Krahasimet në Kur’an-1

Ndër to është fjala e Allahut:

“Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e krahason fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin.” (Ibrahim/24)

Allahu ka bërë krahasimin e fjalës së mirë me pemën e mirë, sepse fjala e mirë sjell si frut veprat e mira, ashtu sikurse që pema e mirë sjell fruta të dobishme.

Kjo vërehet qartë edhe në bazë të mendimit të shumicës së dijetarëve, të cilët thonë: “Fjala e mirë në këtë ajet është për qëllim dëshmia “La ilahe il-Allah, sepse ajo sjell si frut të gjitha veprat e mira të brendshme dhe të jashtme”. Pra çdo vepër që bëhet në kënaqësinë e Allahut është frut i kësaj fjale.

Kurse në tefsirin e Ali ibën Talhas transmetohet nga Ibën Abbasi të ketë thënë rreth këtij ajeti: “e cila rrënjën e ka të fortë në tokë” është fjala “la ilahe il-Allah” e cila është e ngulitur në zemrën e besimtarit. Kurse pjesa tjetër e ajetit: “Kurse degët nga qielli” dmth: me fjalën “La ilahe il-Allah” ngrihen në qiell veprat e besimtarit.

Rebi ibën Enesi thotë: “Fjala e mirë është sikurse imani, sepse imani është pema e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë që nuk lëkundet, e ajo është sinqeriteti, kurse degët nga qielli janë frika nga Allahu. Krahasimi i kësaj peme me fjalën “La ilahe il-Allah” është mendimi më i saktë, më i afërt dhe më i mirë, sepse Allahu ka krahasuar pemën e teuhidit, që është në zemrën e besimtarit,me pemën e mirë që ka rrënjë të forta dhe degë të drejtuara lart kah qielli, e cila jep fruta në çdo kohë”.

Nëse vështron me vëmendje këtë krahasim, do të vëresh se është në përputhje me pemën e teuhidit, e cila është e ngulitur në zemër, dhe degët e saj janë veprat e mira të drejtuara kah qielli. Ndërsa kjo pemë vazhdimisht jep fruta veprat e mira në çdo kohë, varësisht se sa fort është e ngulitur në zemër, sa e do zemra atë, sa është i sinqert në të, sa e njeh esencën e saj (ibadetin) dhe sa i kryen detyrat ndaj saj.

Pra ai që në zemrën e tij është ngulitur kjo fjalë me gjithë esencën e saj (Ibadetin), dhe zemra e tij është karakterizuar me të dhe është ngjyrosur me fenë e Allahut, që nuk ka fe më të mirë, atëherë ai do ta njeh esencën e kësaj fjale (ibadetin), duke besuar në Allahun me zemrën e tij, duke dëshmuar me gjuhën e tij dhe duke e vërtetuar me gjymtyrët e tij, dhe në anën tjetër duke mohuar esencën e kësaj fjale (ibadetin) ndaj çdokujt tjetër pos Allahut. Dhe nëse zemra e tij është në pajtim me gjuhën e tij, kurse gjymtyrët e tij i nënshtrohen dhe i binden Allahut dhe ecin rrugës së Tij, duke mos kërkuar rrugë tjetër, sikurse që nuk kërkojnë të adhuruar tjetër pos Tij, atëherë s’ka dyshim se kjo fjalë në këtë zemër dhe me
këtë gjuhë vazhdimisht do t’i jap frutat e saj, që janë veprat e mira të ngritura tek Allahu.

Kjo fjalë e mirë sjell shumë fruta saherë që shoqërohet me vepër të mirë, ndërsa vepra e mirë e ngritë lartë fjalën e mirë, sikurse thotë Allahu: “Tek Ai ngjitet fjala e mirë me vepër të mirë” (Fatir/10) Ku na njofton se vepra e mirë e ngritë fjalën e mirë, dhe po ashtu na njoftoi se fjala e mirë i sjell atij njeriu vepra të mira në çdo kohë.

Qëllimi është se nëse besimtari dëshmon me fjalën e teuhidit, duke e njohur kuptimin dhe esencën e saj (ibadetin), duke iu përgjigjur asaj me zemrën, gjuhën dhe gjymtyrët e tij, atëherë kjo fjalë sipas këtij krahasimi rrënjët i ka të ngulitura në zemrën e tij, ndërsa degët e saja janë të lidhura për qielli, të cilat japin frutat e tyre në çdo kohë…

Shkëputur nga libri: “El Emthalu fil Kur’ani”.

Autor: Ibën Kajim el Xheuzije

Përktheu: J.B.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit