Hadithi: Ruaje Allahun, Ai do të të ruajë ty

 

يا غلام، إني أعلمك كلمات: إحفظ الله يحفظك، إحفظ الله تجده تجاهك، إذا سألت فاسأل الله، وإذا استعنت فاستعن بالله، واعلم أن الأمة لو اجتمعت على أن ينفعوك بشئ لم ينفعوك إلا بشئ قد كتبه الله لك.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë ibën Abbasit: “O djalosh, do t’i mësoj disa fjalë: Ruaje Allahun, Ai do të të ruajë ty. Ruaje Allahun, do ta gjesh gjithmonë para vetes. Kur të kërkosh diçka, kërkoje vetëm prej Allahut. Kur të kërkosh ndihmë, kërkoje vetëm prej Allahut. Dhe dije se, sikur i gjithë njerëzimi të bëhen bashkë të të sjellin ndonjë dobi, nuk do kishin mundësi ta bënin përveç aq sa e ka shkruar Allahu dhe sikur i gjithë njerëzimi të bëhen bashkë të të dëmtojnë me ndonjë gjë, nuk do të kishin mundësi ta bënin përveç aq sa e ka shkruar Allahu. Janë ngritur lapsat dhe janë tharë fletat.” Tirmidhiu.

Këto këshilla përmbledhin mirësinë e kësaj bote dhe të botës tjetër. Ky hadith është shumë i rëndësishëm.

O djalosh, do t’i mësoj disa fjalë”- tregojnë për mëshirën dhe dashurinë që duhet të ketë mësuesi, prindi, i moshuari, ndaj të rinjve apo të vegjëlve dhe ndaj çdo kujt të cilin e mëson apo i thua fjalë të rëndësishme.[1] Këto fjalë që ia thotë janë urdhra.

disa fjalë” – disa fjali, të cilat përmbajnë urdhra, porosi e këshilla.

Ruaje Allahun, Ai do të të ruajë ty. Ruaje Allahun, do ta gjesh gjithmonë para vetes.”Por, si e ruan njeriu Allahun? Qëllimi është të ruajë kufijtë dhe fenë e Tij (se Allahu nuk ka nevojë ta ruajë njeriu, robi i Tij), kjo duke kryer obligimet dhe duke iu larguar ndalesave. Të drejtat e Allahut janë: Të drejtat obligative dhe ato të preferuara. Qëllimi është t’i zbatojë këto të drejta karshi Allahut. Ai që zbaton obligimet, që u largohet ndalesave dhe zbaton pastaj edhe ato që janë të preferuara, e ka ruajtur Allahun dhe është prej të parëve ndaj të tjerëve në vepra të mira. Ndërsa, nivel më i ulët sesa ky, janë ata që zbatojnë vetëm obligimet dhe u largohen ndalesave.  

Ai do të ruajë ty”Ruajtja që Allahu ia bën njeriut ka dy nivele:

  1. Ta ruajë në jetën e kësaj bote në atë që është e dobishme për të (i jep shëndet, furnizim, ia shton atë, ia ruan familjen, fëmijët etj.).
  2. Ta ruajë në fenë e Tij, kjo është më e larta (d.m.th. të ketë zemër të pastër prej dyshimeve, gjymtyrë që qëndrojnë larg epsheve, të lidhet vetëm me Allahun, të shpresojë tek Ai, të kthehet tek Ai, ta ruajë të mos devijojë, t’ia forcojë zemrën në besim, ta inspirojë drejt të vërtetës, t’ia mundësojë të ndjekë rrugën e drejtë, ta ndihmojë në fenë e Tij etj.). Të të ruajë Allahu në fenë tënde, ky është synimi më i lartë që duhet ta ketë besimtari. Mosardhja e ndihmës së Allahut në çështje të fesë, kjo është më e rënda, më e rrezikshmja. Andaj, njeriu duhet t’i kushtojë rëndësi të plotë urdhrave e obligimeve, e nëse i ikë ndonjë prej tyre atëherë të mos i ikën istigfari për këtë lëshim dhe të pendohet dhe menjëherë të veprojë të mira.

Ruajtja që Allahu ia bën robit të Tij kthehet edhe tek kuptimi i meijes së Allahut (Ai është me robin e Tij). Ruajtja në fe është meije e veçantë (Allahu është me disa prej robërve të Tij në mënyrë më të veçantë, siç e shpjeguam).

Ruaje Allahun, do ta gjesh gjithmonë para vetes”Nëse e ruan siç përmendëm më lartë, atëherë Ai do të të japë atë që ia kërkon, do të udhëzojë drejt çdo mirësie, do të mbrojë prej të këqijave etj.

Kur të kërkosh diçka, kërkoje vetëm prej Allahut. Kur të kërkosh ndihmë, kërkoje vetëm prej Allahut” – Kjo është marrë prej ajetit: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” Fatiha 4. Këtu kemi urdhrin për veçimin e Allahut me kërkim të ndihmës dhe me lutje drejtuar Atij. Kjo ka dy shkallë:

  1. Obligative. Ne duhet t’i kërkojmë ndihmë vetëm Allahut në ato gjëra që vetëm Ai ka mundësi të ndihmojë dhe që janë vetëm në kompetencën e Tij- kjo është obligim. Nëse njeriu në këto gjëra ia drejton lutjen dikujt tjetër, atëherë kjo është shirk/idhujtari.
  2. E preferuar. Sipas mundësive, është e preferuar për ne të mos kërkojmë asgjë prej njerëzve.[2]

Në këtë pjesë të hadithit ka argument se nëse njeriu kërkon prej dikujt tjetër përveç Allahut, atëherë kjo ia pakëson realizimin e teuhidit (njëshmërisë së Allahut).

Dhe dije se, sikur i gjithë njerëzimi të bëhen bashkë të të sjellin ndonjë dobi, nuk do kishin mundësi ta bënin këtë përveç aq sa e ka shkruar Allahu…”Kjo tregon se dobitë që na vijnë prej njerëzve realisht janë prej Allahut (Ai i ka shkruar atë për neve). Përmes këtyre fjalëve, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na porosit t’i mbështetemi Allahut.

-“…dhe sikur i gjithë njerëzimi të bëhen bashkë të të dëmtojnë me ndonjë gjë, nuk do të kishin mundësi ta bënin përveç aq sa e ka shkruar Allahu” Andaj duhet të jemi të kënaqur me Caktimin e Allahut. Këto këshilla kanë të bëjnë me paracaktimet e Allahut, dhe njerëzit nuk kanë mundësi të ndryshojnë sado pak nga paracaktimet e Tij, edhe nëse bëhen të gjithë bashkë.

Mbështetja në Allahun është prej niveleve më të larta të besimit. Kuptimi i mbështetjes tek Allahu është: të veprojmë shkaqet dhe pastaj çështjen t’ia dorëzojmë Atij. Dorëzimi i çështjes tek Allahu është vepër e veçantë e zemrës. Kjo është kur ti me zemrën tënde kërkon strehë tek Allahu dhe i mbështetesh Atij, në arritjen e qëllimeve apo në largimin e të këqijave.

Ndërsa, lidhja e zemrës për krijesa është një gjë e nënçmuar në Islam. Njerëzit janë vetëm shkaqe (nuk lejohet të mbështetemi tek ta), dhe shkaku nganjëherë jep rezultat e nganjëherë jo. Por, sa më shumë që njeriu e lidh zemrën për krijesën, aq më shumë sprovohet, kështu do të dëmtohet dhe gjithashtu nuk do ta ketë të plotë mbështetjen tek Allahu.

Kur besimtari i mbështetet Allahut në këtë mënyrë, atëherë do të dijë se nuk i ndodh diçka përveçse aq sa ka shkruar Allahu për të dhe nuk mund ta dëmtojë diçka përveçse aq sa ka shkruar Ai për të.

Janë ngritur lapsat dhe janë tharë fletat”gjithçka ka marrë fund, Allahu ka shkruar çdo gjë që do të ndodhë, por kjo nuk do të thotë se njeriu është i detyruar në atë që zgjedh të veprojë. Ka thënë kështu me qëllim që njeriu t’i mbështetet Allahut, të ketë mendim të mirë për Atë, t’ia dorëzojë dhe besojë të gjitha çështjet Atij, të zbrazë zemrën prej shikimit kah krijesat dhe ta lidhë vetëm për Allahun.

[1] Çdokush që do t’i thotë tjetrit disa fjalë të rëndësishme, është mirë që para kësaj t’i thotë disa fjalë të cilat tërheqin vëmendjen dhe shtojnë interesimin për t’i dëgjuar ato.

[2] Kur ke mundësi ta kryesh vetë një gjë, pa u stërngarkuar, atëherë më e mira është që të mos e kërkosh prej krijesave. Ai që e ka zakon të kërkojë vazhdimisht prej krijesave, kjo është diçka e papëlqyer. Njeriu duhet ta edukojë veten t’i kryejë gjërat vetë, sa të ketë mundësi, e nëse ndonjëherë kërkon diçka prej dikujt, që ka mundësi ta bëjë, atëherë kjo nuk e cenon shkallën e dytë që përmendëm. Dhe ai (njeriu) të cilin e ka vënë Allahu në shërbimin tënd për një gjë, është vetëm shkak.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Transkriptim.

 

 

Madhësia e tekstit