Këshilla të dobishme (28)

  • Gjendja e atyre që iu luten të vdekurve: Allahu i Lartësuar thotë:
 - Nëse ju u luteni atyre, ata nuk e dëgjojnë lutjen tuaj,

- por edhe sikur ta dëgjonin, nuk do t’ju përgjigjeshin.

- Ndërsa në Ditën e Kiametit, ata do ta mohojnë adhurimin që u bënit atyre. Fatir, 14.

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej shkaqeve që ndihmojnë në forcimin e besimit është kryerja e shumtë e veprave të mira, ku më të rëndësishmet janë ato të obliguarat, pastaj adhurimet vullnetare.” Nurun ala Ed-Derb, 12/16.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sëmundja e dijes është mendjemadhësia, ndërsa sëmundja e veprës është dyfaqësia.” Er-Reddu ala Esh-Shadhilij, 207.

 

  • Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shpeshtojeni kërkimin e faljes nga Allahu: në shtëpitë tuaja, në sofrat tuaja, në lagjet tuaja, në tregjet tuaja, në ndejat tuaja dhe kudo që të jeni sepse ju nuk e dini kur zbret mëshira e Tij.” Xham’iu El-Ulum, 344.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu duhet që posa t’i jepet mundësia për kryerjen e ndonjë adhurimi, ta kryejë sa më parë atë, në mënyrë që të mos ia mësojë vetes përtacinë dhe në mënyrë që Allahu i Madhërishëm të mos e lë prapa.” Esh-Sherh El-Mumti’, 5/90.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush ka mendim të mirë për veten, ai është njeriu që më së paku e njeh veten.” Medarixh Es-Salikin, 1/189.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e zbaton urdhrin e Allahut dhe pastaj i ndodh ndonjë sprovë, pa dëshirën e tij, Ai e ndihmon ndaj saj; ndryshe nga ai që vet i ekspozohet sprovave.” Mexhmu’u El-Fetaua, 10/578.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “E vërteta është ajo për të cilën tregon argumenti (Kurani dhe Suneti) e jo në atë që e veprojnë njerëzit.” Mexhmu’u El-Fetaua, 7/367.

 

  • Mejmun ibn Mehran (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vërtetë, veprat tuaja janë të pakta, andaj, jini të sinqertë në to.” Hiljetu El-Evlija’, 4/92.

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Prej gjërave që më së shumti e shpëtojnë njeriun nga zjarri i Xhehenemit është bamirësia ndaj krijesave me pasuri e me fjalë.” Behxhetu Kulub El-Ebrar, 44.

 

  • Ebu Asim (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Kur e kam kuptuar se përgojimi i dëmton ata që përgojojnë, më kurrë se kam përgojuar askënd.” Et-Teubihu ue Et-Tenbih, Ebu Esh-Shejh El-Asbehanij, 83.

 

  • Dikush i tha Hasen El-Basriut (Allahu e mëshiroftë): “Filani të ka përgojuar!” Kur e dëgjoi këtë, ia dërgoi një pjatë me hurma dhe i tha: “Më ke dhuruar disa prej veprave tua të mira, andaj desha të ta kthej këtë të mirë.” Fejd El-Kadir, El-Munauij, 3/166.

 

  • Mutarrif ibn Abdullah (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sikur të peshohej shpresa dhe frika e besimtarit, asnjëra nuk do të vinte më rëndë se tjetra.” Hiljetu El-Evlija, 2/208.

 

  • Ibn El-Haxhxh El-Malikij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kundërshtimi i Sunetit nuk sjell të mira. E tërë e mira është në pasimin e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) si në çështjet e vogla, ashtu edhe në ato të mëdha.” El-Med’hal, 2/218.

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Adhurimi i idhujve dhe adhurimi i varreve, që të dyja janë adhurim ndaj shejtanit.” Sherh Fet’h El-Mexhid.

 

  • Jusuf ibn Esbat (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu nuk e pranon veprën në të cilën ka dyfaqësi qoftë edhe sa thërrmija.” Hiljetu El-Evlija’, 8/240.

 

  • Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse e fal e namazin, risku do të të vije prej nga nuk e llogarit fare.” Tefsir ibn Kethir, 5/327.

 

  • Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Përmbajtja e gjymtyrëve nga haramet është më mirë sesa kryerja e një haxhi vullnetar apo një adhurimi tjetër; madje ajo është më e rëndë për shpirtin.” Letaif El-Me’arif, 251.

 

  • Enesi (radijAllahu anhu) tregon: “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ishte njeriu më i mëshirshëm ndaj fëmijëve dhe ndaj anëtarëve të familjes.” Es-Sahiha, 2089.

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk shihni se si Allahu jua ka bërë të mundur t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ju ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme?” (Lukman, 20). Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shpjegon: Domethënë: ju ka përfshirë e mbuluar me dhuntitë e Tij të shumta, të dukshme e të padukshme, disa prej të cilave i dimë e disa jo. Begati në jetes, në fe, në arritjen e të mirave, në largimin e dëmeve. Andaj, detyra juaj është t’i jeni mirënjohës për këto begati, duke e dashur Begatuesin, duke iu nënshtruar Atij, duke u ndihmuar me to në punë të mira dhe duke mos e shfrytëzuar asnjë prej tyre në bërjen e mëkateve.” (Tefsir Es-Si’dij, 593)

 

  • Jusuf ibn Esbat (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Zemrat u krijuan si vende për ta përkujtuar Allahun, mirëpo u bën vende ku mblidhen epshet.” (Sijer A’lam En-Nubela’, 9/170).

 

  • Ibn Aun (Allahun e mëshiroftë) thotë: “Kur epshi e mund zemrën, njeriu e sheh si të mirë atë që më herët e shihte si të shëmtuar.” (El-Inabetu Es-Sugra’, 231)

Përktheu: Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit