Hadithi: “Nuk ka besuar askush prej jush derisa të…”

 

⟪لا يؤمن أحدكم حتى يحب لأخيه ما يحب لنفسه⟫

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: Nuk ka besuar askush prej jush derisa të dojë për vëllain e tij atë që dëshiron për veten e tij.Buhariu dhe Muslimi.

Komentimi

-“Nuk ka besuar askush prej jush” – tregon se ato gjëra që vijnë pas këtyre fjalëve janë gjëra të urdhëruara në fe, ose urdhëresa të obligueshmërisë ose të preferencës. Mohimi i besimit këtu: “Nuk ka besuar askush” tregon për mohimin e plotësueshmërisë së besimit obligativ (do të thotë: Nuk ka besuar me besim të plotë). Andaj, kur besimi mohohet në hadithe për shkak të një vepre, kjo tregon se ajo vepër është obligative të kryhet. Në këtë hadith, tregohet se të duash për vëllain musliman atë që do për veten tënde, është gjë obligative,[1] ngase mohimi i besimit nuk mund të ndodhë për diçka që është e preferuar (mustehab).

Ky hadith përfshin të gjitha veprat e mira, qofshin fjalë, apo çështje të besimit, apo vepra, pra hadithi përfshin: të duash për vëllain tënd që ai të ketë besim të saktë ashtu siç e ke edhe ti, apo të duash për të që ai të falë namazin ashtu siç e fal edhe ti etj. Ndërsa, të duash e të dëshirosh që vëllai musliman të mos jetë i udhëzuar, apo të ketë besim të devijuar, apo të bie në një mëkat të ndaluar, atëherë me këtë dëshirë bën vepër të ndaluar dhe gjynah dhe prej zemrës tënde mohohet plotësueshmëria e besimit obligativ (nuk e ke besimin e plotë).

Ky hadith na flet për dy nivele:

  1. Të duash të mirën për tjetrin në çështjet e fesë (kjo është obligim). Nëse nuk e ke këtë dashuri, atëherë të është mohuar plotësueshmëria e besimit obligativ.
  2. Të duash të mirën për tjetrin në çështjet e dunjasë (kjo është e preferuar), si: në pasuri, pozitë, gjendje të mirë etj.

Prej kësaj pastaj degëzohet altruizmi – dhënia përparësi tjetrit para vetes, që ndahet në:

-Altruizëm apo favorizim në çështje të adhurimeve: kjo është e papëlqyer (mekruh), si: dhënia përparësi në safat e parë për namaz, apo lirimi i vendit në saf, apo dhënia përparësi tjetrit për të dhënë lëmoshë/ndihmë etj. Ne duhet të garojmë me njëri-tjetrin në vepra të mira dhe të mundohemi t’ua kalojmë të tjerëve.

-Altruizëm apo favorizim në çështje të kësaj bote, si: në ushqim, veshje, automjete, ulje në krye të vendit etj., kjo është e pëlqyer.[2]

Dikush mund të thotë: “Të dua për vëllain tim atë që ia dua vetes, është e vështirë dhe e rëndë për ta realizuar, si: të jetë i dijshëm sikurse unë, apo i pasur sikurse unë, apo të ketë fëmijë sa kam unë, apo të jetë në rrugën e drejtë sikurse unë etj.” Dhe përgjigja është: Kjo vërtetë është e vështirë dhe e rëndë nëse nuk e ke ushtruar vetveten. E nëse e trajnon veten në këtë atëherë nuk do ta kesh vështirë, kjo gjë do të lehtësohet. Por, nëse i bindesh dëshirave, nefsit dhe tekave, atëherë do të jetë e vështirë për ty.

[1] Sqarim: Nëse njeriu nuk e vepron këtë nuk llogaritet i dal nga feja (nuk i mohohet besimi në thelb). Mirëpo, hadithi është nga aspekti i këshillës dhe nga aspekti i mësimit se muslimani duhet të jetë i çiltër me muslimanët e tjerë.

[2] Ndërsa, ndihma në provime për përgjigjet e sakta, duke dëshiruar për tjetrin kalimin e provimit, nuk hyn në këtë hadith sepse kjo gjë është mashtrim dhe mashtrimi është prej gjynaheve të mëdha në Islam. Me këtë nuk e ndihmon vëllain tënd, por e dëmton duke e mësuar me mashtrimin, gjithashtu nga ana tjetër e ke tradhtuar atë ngase ai do të bartë një diplomë që nuk e meriton.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit