Këshillë drejtuar të gjithë myslimanëve-2

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)[1]

Prandaj, o ju myslimanë, dijeni se jeni nën Mbikëqyrjen e Allahut të Patëmeta dhe ngutuni që sa më parë të jeni të devotshëm në çdo gjendje. Llogaritni veten në të gjitha fjalët, në veprat dhe në qëndrimet (sjelljet) tuaja. Kështu, çdo gjë prej tyre që lejohet në fe, s’ka gajle në të vepruarit e saj, e çdo gjë (prej tyre) që s’lejohet, kini kujdes prej saj. Edhe pse (haramet) janë shumë të lakmueshme, shpërblimi tek Allahu është më i mirë dhe i amshuar. E, kush braktis diç për hir të Allahut, Ai ia zëvendëson me një më të mirë. Nëse robërit e dinë se janë nën Mbikëqyrjen e Allahut dhe i frikohen Atij, duke kryer urdhrat dhe duke braktisur ndalimet, Allahu i Lartësuar ua jep ato që rezultojnë prej frikës ndaj Tij, siç janë: krenaria, suksesi, risku i bollshëm, rrugëdalja nga vështirësitë si dhe lumturia e shpëtimi në dynja dhe në Ahiret.

Për askënd që posedon mendje dhe sadopak dituri nuk është e panjohur ajo që i ka goditur shumicën e myslimanëve prej ngurtësisë së zemrave, shkujdesjes ndaj Ahiretit, braktisjes së shkaqeve të shpëtimit, dhënies pas kësaj bote dhe mënyrave të arritjes së saj me çdo kusht e me grykësi, pa dalluar mes hallallit dhe haramit; gjithashtu, fundosja e shumicës së tyre në epshe dhe në lloje të ndryshme të kotësisë e shpërfilljes. E tërë kjo për shkak të shmangies së zemrave nga Ahireti dhe shkujdesjes së tyre ndaj përmendjes së Allahut, ndaj dashurisë ndaj Tij, ndaj meditimit rreth mirësive, begative dhe Shenjave të Tij, të dukshmeve e të fshehtave, si dhe papërgatitja për takimin me Allahun, moskujtimi i qëndrimit para Tij, dhe (moskujtimi i) zhvendosjes pas atij qëndrimi madhështor ose në Xhenet, ose në Zjarr.

Andaj, o myslimanë, rrini gati vetes dhe pendohuni (me kthim) tek Zoti juaj. Mësojeni fenë tuaj dhe shpejtoni në kryerjen e obligimeve. Largohuni nga haramet, në mënyrë që të triumfoni me krenari, me siguri, me udhëzim dhe me lumturi në dynja dhe në Ahiret.

Kini kujdes nga preokupimi me dynja dhe nga të dhënët e përparësisë asaj ndaj Ahiretit, sepse kjo është cilësi (shenjë) e jobesimtarëve dhe e hipokritëve, dhe prej shkaqeve më kryesore të ndëshkimit në këtë botë dhe në tjetrën. Siç thotë Allahu i Lartësuar në përshkrimin tyre:

“Vërtet që jobesimtarët e duan jetën e këtushme dhe nuk e përfillin një Ditë të vështirë që do t’u vjen” (76/27).

“Mos u josh (o Muhamed) nga pasuria dhe fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu kërkon t’i ndëshkojë ata në këtë jetë, në mënyrë që t’u dalë shpirti duke qenë jobesimtarë” (9/55).

Ndërsa ju nuk jeni krijuar për hir të kësaj bote, por për jetën e pastajme dhe jeni urdhëruar që të përgatiteni për të. Dynjaja është krijuar për ju, në mënyrë që të ndihmoheni përmes saj për adhurimin ndaj Allahut, i Cili ju krijoi, dhe që të përgatiteni për takimin me Të e kështu të meritoni mirësinë, nderimin dhe fqinjësinë e Tij në Kopshtet e kënaqësisë.

Është shëmti për të mençurin t’ia kthejë shpinën adhurimit të Krijuesit e Zotit të vet dhe (t’ia kthejë shpinën) asaj që ia ka përgatitur Ai prej nderimit (shpërblimit). (Është shëmti për të) që, në vend të këtyre, të angazhohet në nxitjen e epsheve të veta shtazarake dhe me grykësi (lakmi) për arritjen e ndonjë kënaqësie të kësaj bote kalimtare, kur (dihet se) Allahu ia ka siguruar atë që është më e mirë se ajo kënaqësi (e përkohshme) dhe me përfundim më të mirë në dynja dhe në Ahiret.

Le të ketë kujdes çdo mysliman nga të mashtruarit me shumicën e të thotë: “Njerëzit janë bërë kështu. Është bërë adet kështu. Dhe unë jam me ta”, sepse, vërtet, kjo (thënie) është fatkeqësia më e madhe, dhe shumica e popujve të shkuar janë shkatërruar për shkak të kësaj thënieje.

Mirëpo, o ti posedues i mendjes, duhet ta shikosh (kujdesesh për) veten, ta llogarisësh veten dhe të kapesh për të vërtetën, edhe nëse e braktisin njerëzit. Gjithashtu, duhet të kesh kujdes nga ajo që e ka ndaluar Allahu, edhe nëse e veprojnë njerëzit. Kështu, e vërteta është më primare që t’i shkohet mbas, siç thotë edhe Allahu i Lartësuar:

“Nëse i bindesh shumicës së njerëzve që gjenden në tokë, ata do të të shmangin nga rruga e Allahut” (6/116).

“Shumica e njerëzve, sado që të dëshirosh ti, nuk janë besimtarë” (12/103).

Thotë njëri ndër selefët (Allahu i mëshiroftë të gjithë):

“Mos u largo nga e vërteta, për shkak të numrit të pakët të atyre që e pasojnë atë, dhe mos u mashtro me të kotën, për shkak të numrit të madh të pasuesve të saj”.

Kam dëshirë ta përfundojë këtë këshillë timen me përmendjen e pesë çështjeve, të cilat janë përmbledhëset e mirësisë në tërësi…

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

__________________________________

[1] Marrë nga revista “El-Minhel”- për muajin Dhul-Ki’detu dhe Dhul-Hixh-xhetu, më 1371H (1952), pjesa12, faqe 411- 416 (islamspirit.com-Meusu’atu fetaua el-lexhneti uel-imamejn).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit