Kushtoju Kuranit

Kushtoju Kuranit

 

Prej mënyrave me të cilat përmirësohen zemrat është leximi dhe mësimi i Kuranit. Zemra ngjallet kur sa më shumë e ushqen atë me Fjalët e Allahut. Allahu thotë: “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” Junus 57. Dhe: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.” Isra 82.

Duhet të dimë se zemrave vazhdimisht u shfaqen dy lloje të rrezikshme të sëmundjeve, që janë: epshet dhe dyshimet (ndaras ose të dyja). Ato janë origjina e çdo sëmundje tjetër. Sa i përket sëmundjes së dyshimeve, ajo më së lehti e “vret” zemrën. Ndërsa, sa i përket sëmundjes së epsheve, ajo e dekurajon dhe e bën të paaftë njeriun ndaj adhurimeve, ajo ia rrotullon zemrën. Kur zemra sëmuret me epshe atëherë sa herë t’i afrohen i pranon/praktikon. Këto dy sëmundje burimin e kanë tek injoranca, dhe shërimi bëhet përmes dijes. Pa dyshim se dija më e vlefshme është Kurani, Libri i Allahut, ai është shërim për sëmundjet e zemrave.

Kurani është mënyra më madhështore përmes të cilës përmirësohen zemrat dhe kurohen sëmundjet e saj, për arsye se:

Kurani shton besimin në zemër, dhe kur shtohet besimi atëherë përmirësohet zemra, “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten” Enfal 2.

Kurani udhëzon në rrugën më të drejtë, “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.” Isra 9.

Kush kapet pas Kuranit dhe punon me të, nuk do të jetë i humbur në këtë botë dhe nuk do të bëjë jetë të mjerë në botën tjetër, “Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim. Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.” Ta he 123-124.

Kurani është dritë e zbritur për njerëzimin për t’i nxjerrë nga errësira në dritë, “Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.” Maide 15-16.

Në Kuran gjenden historitë dhe tregimet rreth Pejgamberëve, e ato janë tregimet më të bukura, në to ka këshilla për ata që kanë mend, “Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur” Jusuf 3.

Kurani është dija më e vlefshme, më e mirë dhe ka ndikimin më të madh në zemrën e besimtarit, “Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili) në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë.” Shuara 192-194.

Në Kuran gjendet çdo gjë që i nevojitet njeriut për lumturinë në të dy botët, “Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë radhitur mrekullueshëm dhe janë parashtruar me hollësi nga ana e Një të Urti të Gjithëdijshëm.” Hud 11.

Kurani është dritë sqaruese prej Allahut, këshillë e urtë e Tij, rruga e drejtë. Ai që flet me Kuran e ka thënë të vërtetën, ai që gjykon me të ka gjykuar drejtë. Ai që punon me të do të shpërblehet. Ai që thërret drejt Kuranit ka thirr drejtë të vërtetës. Kush dëshiron të ruajë zemrën prej dyshimeve duhet të lexojë këtë Kuran, gjithashtu kush dëshiron të dijë rrugën që dërgon tek kënaqësia e Allahut, kush dëshiron të ruajë zemrën prej sëmundjes së epsheve, kush frikësohet prej fitnes së pozitës, kush frikësohet për veten e tij për mëkatet etj.

Prej fitimeve kur i përkushtohemi Kuranit janë: përmirësimi i zemrës, shpërblimet e shumta, ngritje në të dy botët, Kurani do të jetë ndërmjetësues në Ditën e Gjykimit, vendosja e kurorës së nderit dhe kënaqësia e Allahut, të qenët prej robërve të veçantë të Allahut etj.

Do të vijë Kurani në Ditën e Gjykimit dhe do të thotë: “O Zoti im! Zbukuroje shokun e Kuranit!” Dhe atij do t’i vendoset në kokë kurora e nderit. Pastaj thotë: “Shtoja më shumë!” Atëherë do të vishet me rrobën e nderit. Pastaj thotë: “O Zoti im! Ji i kënaqur me të!” Dhe Allahu kënaqet me të. I thuhet: “Lexo dhe ngrihu në shkallë të xhenetit!” dhe për çdo ajet që lexon i shtohet nga një e mirë.” Hadith.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit