Këshilla të dobishme (30)

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Besimtari, i cili beson vërtetë në zjarr të Xhehenemit, sikur të ishte duke e parë, nuk shkon rrugës që e shpie drejt tij.” (Igathetu El-Lehfan, 2/133) =

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush kapet fort për këtë fe të vërtetë, do të jetë ngadhënjimtar dhe i lartë. Ndërsa, kush e kërkon krenarinë e fuqinë diku tjetër, ai vetëm se e ka kërkuar poshtërimin.” (Sherh El-Uasitijje) =

 

  • Ibn Kudameh (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ndodh që moralet e mira të përfitohen nga shoqërimi me njerëzit e mirë, sepse natyra e njeriut është hajn që e vjedh të mirën dhe të keqen.” (Muhtesar Minhaxh El-Kasidin, 153).

 

  • Ebu Ed-Derda’ (radijAllahu anhu) thoshte: “Unë i dua tri gjëra, ndërkohë që njerëzit i urrejnë ato:
  1. Varfërinë
  2. Vdekjen
  3. Sëmundjen

– Varfërinë e dua si shenjë modestie ndaj Zotit tim

– Vdekjen e dua ngaqë jam përmalluar për takimin me Të

– Sëmundjen e dua ngaqë mi fshin mëkatet.” (Sijer A’lam En-Nubela’).

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Adhurimi ndaj Allahut dhe kërkimi i ndihmës prej Tij janë rrugë që të shpien drejt lumturisë së përhershme dhe që të shpëtojnë nga të gjitha të këqijat.” (Tejsir El-Kerim Er-Rahman, 28).

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) lutej: “O Allah! Më mbroj nga e keqja e asaj që kam vepruar dhe nga e keqja e asaj që ende nuk e kam vepruar!” (Muslimi). =

 

  • Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Fjala e Allahut: “Pastaj, atë Ditë, do të pyeteni për kënaqësitë (e kësaj bote)!” (Et-Tekathur, 8) tregon se njerëzit do të pyeten në Ditën e Kiametit për begatitë e kësaj bote dhe se a e kanë falënderuar Allahu ashtu siç kërkohet apo jo?” (Mexhmu’u Er-Rasail, 4/401) =

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Ruajini betimet tuaja!” (El-Maideh, 89)

“Ruajtja e betimeve e përmendur në këtë ajet i ka tri kuptime të sakta:

  1. Mos i shpeshtoni betimet
  2. Kur të betoheni, mos e thyeni betimin
  3. Nëse betoheni dhe e thyeni betimin, mos e lini shlyerjen e tij.”

(Imam Uthejmini) =

 

  • Nëse e braktisë namazin, atëherë dije se lumturia, rehatia dhe bereqeti e kanë braktisur jetën tënde!

 

  • Thuaj: “Unë i trembem vërtet dënimit të Ditës së madhe, nëse nuk i bindem Zotit tim!” (Ez-Zumer, 13)

– Kujtoja zemrës tënde këtë ajet, kur ajo dobësohet përballë epshit!

– Kujtoja vetes këtë ajet kur ajo të thërret drejt mëkatit!

– Përsërite në vete kur të vijnë mendime të këqija!

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Prej gjërave që pengojnë nga meditimi i Kuranit është edhe muzika. Muzika e huton zemrën, e pengon nga kuptimi e meditimi i Kuranit dhe nga veprimi me atë që gjendet në të. Së këtejmi, Kurani dhe muzika asnjëherë nuk bëhen bashkë në një zemër, për shkak të kundërshtimit që e kanë mes vete. Kurani ndalon nga pasimi i dëshirave dhe e urdhëron dëlirësinë e largimin nga epshet, ndërsa muzika e urdhëron të kundërtën e këtyre, i hijeshon ato dhe i josh shpirtrat drejt epsheve. Kështu, ajo i nxit e i nxjerr në shesh epshet e groposura të shpirtit dhe e lëviz atë drejt çdo të shëmtuare.” (Igathetu El-Lehfan, 1/248) =

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Vërtetë, lutja të mbron nga ajo që të ka goditur dhe nga ajo që ende nuk të ka goditur, andaj, o robër të Allahut, shpeshtojini lutjet drejtuar Atij!” (El-Feuakih Esh-Shehijje, 35)

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Çdo fatkeqësi që nuk e godet fenë është e lehtë dhe realisht është begati për njeriun. Fatkeqësia e vërtetë është ajo që e godet fenë e njeriut.” (Medarixh Es-Salikin, 2/322)

 

  • Uthman ibn Affan (radijAllahu anhu) thotë: “Kur përfundonte varrosja e ndonjë të vdekuri, i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ndalej tek varri i tij dhe thoshte: “Kërkoni falje për vëllanë tuaj dhe lutuni që Allahu ta forcoj atë, sepse ai tani po merret në pyetje!” (Ebu Davud, 3221) =

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Shirku, rrena, dyfaqësia janë një pemë në zemër, ku frutat e saj në këtë botë janë: frika, brenga, pikëllimi, ngushtimi i gjoksit dhe errësira e zemrës. Ndërsa, frutat e saj në botën tjetër janë: Zekkumi (pema e Xhehenemit) dhe dënimi i përhershëm.” (El-Feuaid, 164) =

 

  • Bilal ibn Sa’d (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ndodh që njeriu të jetë i lumtur, mirëpo është duke u mashtruar, e ai se ndien këtë. Ai ha, pi dhe qesh, ndërkohë që në librin e Allahut është i shkruar se do të jetë lëndë ndezëse e zjarrit të Xhehenemit.” (Zeuaidu Ez-Zuhd, Abullah ibn Ahmed, 2320) =

 

  • Umer ibn Hattabi (radijAllahu anhu) thotë: “Jetën tonë më të mirë e kemi gjetur nëpërmjet durimit!” (Buhariu, 8/99)

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush jep lëmoshë gjysmë hurme nga fitimi hallall – dhe Allahu e pranon vetëm hallallin – Allahu e merr atë me Dorën e Tij të djathtë, pastaj kujdeset për të dhe e rrit atë për dhënësin e saj, ashtu siç ndonjëri prej jush kujdeset dhe e rrit mëzin e vet, derisa ajo (lëmosha) të bëhet sa mali.” (Buhariu dhe Muslimi).

Përktheu hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit