Këshilla të dobishme 53

 

  • Imam Katade (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pasha Allahun, unë kam vërejtur se njeriu shoqërohet vetëm me ata njerëz që janë sikur ai. Andaj, shoqërohuni me robërit e mirë të Allahut, ndoshta do të jeni me ta apo sikur ta.” El-Ibaneh, 2/480.

 

  • Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nuk ka devotshmëri, veçse me kryerjen e veprave të mira. Nuk ka vepër të mirë, veçse përmes dijes (fetare) dhe pasimit të Sunetit. E tërë kjo nuk bën dobi, veçse me sinqeritet ndaj Allahut.” Sijer A’lam En-Nubela’, 4/601.

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “A janë të barabartë ai që vazhdimisht e ka frikë Allahun e që shikon se çfarë ka përgatitur për të nesërmen (ditën e Gjykimit) dhe kështu i meriton Kopshtet (Xhenetet) e kënaqësisë e jetën e plotë së bashku me ata që Allahu i ka begatuar me shumë të mira: profetët, të vërtetët, dëshmorët dhe njerëzit e mirë, me atë që tregohet i pakujdesshëm ndaj përmendjes së Allahut e që i harron të drejtat e Tij, dhe kështu dështon në këtë botë dhe e meriton dënimin e jetës tjetër? Të parët janë fitimtarët, ndërsa të dytët janë të dështuarit.” Tefsir Es-Si’dij, 852.

 

  • Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu nuk përmirësohet përderisa nuk i lë gjërat që nuk i interesojnë e të angazhohet me gjërat që i interesojnë. E nëse bëhet kështu, atëherë pritet që së shpejti Allahu t’ia hapë zemrën.” Tertib El-Medarik, 1/209.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Prej ndëshkimeve për mëkatet është se ato e heqin bereqetin e jetës, të riskut, të dijes, të veprës dhe të bindjes ndaj Allahut. Përmbledhtas: mëkatet e largojnë bereqetin e fesë dhe të dunjasë. Nuk gjen njeri me bereqet më të paktë në jetën, fenë dhe dunjanë e tij, sesa ai që e kundërshton Allahun; dhe nuk është larguar bereqeti nga toka, veçse për shkak të mëkateve të njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur banorët e qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” (El-A’raf, 96). Ed-Da’u ue Ed-Deua’, 84.

 

  • Imam Sufjan Eth-Theurij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse i frikohesh Allahut, Ai të mbron nga njerëzit. E nëse iu frikohesh njerëzve, ata s’mund të të mbrojnë aspak nga Allahu!” El-Feuaid, 1/54.

 

  • “Shoku i cili të thërret të shikoni bashkë një serial, apo të dëgjoni ndonjë këngë, apo të përgojoni dikë, ai nuk është shok. Mendo thellë rreth këtyre ajeteve: “Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” (El-Furkan, 28-29).

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vetia dalluese midis besimtarit dhe munafikut është vërtetësia.” Mexhmu’u El-Fetaua, 20/75.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Injoranca është sëmundje që i shkakton dhimbje zemrës.” Igathetu El-Lehfan, 1/19.

 

  • “Prej shenjave të lumturisë është t’i bindesh Allahut dhe të frikohesh se nuk do të pranohet. Ndërsa, prej shenjave të mjerimit është të jesh i pabindur ndaj Tij dhe të shpresosh se do të shpëtosh.” Hiljetu El-Evlija’, 10/246.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Begatitë janë tri llojesh: begatia e arritur të cilën njeriu e di, begatia e pritur të cilën e shpreson dhe begatia në të cilën ndodhet është e që nuk e ndien.” Feuaid El-Feuaid, 348.

 

  • Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nëse njeriut i plotësohet teuhidi e sinqeriteti ndaj Allahut dhe ai i zbaton të gjitha kushtet e tij (teuhidit) me zemër, gjuhë e gjymtyrë, atëherë patjetër se atij do t’i falen mëkatet e kaluara.” Xhami’u El-U’lum, 2/417.

 

  • Imam ibn AbdulBerr (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pse gjëra janë prej natyrës së injorantëve: zemërimi për asgjë, shpenzimi aty ku nuk duhet, lodhja e trupit në gjëra të kota, dallimi i dobët mes shokut dhe armikut dhe përhapja e fshehtësive të veta.” Behxhetu El-Mexhalis, 3/139. =

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kujt i është dhënë durimi e bindja, atë njeri Allahu e bën imam të fesë.” Mexhmu’u El-Fetaua, 6/215.

 

  • Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Disa prej brezave të parë të muslimanëve gjatë namazit kërkonin prej Allahut të gjitha nevojat e tyre të kësaj bote, madje edhe kripen për të përgatitur brumin dhe ushqimin për kafshët.” Xhami’u El-U’lum, 2/39.

 

  • Imam Ibrahim En-Neha’ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vërtetë, unë e shoh të keqen dhe asgjë nuk më pengon të flas çfarë kam parë, përveç frikës se mos sprovohem me atë të keqe.” Ez-Zuhd, imam Ueki’u.

 

  • Tregohet se imam Mesruk ibn Exhda’ (Allahu e mëshiroftë) vendoste një perde mes dhe tij dhe anëtarëve të familjes, pastaj i qasej namazit vullnetar dhe i linte ata në punët e tyre të kësaj bote.” Ez-Zuhd, imam Hennad, 2/584.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur njeriut i vjen vdekja, pendimi nuk pranohet. Unë i drejtohem çdo njeriu: “A e di se kur do të të vij vdekja?” Nuk e di. Atëherë, patjetër duhet të pendohesh sa më shpejt, sepse ti nuk e di se në ç’moment do të të vijë vdekja. Ka njeri që bie për të fjetur shëndosh e mirë, pastaj bartet nga shtrati i tij për te shtrati i larjes së xhenazeve. Ka njeri që është ulur në karrigen e punës, pastaj bartet te shtrati ku lahen xhenazet. Të gjitha këto janë realitet dhe shembujt e vdekjes së befasishme janë të shumta. Andaj, duhet të pendohemi sa më shpejt! E lusim Allahun të na ndihmojë për këtë! Shpejtoni drejt pendimit, para se të mbyllen dyert e tij!” Lika’ El-Bab El-Meftuh, 40.

 

  • Ambicia e lartë e imam ibn Asakirit (Allahu e mëshiroftë)- Ai e përfundonte leximin e Kuranit në çdo javë, i shpeshtonte adhurimet vullnetare dhe përmendjen e Allahut, e llogariste veten për çdo moment që i kalonte jo në bindje ndaj Allahut. Sijer A’lam En-Nubela’, 20/592.

 

  • Ibn Kajjimi(Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Dashuria e dobishme është tri llojesh: dashuria ndaj Allahut, dashuria për hir të Allahut dhe dashuria ndaj gjërave që ndihmojnë në bindjen ndaj Tij dhe në largimin nga mosbindjet. Po ashtu, dashuria e dëmshme është tri llojesh: dashuria së bashku me Allahun (të duash dikë ashtu siç duhet Allahu), dashuria ndaj gjërave që Allahu i urren dhe dashuria ndaj gjërave që e ndërpresin dashurinë e njeriut për Allahun apo e pakësojnë atë. Pra, këto janë gjashtë lloje rreth të cilave vërtitet dashuria e krijesave.” Igathetu El-Lehfan, 2/140.

 

  • Një njeri i mirë prej brezave të parë të muslimanëve e këshilloi djalin e tij: “O biri im! Mos u bëj prej atyre që shpresojnë në botën tjetër pa vepra të mira dhe që e vonojnë pendimin për shkak të shpresës së madhe.” Et-Teube, ibn Ebi Ed-Dunja, 28.

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Kush e humbet fenë, e humbet edhe jetën e kësaj bote.” Sherh Mesail El-Xhahilijje, 40.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Njeriu me dënimin më të rëndë në ditën e Kiametit është ai që i ka dënuar më së shumti njerëzit në këtë botë.” Es-Sahiha, 1442)

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mos u mbështet në zgjuarsinë tënde, e as në njohuritë e tua të shumta, por mbështetu gjithmonë vetëm në Allahun e Madhërishëm, që të të udhëzojë drejt të vërtetës, rreth së cilës njerëzit u përçanë.” Sherh Usul E-Tefsir, 287.

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.”(Al-Imran, 14). Imam ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) shpjegon: “Allahu filloi me përmendjen e grave, ngaqë sprova e tyre është më e rëndë. Ashtu siç saktësohet në një hadith, ku i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Nuk kam lënë pas vete sprovë më të dëmshme për burrat sesa gratë.” Tefsir ibn Kethir, 2/19.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Besimtari duhet të dijë se i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk ka lënë diçka që afron te Xheneti, veçse e ka treguar dhe nuk ka lënë diçka që largon nga Zjarri, veçse e ka treguar.” Mexhmu’u El-Fetaua, 11/594)

 

  • Sa’d ibn Ebi El-Uekkas (radijAllahu anhu) thotë: “Besimtari mund të ketë çdo cilësi në natyrën e vet, përveç tradhtisë dhe gënjeshtrës.” Ibn Ebi Shejbe, El-Iman, 81.

 

  • Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kushdo që shpikë diçka dhe ia atribuon fesë, ndërkohë që ajo gjë e shpikur nuk ka bazë në fe tek e cila do të kthehej, atëherë ajo është devijim (humbje) dhe feja është e pastër prej saj.” Xhami’u El-Ulum ue El-Hikem, 2/128.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ne e kemi për detyrë që vazhdimisht t’i kontrollojmë zemrat tona dhe të shikojmë se a janë të sëmura apo të shëndosha, se a kanë filluar të prishen apo janë të pastra. Nëse vazhdimisht e pastron zemrën në raport me Allahun dhe me krijesat, do të arrish të mira të shumta. Në të kundërtën, do të të kaplojë shkujdesja dhe do ta humbësh lidhjen me Allahun, e në këtë rast, do ta kesh shumë të vështirë të kthehesh aty ku ishe me parë. Andaj, vazhdimisht kontrolloje zemrën, ngaqë ndodh që në të ka sëmundje të dyshimeve apo të epsheve. Çdo sëmundje ka edhe ilaçin, falënderimi qoftë për Allahun! Kurani është shërim për dyshimet dhe epshet. Inkurajimi për Xhenet dhe kërcënimi me zjarr të Xhehenemit janë ilaç për epshet. Po ashtu, nëse frikohesh se do të anosh drejt kënaqësive epshore të kësaj bote, kujtoji kënaqësitë e botës tjetër!” Esh-Sherh El-Mumti’, 4/22.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kushdo që i kthehet të vërtetës, i shtohet pozita tek Allahu, pastaj tek krijesat.” Ek-Kaul El-Mufid, 1/385).

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit