Kujdes nga risitë në fe
Jemi të urdhëruar dhe kërkohet prej nesh të pasojmë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe mësimet e tij, ngase e kundërta e pasimit të tij dhe mësimeve të tij është bidati.
Bidat është çdo gjë e re e cila i veshët fesë, përmes së cilët kërkohet të adhurohet më tepër Allahu apo të rivalizohet feja e Tij, qoftë njëra apo tjetra. Është fjala për çështjet e fesë (jo të dunjasë: teknologjia etj.), p.sh.: adhurimi ndaj dikujt tjetër përveç Allahut, madhërimi i të vdekurve dhe të gjallëve, kërkimi prej tyre i gjërave të cilat kërkohen vetëm prej Allahut, therja e kubanit për dikë tjetër përveç Allahut, këto janë shirk dhe diçka e futur në fe, pa pasur bazë në të, nuk janë pjesë të fesë sonë, sepse misioni i Pejgamberit prej fillimit deri në fund ka qenë adhurimi i Allahut të Vetëm dhe të mos i bëhet shirk asgjë. Gjithashtu, dhikri nëpër vende të caktuara, me kor, namazi i sunetit me xhemat, ezani për faljen e Bajramit, janë risi në fe.
Bidatet janë të rrezikshme sepse përgënjeshtrojnë Allahun dhe atë që e ka thënë në Kuran: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” Maide 3. Kur dikush nis një bidat apo pason një bidat të nisur, sikur thotë me këtë se Allahu nuk e ka plotësuar fenë, se ajo është e mangët, se është e nevojshme që dikush pas vdekjes së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem të vijë të shtojë në fe, ta përforcojë apo plotësojë atë. Gjithashtu sepse përgënjeshtrojnë misionin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, se Allahu e ka plotësuar fenë, mirëpo kinse ai salAllahu alejhi ue selem nuk e ka plotësuar misionin dhe nuk e komunikuar tërë atë që ia ka thënë Allahu, andaj është e nevojshme që dikush të shtojë në këtë fe. Imam Maliku ka thënë: “Kush pretendon se ka risi të mirë në fenë tonë, pretendon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka tradhtuar misionin e tij.”
Bidatet të rrezikshme sepse te njerëzit shkaktohet huti e paqartësi dhe nuk e dinë se çfarë vërtetë është sunet e çfarë bidat, e ndoshta shumëkush që vepron bidate nuk e di se janë bidate (ato që vepron), por mendon se është duke e adhuruar Allahun (se është në rregull), nuk mendon kurrë se duhet të pendohet, ai mendon se është duke vepruar mirë.
Pasimi ndaj pejgamberit salAllahu alejhi ue selem është rrugë për tek Allahu, është lumturi në këtë botë dhe shpëtim në ahiret. Për t’u pranuar veprat tek Allahu, janë dy kushte që duhen realizohen: sinqeriteti dhe pasimi i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Dijetarët thonë: “Për t’i peshuar veprat e zemrës, peshoji me hadithin “Veprat vlerësohen sipas nijetit”, ndërsa veprat e gjymtyrëve peshoji me hadithin “Kush bën një vepër që nuk është në pajtim me sunetin tim është e refuzuar”.
Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim.