Ibën Tejmijje, filozofët, mutekelimunët dhe përjetësia e universit (pjesa e parë)

Hyrje

Filozofët grekë kanë folur për përjetësinë e materies (një universi të përjetshëm) dhe Ehlul Kelami (xhehmitë, mu’tezilitë, esharitë, maturiditë dhe kerramitë, dhe muxhesimët rafidhij) u munduan ta pohonin fillimin e universit duke vënë në përdorim mjetet konceptuale (konceptet mendore) të atyre filozofëve grekë për të sajuar / shpikur një argument të arsyeshëm. Në këtë proces, disa ranë në ta’til (heqje / mospranim i atributeve të Allahut) dhe të tjerë ranë në texhsim. Kur ata të cilët ishin në rrugën e filozofëve grekë, siç është Ferabi (v. 339 H) dhe Ibën Sina (v. 429H), e panë të metën e pandashme në këtë argument, ata e morën dhe e përdorën si argument për të përkrahur pohimin e tyre se universi është i përjetshëm, me gjithë faktin që ata kurrë nuk kanë pasur ndonjë argument bazik për të filluar, që universi është i përjetshëm. Në këtë mënyrë, Ehlul Kelami e hapën një derë të madhe të së keqes mbi ummetin.

Shejhul Islam Ibën Tejmijje duke i parë gabimet e mutekelimunëve në këtë aspekt, ka shkruar gjerësisht në këtë çështje duke i ndihmuar ata kundër filozofëve duke i përmirësuar gabimet e tyre, duke i vënë në pah lëshimet e tyre në argumentim dhe duke ua treguar atyre rrugën e saktë për të mposhtur filozofët dhe për të shkatërruar argumentet e tyre. Për shkak të intelektit të dobët dhe të gjymtë të shumë prej kundërshtarëve të tij nga Ehlul Kelami (në veçanti esharitë), ata e akuzuan Ibën Tejmijjen se ka pohuar që universi është i përjetshëm, duke mos i kuptuar në esencë fjalët e tij dhe argumentet. Në këtë seri artikujsh, do ta shqyrtojmë këtë çështje me lejen e Allahut.

___________________________________________________________________________________________

Shejhul Islam Ibën Tejmijjeh në librin e tij “Kitabus-Safedijjeh” ( كتاب الصفدية) konfirmon se çdo gjë përveç Allahut është e krijuar, ka fillim dhe është e paraprirë me mos-ekzistencën e vet.

Kjo çështje është e përmendur me bollëk nga Ibën Tejmijje në shumë prej punimeve të tij të famshme dhe të mirënjohura, aq shumë sa asnjeri nuk mund të thotë se ka injorancë për këtë fakt. Këtu do të citojmë nga libri Es-Safedijjeh (tahkik Muhammed Reshad Selim, 1406 H). Ky libër madhështor është refuzim i filozofëve në dy çështje. E para, pohimi i tyre se mrekullitë e pejgamberit janë thjesht manifestime të fuqisë së aftësisë dhe zotësisë shkencore, dhe së dyti, pohimi i tyre se universi është i përjetshëm. Një pjesë e mirë e librit i dedikohet çështjes së dytë, edhe pse qëllimi kryesor i librit ishte adresimi i çështjes së parë. Ky libër përmendet si libër i Ibën Tejmijjes prej disa autoriteteve, prej tyre, në mesin e shumë tjerëve, Es-Safedi në ‘El Uafi bil Uefejat’, Ibën Rexheb el Hanbeli, Ibën AbdulHadi (nxënës i Ibën Tejmijjes), madje Ibën Tejmijje vetë i bën referencë librit në shumë prej shkrimeve tjera të tij. Këtu do ta prezantojmë një shembull të tij, shumë të qartë, dhe disa pohime të sakta për këtë çështje.

Ibën Tejmijje ka shkruar (Es-Safedijjeh , 1/21):

“Dhe përmes kësaj kotësia e thënies së tyre për përjetësinë e universit bëhet e qartë, dhe sqarohet se çdo gjë përveç Allahut është e krijuar, ka ardhur në ekzistencë nga inekzistenca.”

Ai gjithashtu ka shkruar (1/14):

“Megjithatë, ajo me të cilën kanë folur librat (e shpallur) dhe pejgamberët është se Allahu është Krijuesi i çdo gjëje, dhe çdo gjë që ekziston përveç Allahut, duke përfshirë këtu universin, engjëjt dhe çdo gjë tjetër, janë të gjitha të krijuara (mahluk), të filluara (muhdeth), që kanë ardhur në ekzistencë nga inekzistenca, pra të paraprira nga inekzistenca e tyre. Dhe nuk ka diçka prezent në alem (krijesat e Tij) përveç Allahut që është e përjetshme bashkë me përjetësinë e Tij, as universi, as engjëjt – pa marrë parasysh se a quhen intelekt, shpirt apo jo.”

Dhe gjithashtu (1/71):

“Dhe ne duhet ta sqarojmë kotësinë e provave të tyre për përjetësinë e universit sipas interpretimit tjetër…”

Dhe gjithashtu (1/79):

“Dhe kjo është provë madhështore për fillimin e çdo gjëje përveç Allahut, absolutisht, dhe ndërtohet mbi parime bazike të sakta të cilat njihen/pranohen nga filozofët dhe të tjerë përveç tyre.”

Dhe gjithashtu (1/146-147):

“Dhe kjo zonë diskutimi është prej parimeve të mëdha në të cilën kanë ngecur prijësit e njerëzve të meditimit, filozofisë dhe kelamit. Kushdo që e ndjekë rrugën e lartë pejgamberike do ta dijë se arsyeja logjike pajtohet me tekstin e zbritur autentik (të saktë), dhe ai do të flasë në pajtueshmëri me atë që e kërkon arsyeja në këtë [çështje] dhe në atë [çështje], dhe ai do ta pohojë atë çfarë e kanë pohuar pejgamberët rreth krijimit të qiejve dhe tokës në gjashtë ditë, se Allahu është Krijuesi i çdo gjëje, Zoti i saj dhe Poseduesi, dhe se Ai kurrë nuk bëri diçka përveç Allahut të jetë e përjetshme bashkë me Të. Në fakt, çdo gjë përveç Tij është e filluar/krijuar, që ka ardhur në ekzistencë pasi nuk ka ekzistuar.”

Ky është vetëm një shembull i vogël i bollëkut nga ajo çfarë gjendet në këtë punë të madhe dhe refuzim të mrekullueshëm të filozofëve sekularë politeistë dhe qëndrimeve të tyre të pa baza të cilat e kundërshtojnë edhe logjikën e shëndoshë edhe shpalljen autentike. Sa i përket Ehlul Kelamit, kur ata u strehuan në gjuhën konceptuale dhe në veglat e vetë filozofëve në sajimin e argumentit të tyre (origjinën e trupave), në mënyrë që të ishin konsekuentë me argumentin e tyre, ata u detyruan të mohonin emrat e Allahut, atributet dhe veprat, deri në një masë. Megjithatë, ata të gjithë u bashkuan në mohimin e faktit që Allahu ka fjalë dhe vepër që lidhen me vullnetin dhe fuqinë e Tij. Me fjalë të tjera, (i mohuan) veprat e zgjedhura të Allahut (ef’al ihtijarijjeh). Për shkak të kësaj, në vend që të shfaqnin madhështinë e refuzimit i cili do të shkëlqente, ata nuk ishin në gjendje t’i refuzonin kënaqshëm filozofët ateistë.

Burimi: www.ibntaymiyyah.com

Artikulli: Ibn Taymiyyah, the Philosophers, the Mutakallimun and the Eternity of the Universe: Part 1

Kontrolloi: Lulzim Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva