Kuptimi i emrit Es-Samedu

(الصمد)

Shejh Abdurrezak bin Abdulmuhsin El-Bedr (Allahu e ruajt!)

Ky emër (i Allahut) është përmendur në suren El-Ihlas: “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Es-Samedu (Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim). Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (El-Ihlas, 1 – 4). I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) na ka njoftuar se kjo sure është ekuivalente me një të tretën e Kuranit. Transmetohet në Sahih-un e Buhariut, me nr. 4727, nga Ebu Seid El-Hudriu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se një ditë i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i pyeti shokët e tij (në formë qortuese): “Si ka mundësi që ndonjëri prej jush të tregohet i paaftë për ta lexuar një të tretën e Kuranit gjatë natës?!” Kjo gjë iu erdhi rëndë atyre, prandaj thanë: “Cili prej nesh mund ta përballojë këtë o i Dërguari i Allahut?!” Ai u përgjigj: “Allahu El-Uahidu (Uniku),Es-Samedu është ekuivalente me një të tretën e Kuranit.”

“Es-Samedu” domethënë: Zotëria Madhështor i cili e ka arritur përsosurinë në dijen, urtësinë, butësinë, forcën, fuqinë, madhështinë dhe të gjitha cilësitë e Tij. Pra, Ai është i Gjerë dhe Madhështor në cilësitë e Tij. Ai është tek i Cili drejtohen të gjitha krijesat dhe të Cilin e synojnë të gjitha gjallesat, pa përjashtim, për të gjitha çështjet e tyre. Ata nuk kanë Zot tjetër përveç Tij, si dhe nuk kanë tjetër të cilin e synojnë dhe tek i cili kërkojnë strehim për përmirësimin e çështjeve të kësaj bote dhe të botës tjetër – përveç Tij. Atë e synojnë gjatë fatkeqësive dhe shqetësimeve, Atij i përgjërohen kur goditen me vuajtje/mundime dhe brenga, dhe vetëm prej Tij kërkojnë ndihmë/shpëtim kur preken nga vështirësitë dhe ngushticat (financiare). Sepse, ata dinë se tek Ai është plotësimi i nevojave të tyre dhe largimi i vuajtjeve të tyre, për shkak të përsosurisë së dijes së Tij, gjerësisë së mëshirës, butësisë dhe dhembshurisë së Tij dhe madhështisë së forcës, fuqisë dhe pushtetit të Tij.

Transmeton Ibën Xherir Et-Taberiju në Tefsir-in e tij [1] se Abdullah bin Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: “Es-Samed është Zotëria i Cili e ka arritur përsosurinë në zotërimin e Tij. I Lartësuari i Cili e ka arritur përsosurinë në lartësimin e Tij. Madhështori i Cili e ka arritur përsosurinë në madhështinë e Tij. I Buti i Cili e ka arritur përsosurinë në butësinë e Tij. I Vetëmjaftueshmi i Cili e ka arritur përsosurinë vetëmjaftueshmërinë e Tij. Mbizotëruesi i Cili e ka arritur përsosurinë në mbizotërimin e Tij. I Dijshmi i Cili e ka arritur përsosurinë në dijen e Tij. I Urti i Cili e ka arritur përsosurinë në urtësinë e tij. Ai është i Cili e ka arritur përsosurinë në të gjitha llojet e lartësimit dhe zotërimit. E, ky është Allahu, qoftë i Lartësuar, prandaj kjo cilësi nuk i takon askujt tjetër përveç Tij.”

Nga këto fjalë përfitojmë se ky emër madhështor bën pjesë te ata emra të bukur të Allahut të cilët aludojnë në një numër cilësish dhe jo vetëm për ndonjë domethënie të vetme.

Ibnul-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Es-Samed është Zotëria i Cili e ka arritur përsosurinë në zotërimin e Tij. Për këtë arsye, me këtë emër arabët i quanin aristokratët e tyre, ngase i emërtuari me të kishte shumë cilësi të lavdëruara. Njëri nga poetët arabë shënon:

Sikur të shpejtonte lajmëtari
Për të lajmëruar vdekjen
E dy më të mirëve të fisit Benu Esed
Të Amër bin Mesudit dhe
Të zotërisë i cili është es-samed

Es-Samed është Ai, tek i Cili drejtohen zemrat me shpresë dhe frikë, për shkak të atributeve të shumta të mira dhe cilësive të lavdëruara që i përkasin. Për këtë, shumica dërmuese e dijetarëve të selefit, e prej tyre edhe Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kanë thënë: “Es-Samed është Ai i Cili e ka arritur përsosurinë në zotërimin e Tij. Ai është i Dijshmi i Cili e ka arritur përsosurinë në dijen e Tij. Ai është i Fuqishmi i Cili e ka arritur përsosurinë në fuqinë e Tij. I Urti i Cili e ka arritur përsosurinë në urtësinë e Tij. I Mëshirshmi i Cili e ka arritur përsosurinë në mëshirën e Tij. Bujari i Cili e ka arritur përsosurinë në bujarinë e Tij.”[2]

Ai po ashtu, Allahu e mëshiroftë, e sqaron se prejardhja e kësaj fjale aludon në atë që u tha më lartë; sepse ajo tregon: bashkim dhe synim. Pra, (es-samed) është ai tek i cili bashkohen/takohen synimet e të gjithëve dhe në të cilin janë mbledhur cilësitë e zotërimit. Kjo është rrënja e kësaj fjale. Kurse, arabët i quanin aristokratët e tyre me këtë emër (es-samed), për arsye se tek ata takoheshin synimet e të tjerëve dhe mblidheshin të gjitha cilësitë e zotërimit.[3]

Për këtë arsye, shprehjet e selefëve në interpretimin e këtij emri ishin të shumëllojshme. Prej tyre ka që thanë: “Es-Samed është Ai i Cili nuk është i zbrazët dhe nuk ha e nuk pi.” Disa të tjerë thanë: “Ai është të Cilin e synojnë të gjitha krijesat për nevojat dhe kërkesat e tyre.” Të tjerët thanë: “Ai është prej të Cilit nuk del gjë” domethënë nuk del ndonjë qenie prej qenieve, pra Ai nuk lind. E, disa thanë: “Ai është Zotëria i Cili e ka arritur përsosurinë në zotërimin e Tij.” Dhe, të tjerë thanë: “Ai është, më lartë të Cilit askush nuk qëndron.”

Të gjitha këto mendime i ka mbledhur Ibën Xherir Et-Taberiju në Tefsir-in e tij [4] , duke i përmendur edhe imamët e selefëve që i thanë ato, Allahu i mëshiroftë të gjithë! Po ashtu, ato i përmend edhe Ibën Kethiri në Tefsir-in e tij [5] , dhe të tjerët prej komentuesve të Kuranit. Të gjitha janë të vërteta, sepse ky emër aludon në një tërësi cilësish të shumta dhe jo në një domethënie të vetme, siç e sqaruam më lartë.

Për këtë, Hafëz Ibën Kethiri transmeton se Ebul-Kasim Et-Taberaniju në librin e tij “Es-Sunne”, pasi që i përcjellë shumicën e këtyre mendimeve rreth interpretimin të emrit Es-Samed, thotë: “Të gjitha këto (mendime) janë të sakta dhe të gjitha janë cilësi të Zotit tonë, qoftë i Madhëruar. Ai është i Cili synohet (nga krijesat) për nevojat e tyre dhe i Cili e ka arritur përsosurinë në zotërimin e Tij. Ai është Es-Samed i Cili nuk është i zbrazët (nga brenda), që nuk ha e nuk pi, dhe Ai është i Përhershmi i Cili do të mbetet pas (zhdukjes së) krijesave të Tij.”[6]

Begauiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Më parësore është që shprehja es-samed të interpretohet me të gjitha ato (interpretime) që janë thënë rreth tij, ngase çdonjëra prej tyre mund të thuhet për të. Kjo kërkon që të mos ketë në këtë ekzistencë dikush tjetër që është es-samed përveç Allahut të Lartësuar, Madhështorit, të Fuqishmit për çdo gjë, dhe se ky është një emër i veçantë i Allahut të Lartësuar me të cilin Ai veçohet. Atij i përkasin emrat e bukur dhe cilësitë e larta, por: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha” (Esh-Shura, 11).”[7]

Dijetari Muhamed El-Emin Esh-Shenkitiju, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Është e mirënjohur në gjuhën arabe se fjala es-samed thuhet për zotërinë madhështor, për një gjë e cila është e ngurtë dhe nuk është e zbrazur (nga brenda)…etj. E, Allahu i Lartësuar është Ai Zotëria i Vetëm tek i Cili njeriu kërkon (gjen) strehë/ndihmë gjatë vështirësive dhe nevojave të ndryshme. Po ashtu, Ai është i Cili është lartësuar dhe shenjtëruar nga cilësitë e krijesave, si: ngrënia e ushqimit dhe të tjera të kësaj natyre. Qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar Ai nga këto gjëra.” [8]

Kur robi e di se Zoti i Tij është i cilësuar me këtë përsosuri dhe madhështi, se asgjë nuk është më i lartë se Ai, qoftë i Lartësuar; se askush nuk mund ta pengojë Atë ta realizojë vullnetin e Tij; se Ai, qoftë i Lartësuar, është tek i Cili krijesat kërkojnë strehimin dhe shpëtimin, prandaj nuk kanë strehim dhe shpëtim veçse tek Ai, dhe vetëm tek Ai ato ikin; se Ai është i Vetmi të Cilin të gjitha krijesat e synojnë për nevojat, kërkesat dhe dëshirat e tyre – atëherë, kjo e detyron atë që të kërkojë strehim vetëm tek Ai, ta kërkojë plotësimin e nevojave vetëm prej Tij, t’ia kushtojë gjithë adhurimin vetëm Atij, të kërkojë ndihmë vetëm prej Tij dhe të mbështetet vetëm në Të: “A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka krahas Allahut të adhuruar tjetër?! Sa pak që reflektoni!” (En-Neml, 62).

 

Shkëputur nga libri: “Fikh El-Esma El-Husna

Përktheu: Lulzim Perçuku

__________________________________________________________

[1] 24/736 (bot. i Turkit). Sujutiu në librin e tij “Ed-Derrul-Menthur” (15/780) e adreson tek ai (Taberiu) dhe, gjithashtu, tek Ibnul-Mundhiri. Të njëjtën e vepruan edhe Ibën Ebi Hatimi, Ebu Esh-Shejh në “El-Adhame”, dhe Bejhekiu në “El-Esma ue Es-Sifat”.

[2] “Es-Sauaik El-Mursele” (3/1025).

[3] “Faidetun xhelile fi kauaid el-esma el-husna” (fq. 21 – 22).

[4] (24/731 – 737).

[5] (8/548).

[6] Po aty.

[7] “Mealim Et-Tenzil” (7/321).

[8] “Aduaul-bejan” (2/187).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit