Këshilla të dobishme (31)

  • Bekr ibn Abdullah (Allahu e mëshiroftë) thotë: “O njeri! Nëse dëshiron të dish vlerën e asaj me të cilën të ka begatuar Allahu, atëherë vetëm mbylli sytë për një çast!” (Uddetu Es-Sabirin, 240)

 

  • Loja me fetuatë e dijetarëve

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sa të shumtë janë ata që e bëjnë këtë! Shkon tek një dijetar për ta pyetur, mirëpo, nëse përgjigjja e tij nuk përputhet me atë që e lakmon thotë: “Do të shkoj tek tjetri!” (El-Lika’ Esh-Shehrij, 2)

 

  • Një njeri i tha Hasen El-Basriut (Allahu e mëshiroftë): “Me kë ta martoj vajzën time?” Ai i tha: “Me atë që i frikohet Allahut; sepse nëse ai e do atë, e nderon. E nëse e urren, nuk i bën padrejtësi!” (Muhtesar Minhaxh El-Kasidin, 102)

 

  • Njëri nga brezat e parë të muslimanëve i shkroi një vëllait të tij besimtar: “Nëse Allahu është me ty, prej kujt frikohesh? Nëse Ai është kundër teje, tek kush do t’i varësh shpresat?” (Xhami’u El-Ulum, 1/471)

 

  • Ummu Ed-Derda’ (radijAllahu anha) tregon: “Një natë prej netësh, Ebu Ed-Derda’ (radijAllahu anhu) e kaloi duke u falur. Ai qante dhe lutej: “O Allah! Ti më dhe formë të bukur, andaj më jep edhe moral të bukur!” Kështu vazhdoi derisa hyri koha e sabahut. Unë i thash: “O Ebu Ed-Derda’, përse tërë lutja jote sonte ishte vetëm për moralin e mirë?!” Ai ma ktheu: “Oj Ummu Ed-Derda’! Vërtetë robi musliman vazhdon ta përmirësojë moralin e tij, derisa morali i tij i mirë e fut në Xhenet; dhe ai vazhdon ta prishë moralin e tij derisa morali i tij i keq e fut në zjarr.” (Ez-Zuhd, imam Ahmedi, 264)

 

  • Ebu Hazim (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse e do një vëlla besimtar për hir të Allahut, atëherë pakësoji ndërhyrjet në jetën e tij të kësaj bote!” (Hiljetu El-Evlija’, 3/281)

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “T’i ndihmoj një vëllai tim besimtar në ndonjë nevojë të tij është më dashur për mua sesa të bëjë itikaf në këtë xhami – xhaminë e tij në Medine – një muaj.” (Es-Sahiha, 906)

 

  • “Nëse e vëren se Allahu të privon nga gjërat e kësaj bote dhe t’i shpeshton vështirësitë, atëherë dije se ti ke vlerë të madhe tek Ai.”

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur besimi zë vend në zemër, e nxit njeriun të bëjë vepra të mira. Mirëpo, ndodh që vetëm vepra e jashtme të mos e nxis atë drejt përmirësimit të zemrës së tij. Andaj, ne duhet të kujdesemi për zemrat tona dhe për veprat e zemrave, besimet e drejtimet e tyre; ne duhet t’i përmirësojmë e t’i pastrojmë ato nga njollat e shirkut, të bidateve, të urrejtjes ndaj të tjerëve, zilisë, pastaj urrejtjes ndaj asaj që Allahu ia zbriti të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), urrejtjes së sahabëve (radijAllahu anhum), si dhe gjëra tjera të kësaj natyre, prej të cilave zemra duhet të pastrohet.” (Tefsiru xhuz’i Amme, 154)

 

  • Ibn Xhuezij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Besimtari duhet të dijë se Allahu i patëmeta është Sundimtar shumë i Urtë dhe nuk vepron kot. Kjo dije doemos e largon revoltën ndaj caktimit të Tij.” (Sajd El-Hatir, 496)

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Shenja më madhështore e besimit është dashuria ndaj të mirës, lakmia në të dhe gëzimi kur e kryen atë.” (Behxhetu Kulubi El-Ebrar, 272)

 

  • I Dërguari (sal-lAllau alejhi ue sel-lem) thotë: “Katër gjëra janë pjesë e lumturisë:
  1. Gruaja e devotshme
  2. Shtëpia e gjerë (e mjaftueshme)
  3. Fqinji i mirë dhe
  4. Mjeti i rehatshëm i udhëtimit

Dhe katër gjëra janë pjesë e jolumturisë:

  1. Fqinji i keq
  2. Gruaja e keqe (jo e devotshme)
  3. Shtëpia e ngushtë dhe
  4. Mjeti i keq i udhëtimit.”

(Es-Sahiha, 282)

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Bëhu prej bijve të botës tjetër, e jo prej bijve të kësaj bote, sepse fëmija shkon me nënën e vet!” (El-Feuaid, 395)

 

  • Alij ibn Ebi Talib (radijAllahu anhu) thotë: “Shoku nuk konsiderohet shok i vërtetë derisa ta ruajë shokun e tij kur ai nuk është prezent dhe po ashtu pasi që të vdesë.” (Behxhetu El-Mexhalis, 147)

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Kur e Allahu e nderon njeriun, e angazhon me bindje ndaj Tij.” (Sherh Et-Tahauijje, 11).

 

Përktheu hoxhë Petrit Perçuku.

Madhësia e tekstit