Kush kërkon udhëzimin prej Kuranit i bëhet e qartë rruga e drejtë
Allahu thotë: “…ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.” Nahl 44. Qëllimi me Kuranin nuk është vetëm leximi, porse të kuptohet.
Allahu thotë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” Sad 29.
Allahu thotë: “Vallë, a nuk kanë medituar ata mbi Fjalën (Kuranin) apo atyre u ka ardhur ajo që nuk u kishte ardhur të parëve të tyre?” Muminun 68.
Allahu thotë: “Vërtet, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar, prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?!” Kamer 32.
Dhe: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” Muhamed 24.
Dhe: “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” Nisa 82.
Dhe: “Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar, përveçse në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (shpalljet e Zotit).” Ibrahim 4.
Dhe: “Në të vërtetë, Ne e kemi shpallur Kuranin në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju…” Zuhruf 3.
Dhe: “Ne e zbritëm këtë Kuran në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju.” Jusuf 2.
Të gjitha ajetet e kësaj teme na tregojnë se ai që mediton mbi Kuranin me nijet udhëzimin, patjetër do të arrijë këtë rezultat – Allahu do t’ia mundësojë t’i bëhet e qartë rruga e vërtetë.
Kurani na flet për Allahun dhe Emrat e Cilësitë e Tij. Kurani na fton të adhurojmë Allahun të Vetmin dhe se Ai nuk ka ortak në adhurim. Kurani na flet për urdhrat dhe ndalesat e Allahut. Kurani na tregon se si do t’i nderojë dhe shpërblejë ithtarët e teuhidit. Kurani na tregon për ndëshkimin ndaj ithtarëve të shirkut.
Është obligim që njeriu ta lexojë Kuranin duke medituar thellësisht mbi kuptimet e tij. Allahu e ka bërë Kuranin udhëzues të rrugës së drejtë, “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon në rrugën më të drejtë…” Isra 9. Ajeti përfshin çështjet e besimit por edhe të dispozitave.
Çdokush që dëshiron udhëzimin, le të dijë se atë e gjen në Kuran. Kush dëshiron të përmirësojë veten, le të dijë se atë e përfiton prej Kuranit. Kush dëshiron të mësojë se si ta besojë Allahun, le të dijë se këtë e gjen në Kuran. Kush dëshiron të mësojë për dispozitat e Allahut, le të dijë se këtë e gjen në Kuran. Ndërsa, suneti sqaron Kuranin dhe tregon se si duhet ta kuptojmë atë.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim