Kuptimi i emrit El-Hadij

 

(الهادي)

Allahu këtë emër e përmend në dy vende në Kuran:

a) Fjalët e Tij, qoftë i Lartësuar: “Nuk ka dyshim se Allahu është Udhërrëfyes (El-Hadij) i atyre që besojnë në rrugën e drejtë.” (El-Haxhxh, 54); dhe:

b) Fjalët e Tij: “Por ty të mjafton Zoti yt si Udhërrëfyes (El-Hadij) dhe ndihmës!” (El-Furkan, 31)

“El-Hadij” është Ai i Cili i udhëzon, orienton dhe drejton robërit e Tij drejt asaj në të cilën është lumturia e tyre në këtë botë dhe botën tjetër. Është Ai me udhëzimin e të Cilit janë udhëzuar miqtë (të dashurit) e Tij drejtë bindjes/adhurimit dhe kënaqësisë së Tij. Është Ai me udhëzimin e të Cilit udhëzohen madje edhe kafshët drejt asaj që u bën dobi dhe të ruhen nga ajo që i dëmton.

Pra, Allahu është Ai i Cili i krijoi krijesat dhe pastaj i udhëzoi ato: “(Ai) që ka krijuar gjithçka dhe e ka përpjestuar drejt; që ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën.” (El-A’la, 2 – 3). Kështu, Ai i udhëzoi ato drejt dobive të tyre me udhëzimin e përgjithshëm dhe i bëri të përshtatshme për atë që janë krijuar. Po ashtu, i udhëzoi me udhëzimin e sqarimit; kështu i zbriti Librat, i dërgoi të Dërguarit, i ligjësoi ligjet dhe dispozitat, hallallin dhe haramin, i sqaroi bazat/parimet dhe degët e fesë, sqaroi dhe udhëzoi drejt rrugës së drejtë e cila të dërgon tek kënaqësia dhe shpërblimi i Tij, i bëri të qarta rrugët e tjera në mënyrë që robërit të kenë kujdes prej tyre, i udhëzoi robërit e Tij besimtarë me udhëzimin e inspirimit drejt imanit dhe bindjes/adhurimit ndaj Tij, si dhe do t’i udhëzojë ata drejt banesave të tyre në Xhenet, ashtu siç i udhëzoi në këtë botë për ndjekjen e shkaqeve dhe shtigjeve të cilat dërgojnë në të (Xhenet). Pra, Fjalët e Tij: “që ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën”, i përfshinë të gjitha këto lloje të udhëzimit.

Ibën Atije në Tefsirin e tij[1] thotë: “Fjalët e Tij: “dhe ia ka rrëfyer rrugën”, janë gjithëpërfshirëse për të gjitha udhëzimet që kanë të bëjnë me njerëzit dhe kafshët. Disa komentues të Kuranit i kanë veçuar vetëm disa prej udhëzimeve. Ferrau thotë: “Domethënia e saj është: ia ka rrëfyer rrugën (disave) dhe i ka devijuar (disa tjerë). Kështu, Allahu u mjaftua me përmendjen e njërës, ngase ajo aludon në tjetrën.” Më tej thotë: “Mukatili dhe Kelbiu kanë thënë: “I orientoi kafshët se si meshkujt t’iu afrohen femrave. Gjithashtu është thënë: “E orientoi të porsalindurin në çastet kur ai e vendos gojën për ta thithur gjirin.” Kurse, Muxhahidi ka thënë: “I udhëzoi njerëzit duke ua treguar se çfarë është e mirë dhe keqe, kurse kafshët i orientoi drejt kullosave.” Më tej shton: “Të gjitha këto thënie janë vetëm shembuj ilustrues. Kurse, më e sakta është se ajeti mbetet në përgjithësimin e tij për të gjitha paracaktimet dhe për të gjitha udhëzimet…”

Këtë përfundim të Ibën Atijes e forcon dhe përkrahë edhe Shejhul-Islam Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë. Ai thotë: “Thëniet e sakta (rreth komentimit të ajetit) janë vetëm nga aspekti i shembujve ilustrues, siç ka thënë Ibën Atije. Këtë e shohim shpesh në komentimet e selefëve. Ata e përmendin prej llojit vetëm një shembull, me qëllim që përmes tij ta tërheqin vërejtjen për llojet e tjera, apo për arsye se dëgjuesi kishte nevojë vetëm për njohjen e tij (llojit), apo për faktin se vetëm atë e dinin.”[2]

Këtu, do të ndalemi për t’i sqaruar llojet e udhëzimit të cilat i atribuohen Zotit të Patëmeta dhe të cilat i përfshinë emri i Tij El-Hadij, qoftë i Madhëruar.

1) Udhëzimi i përgjithshëm. Ky është udhëzim që i jepet çdo shpirti drejt dobive/interesave të jetesës dhe gjërave/mjeteve që e mbajnë atë në jetë. Dhe, ky është udhëzim që i përfshin të gjitha gjallesat, të ndërgjegjshmet dhe të pandërgjegjshmet, shpezët dhe kafshët, elokuentin dhe të belbëtin. Prej kësaj është edhe udhëzimi që Allahu ia jep kafshës drejt marrjes së gjirit të nënës së tij në çastet kur del nga barku i saj, ta njoh atë (nënën) në mesin e gjithë tjerave saqë e ndjek atë kudo që të shkojë, si dhe prej kullosave ta synojë vetëm atë që i bën dobi dhe jo atë që e dëmton. Prej saj është edhe udhëzimi i zogjve, egërsirave dhe shtazëve drejt veprave të çuditshme për të cilat njeriu tregohet i paaftë, siç është udhëzimi i bletëve për t’i ndjekur rrugët drejt kullosave të tyre – edhe pse ato (kullosat) qëndrojnë shumë larg njëra-tjetrës – pastaj kthimi i tyre nga distanca të largëta në shtëpitë e tyre në male, drurë dhe në kosheret që njerëzit i ngritin. Po ashtu, edhe udhëzimi i milingonës së vogël e cila del nga shtëpia e saj për ta kërkuar furnizimin (ushqimin) edhe nëse rruga deri te ai është e largët. E, nëse arrin ta gjejë atë, atëherë e mbartë duke e dërguar nëpër rrugë të shtrembëta me përpjeta dhe tatëpjeta, si dhe nëpër terrene të ashpra, derisa të mbërrijë në shtëpinë e saj ku edhe e deponon atë. Ky kapitull është i gjerë, mirëpo rreth tij mjaftojnë Fjalët e të Lartësuarit: Të gjitha kafshët në Tokë e të gjithë shpendët që fluturojnë me krahët e veta, janë në bashkësi të ngjashme me ju. Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë. Pastaj të gjithë do të tubohen para Zotit të tyre. Ata që i mohojnë shpalljet Tona janë shurdhë e memecë, janë në errësirë. Allahu shpie në humbje kë të dojë dhe udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë.” (El-En’am, 38 – 39)

2) Udhëzimi i drejtimit/orientimit dhe sqarimit për ata që janë në moshën madhore dhe të mençur (mukel-lef). Ky është argumenti i Allahut kundër krijesave të Tij, pa ngritjen e të cilit Ai nuk e ndëshkon asnjërin prej tyre. I Lartësuari thotë: “Që të mos thotë njeriu: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje, edhe jam tallur!” Ose të thotë: “Sikur Allahu të më kishte udhëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm.” (Ez-Zumer, 56 – 57); “Fisit Themud, Ne ia treguam rrugën e drejtë, por ai parapëlqeu verbërimin e jo rrugën e drejtë” (Fussilet, 17); “Allahu kurrë nuk e çon në humbje një popull që më parë e ka udhëzuar në rrugë të drejtë, pa ia bërë të njohur se prej çfarë duhet të ruhet.” (Et-Teube, 115). Pra, i ka udhëzuar ata me udhëzim të sqarimit (të së vërtetës) dhe orientimit, por ata nuk e deshën udhëzimin, kështu që për shkak se ata e braktisën udhëzimin, Ai i devijoi si ndëshkim për ta.

3) Udhëzimi i dhënies së suksesit, inspirimit dhe hapjes së gjoksit (zemrës) për pranimin e së vërtetës dhe të kënaqurit me të. I Lartësuari thotë: “Sa për atë, që Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë, pikërisht ai është i udhëzuari.” (El-Kehf, 17); “A është ai, që veprat e veta të këqija i duken të mira (si ai që është i udhëzuar në rrugën e drejtë)? Me të vërtetë, Allahu shpie në humbje kë të dojë dhe udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. Ti mos e shqetëso veten deri në shkatërrim për humbjen e tyre! Allahu është vërtet i Gjithëdijshëm për atë që bëjnë ata.” (Fatir, 8); “Ti (Muhamed) nuk e ke për detyrë t’i udhëzosh ata në rrugë të drejtë, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.” (El-Bekare, 272); “Sikur Ne të donim, do t’ia jepnim secilit udhëzimin e tij” (Es-Sexhde, 13); “Me të cilin (Kuranin) Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.” (El-Maide, 16).

Për këtë, Allahu i Patëmeta i urdhëron të gjithë robërit e Tij që ta lusin Atë çdo ditë dhe natë gjatë pesë kohëve të namazit për t’i udhëzuar në rrugën e drejtë. Në Sunet janë saktësuar/vërtetuar nga i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) lutje të shumta me të cilat ai e luste Allahun që t’i jepte udhëzim, forcim/stabilitet, përmirësim/devotshmëri, saktësi dhe sukses. Po ashtu, aty përmendet se ai shpesh e luste Allahun ta ruajë nga humbja/devijimi dhe lajthitja e zemrës. Kjo çështje është në Dorën e Tij, të Vetmit, qoftë i Lartësuar. Ai e udhëzon kë të dojë dhe e shpie në humbje kë të dojë: “Allahu shpie në humbje kë të dojë dhe udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë.” (El-En’am, 39)

4) Udhëzimi për në Xhenet dhe Xhehenem në Ditën e Kiametit. Sa i përket udhëzimit për në Xhenet, rreth tij na ka njoftuar Allahu, qoftë i Madhërishëm, i Cili tregon se banorët e Xhenetit në çastet kur u plotësohet mirësia duke hyrë në të do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu.” (El-A’raf, 43). Ndërsa, sa i përket udhëzimit për në Zjarr, Allahu i Patëmeta thotë: “(Engjëjve do t’u thuhet): “Mblidhini njerëzit e këqij, shokët e tyre (djaj) dhe idhujt që i kanë adhuruar krahas Allahut e tregojuni atyre rrugën e Zjarrit flakërues!” (Es-Saffat, 22 – 23).

Vërtetë, të menduarit rreth këtij emri madhështor dhe meditimi rreth aludimeve/kuptimeve të tij, ia zbulon robit nevojën dhe domosdoshmërinë e madhe që ka për Zotin e Tij në çdo gjendje dhe për të gjitha çështjet e kësaj bote dhe ato fetare – që Ai ta udhëzojë në gjërat/çështjet më të mira dhe ta ruajë nga lajthitja dhe devijimi.

Shejhul-Islam Ibën Tejmije thotë: “Pasi që robi është nevojtar për këtë udhëzim në çdo gjë që e vepron apo e lë pa e vepruar – prej çështjeve të cilat i ka vepruar në kundërshtim me udhëzimin, kështu që ka nevojë të pendohet nga to; apo çështjet në të cilat është udhëzuar drejt bazës/origjinës dhe jo detajeve/hollësirave të tyre, apo është udhëzuar vetëm në disa aspekte, kështu që është nevojtar t’i plotësohet udhëzimi, që t’i shtohet edhe më shumë ai; apo çështjet në të cilat është nevojtar që të arrijë prej udhëzimit në të ardhmen, ashtu siç është udhëzuar në të kaluarën; apo çështjet për të cilat zemra e tij është e zbrazur nga besimi/bindja, kështu që është nevojtar të udhëzohet drejt tyre; apo çështjet të cilat nuk i ka vepruar, kështu që është nevojtar për t’i kryer ato sipas rrugës në të cilën thërret udhëzimi; dhe të tjera prej llojeve të ndryshme të nevojave që ka ai për lloje të ndryshme të udhëzimeve – atëherë, Allahu ia bëri obligim që ta kërkojë nga Ai këtë udhëzim shumë herë gjatë ditës dhe natës në gjendjen më të vlefshme, e që është namazi. Aty (në suren El-Fatiha) Allahu e ka bërë të qartë se ithtarët e kësaj mirësie (udhëzimit) janë ndryshe nga ata të cilët e kanë shkaktuar zemërimin e Allahut, e që janë hebrenjtë, dhe nga të humburit, e që janë të krishterët.”[3]

O Allah! Udhëzona drejt Teje në rrugën e drejtë, Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi, e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!

Shkëputur nga “Fikh El-Esma El-Husna” (Kuptimi i emrave të bukur të Allahu) i Shejh Abdurrezak bin Abdulmuhsin El-Bedr

Përktheu: Lulzim Perçuku


[1]El-Muharrer El-Uexhiz fi Tefsir El-Kitabil-Aziz” (8/590 – 591).

[2]El-Fetaua” (16/147).

[3]Bejanud-Delil Ala Butlanit-Tahlil”, fq. 5.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva