nga feja).[1]

Ata që kanë cilësi këto tipare ndahen në dy lloje:

-Ata që kanë njërën prej tyre, apo dy prej tyre.

-Ata që i kanë të gjitha këto tipare. I tilli është hipokrit i pastër nga ana e veprës. D.m.th. jep para të tjerëve një gjendje të mirë por që në brendësi e fsheh të kundërtën.

Andaj, prej kësaj kuptojmë se njeriu ka mundësi të jetë musliman dhe të ketë një tipar apo pjesë të hipokrizisë (në vepër).

-“Kush i ka katër tipare…”kjo nuk e kundërshton një transmetim tjetër ku përmendet se janë tri tipare të hipokrizisë. Dhe nëse mblidhen hadithet që flasin për shenjat e hipokrizisë, atëherë del se janë më shumë se tridhjetë tipare të tilla.

-“derisa ta braktisë atë” kjo argumenton se hipokritit i pranohet pendimi. Gjithashtu kjo pjesë e hadithit argumenton se pendimi prej një mëkati të caktuar bëhet duke e braktisur atë dhe se pendimi i përgjithshëm i mëkateve bëhet kur i braktis ato në mënyrë të përgjithshme.

Tiparet e hipokrizisë

-“(Ato janë): Kur flet gënjen” – ose gënjen për vetveten e tij ose për të tjerët. Gënjeshtra është thënia e diçkaje që nuk është në përputhje me realitetin. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kini kujdes prej gënjeshtrës sepse ajo ju dërgon në shthurje/gjynahe dhe pastaj shthurja ju dërgon në zjarr. Njeriu vazhdon të gënjejë derisa të shkruhet gënjeshtar tek Allahu.” Përjashtim nga kjo janë rastet:

-Kur burri gënjen gruan dhe anasjelltas. Është lejuar për një dobi më të madhe, si: kur disa martesa nuk mund të mbahen përveçse nëse gënjejnë njëri-tjetrin për të arritur një dobi më të madhe që është mosprishja e martesës apo përmirësimi, atëherë mund të përdoret kur është e nevojshme, si ilaç, por pa u zhytur thellë dhe pa e përdor pa arsye. Nëse përdoret gjithnjë, atëherë kuptohet nga të tjerët se është gënjeshtër dhe më personit nuk do t’i pranohet fjala.

-Kur pajton ndërmjet njerëzve apo familjeve, që kanë mosmarrëveshje, si: shkon te njëri dhe i thotë se filani (me të cilin ka mosmarrëveshje) flet për ty fjalë të mira dhe lavdëruese, me qëllimin që t’i pajtojë (por duke treguar urtësi e kujdes).[2]

-Kur është luftë. Është e lejuar të bëhen mashtrime dhe gënjeshtra ndaj armikut në mënyrë që të dëmtohet.

Gënjeshtra në këto raste përdoret sipas nevojës, përderisa nuk dërgon në të kundërtën e asaj për të cilën është lejuar (në këtë rast nuk e përdor).

-“kur premton nuk e përmbush atë”- p.sh.: i premton dikujt se do ta takosh apo se do t’i dhurosh diçka, por që nijetin e ke të mos e përmbushësh.[3] Është obligative përmbushja e fjalës dhe premtimit të dhënë (këtë gjë na tregon hadithi), sidomos nëse mospërmbushja e premtimit sjellë dëme. Kjo përfshin përmbushjen e premtimit ndaj të vegjëlve[4] dhe të mëdhenjve.

-“kur tejkalon kufijtë gjatë grindjes”- kjo ka dy kuptime: a) Zemërohet shumë dhe si shkak i kësaj tejkalon kufijtë, duke bërë padrejtësi, fyer, ofenduar, zgjatur debatin etj. Allahu thotë: “Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi.” Maide 8. b) Shmangia ndaj së vërtetës (bërja hile për ta refuzuar atë, paraqitja e të kotës si e vërtetë).

-“dhe kur e jep besën tradhton” kjo është e ndaluar në çdo marrëveshje (shitblerja, martesa etj.) që bën muslimani, edhe nëse ai të cilit i jepet besa është jobesimtar.[5] Allahu thotë: “Dhe përmbushni zotimet/besëlidhjet. Me të vërtetë, për zotimet do të jeni përgjegjës.” Isra 34.

Këto tipare nuk nxjerrin nga feja, mirëpo nuk duhet të nënvlerësohen ngase ka mundësi që nëse mblidhen këto katër tipare te një person, atëherë të bëhen rrugë që dërgojnë në hipokrizinë e madhe. Andaj, është rrezik për të që pas një kohe Islami t’i largohet prej zemrës. Ky është kuptimi i thënies së disa dijetarëve: “Mëkatet janë postë e mohimit (kufrit).” Nëse njeriu i vepron vazhdimisht atëherë do ta dërgojnë në rënien në mohim. Po kështu mund të themi edhe për këto tipare të hipokrizisë.

[1] Nuk është për qëllim hipokrizia e madhe (në besim, e cila të nxjerrë nga feja), që është: shfaqja e besimit dhe fshehja e mohimit. Muslimani nuk ka hipokrizi në besimin e tij.

[2] Personi që thotë kështu duhet të tregohet i urtë, nuk duhet t’i thotë këto fjalë duke e ditur se tjetri ndoshta shkon t’i vërtetojë ato apo se a ka ndodhur kjo me të vërtetë apo jo. Nëse e di se ai do të hulumtojë rreth kësaj, atëherë nuk lejohet t’ia thotë ato fjalë, sepse në këtë mënyrë nuk arrihet dobia për të cilën lejohet të bëhet gënjeshtra, përkundrazi mund të ketë dëm më të madh dhe të llogaritet për gënjeshtar.

[3] Nëse i premton dikujt për diçka dhe je i vendosur ta përmbushësh atë, mirëpo pastaj ndodh ndonjë pengesë, atëherë je i arsyetuar tek Allahu.

[4] Madje tek të vegjlit kjo është më e konfirmuar sepse nëse fëmija sheh se ti nuk i përmbush premtimet, atëherë në zemrën e tij do të mbillet kjo gjë -mospërmbushja e premtimeve.

[5] Njerëzit i marrin për të lehta çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e të tjerëve, sidomos kur rasti është për një jobesimtar (p.sh. ia vonon pagesën, apo ia shtyn rrogën etj.).

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.

Madhësia e tekstit