Ju nuk e dini se cili është më i afërt për ju nga dobia
Allahu thotë: “Ju nuk e dini se cili është më i afërt për ju nga dobia: prindërit tuaj apo fëmijët tuaj.” Nisa 11. Ky parim na bën të ndalemi përballë madhështisë e urtësisë së madhe të Allahut në legjislacionet e Tij, ndërsa mendja jonë është shumë e kufizuar, “juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”. Isra 85. Ky parim ka ardhur në kontekstin e ajeteve që flasin se si duhet të ndahet trashëgimia.
“dobia”- qoftë në aspektin e dunjasë apo në aspektin e fesë.
Dikush nga dijenia e tij e paktë mund të mendojë se dobia e prindit të tij për të është më e madhe, ndërsa realiteti është ndryshe: fëmija i tij është më i dobishëm për të sesa prindi, apo anasjelltas. Allahu do të na tregojë se Ai e di se çfarë është më e dobishme për ne dhe se na ka rregulluar në detaje çështjet, ashtu siç duhet, e këtu futet edhe ndarja e trashëgimisë. Sikur do të na thotë se nëse Ai do ta linte ndarjen e pasurisë sipas mendjeve tona të kufizuara, atëherë do të kishim dëm, sepse gjykimi i njeriut është i mangët dhe nuk e di se çfarë i përshtatet më shumë.
Ithtarët e injorancës para Islamit ndanin trashëgimin jo siç duhet. Nganjëherë kishin në konsideratë nevojën e prindërve e nganjëherë të fëmijëve. Pastaj erdhi Islami dhe secilit ia caktoi hisen e trashëgimisë dhe ndaloi mendimet dhe pikëpamjet e njerëzve se cila sipas tyre është e mirë e cila e dëmshme. Allahu e ka marrë Vetë përsipër ndarjen e trashëgimisë. Në fund të ajetit thotë: “Ky caktim është nga ana e Allahut. Pa dyshim Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” Nisa 11. Njerëzve u mbetet të aplikojnë këto ndarje të caktuara prej Allahut, të mos i shtrembërojnë e mangësojnë dhe të mos akuzohen si të padrejta, sepse vijnë prej Krijuesit, i Cili është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Në këtë ndarje nuk ka mangësi apo padrejtësi ndaj dikujt.
Ku aplikohet ky parim?
─ Disa prindër trashëgohen vetëm nga fëmijët vajza (nuk kanë djem) dhe ndihen keq, pastaj vjen ky ajet dhe derdh qetësi në zemrat e tyre dhe bën të pajtohen me këtë caktim të Allahut, me të cilin Ai do t’iu tregojë se vajzat që kanë, janë më të dobishme për ta sesa djemtë. Dikush ka shumë djem, megjithatë mbetet në fund pa përkujdesjen e tyre e pastaj kujdeset për të vajza e tij.
─ Dikush ka shumë vajza dhe ndihet keq e nuk është i kënaqur, madje ndoshta dhe kërcënon gruan e tij. I tilli duhet të sjellë ndërmend këtë parim madhështor. Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “I mjafton njeriut për ekspozim ndaj zemërimit të Allahut kur zemërohet me dhuratën që ia ka dhënë Ai.” Në këtë rast dhurata janë vajzat.” Personi që ka vetëm vajza duhet të sjellë ndërmend edhe hadhithet e shumta në të cilat thuhet se kush kujdeset për to siç është më së miri (në anën fizike dhe shpirtërore) dhe i edukon ato, do të jenë për të mburojë në Ditën e Gjykimit prej zjarrit të Xhehenemit. E pa dyshim kjo është vlerë e madhe dhe dhuratë prej Allahut. Personi duhet ta shohë çështjen prej këtij aspekti, e jo nga aspekti se është privuar prej fëmijëve djem. Ne nuk e dimë se ku është dobia, te cilët fëmijë, te vajzat apo te djemtë, kjo në këtë botë, ndërsa në botën tjetër çështja është më madhështore. Abdullah ibn Abbasi radijAllahu anhu ka thënë: “Ata prindër dhe fëmijë që kanë më së shumti devotshmëri do të jenë në gradën më të lartë në Ditën e Gjykimit. Allahu ua mundëson besimtarëve të ndërmjetësojnë për njëri-tjetrin. Nëse prindi ndodh të jetë në shkallë më lartë në xhenet se fëmija i tij, Allahu ia mundëson që edhe fëmija i tij të ngritët në atë shkallë që të jetë së bashku me prindin në xhenet, dhe anasjelltas.”
─Dikush ka fëmijë me të meta fizike apo mendore. Ai le të kujtojë ajetin: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” Bekare 216. Dikush mund të thotë se ku është e mira këtu? Njeriu nuk e di se ku është e mira, te fëmija i shëndoshë që ka apo tek ai me të meta. Sa e sa prindër janë sprovuar me fëmijë me aftësi të veçanta, por kjo u ka hapur atyre dyert e lidhjes me Allahun, kanë ushqyer durimin e tyre dhe kanë shpresuar te ndihma e te shpërblimi i Tij. Kjo ka mirësi në këtë botë, e pastaj edhe në botën tjetër nëse duron dhe shpreson në shpërblimin e Allahut. Ndodh që për shkak të këtij fëmije Allahu të të ngrehë në gradë të lartë në Xhenet, të cilën nuk mund ta arrije me punët e tua.
─Ne nuk e dimë se cila prej veprave tona është më e dobishme për ne në këtë botë dhe tjetrën. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë Bilalit: “Kam dëgjuar zhurmën e sandaleve të tua në xhenet. Më trego për punën tënde që ke bërë për të cilën më së shumti shpreson të shpërblehesh në ahiret.” Ai i ka thënë: “Sa herë që kam marrë abdes, natën apo ditën, kam falë dy rekate.” Bilali ka qenë prej të parëve që ka hyr në Islam, është torturuar, ka qenë muezin, ka marrë pjesë nëpër beteja, e megjithatë nuk i ka përmendur këto. Njeriu nuk e di se me cilën vepër arrin kënaqësinë e Allahut dhe xhenetin. Ka thënë selefi: “Ka mundësi që njeriu kryen punë të madhe, por nijeti që ka ia zvogëlon atë (nuk shpërblehet shumë). Ka mundësi që vepra është e vogël, por nijeti që ka ia bën të madhe atë.”
Hoxhë Petrit Perçuku
Transkriptim


