Ky ishte Profeti ynë salAllahu alejhi ue selem

Ky ishte Profeti ynë salAllahu alejhi ue selem

Shejkh Abdul-Muhsin El-Kasim

(Imam në Xhaminë e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi we sel-lem)

Përktheu: Usame Morina

Të nderuar myslimanë!

I ka nderuar dhe ngritur Allahu bijtë e Ademit nga shumë prej krijesave të Tij. Prej tyre (njerëzve) ka zgjedhur njerëz të cilët i ka veçuar me Profetësi dhe Dërgim të shpalljes, dhe prej tyre (Profetëve dhe të Dërguarve) e ka dalluar Profetin tonë Muhamedin të birin e Abdullahut nga elita e Beni Hashim, ndërsa Hashim ishin prej Kurejshitëve.

Të nderuar myslimanë! I ka nderuar dhe ngritur Allahu bijtë e Ademit nga shumë prej krijesave të Tij. Prej tyre (njerëzve) ka zgjedhur njerëz të cilët i ka veçuar me Profetësi dhe Dërgim të shpalljes, dhe prej tyre (Profetëve dhe të Dërguarve) e ka dalluar Profetin tonë Muhamedin të birin e Abdullahut nga elita e Beni Hashim, ndërsa Hashim ishin prej Kurejshitëve.

Pra, ai (Muhammedi salAllahu alejhi ue selem) ishte i zgjedhuri i të zgjedhurve, që e ka zgjedhur Allahu për këtë umet, që t’i udhëzojë ata në fenë dhe rrugën e drejtë të Tij.

E gjithë jeta e Pejgamberit (sal Allahu alejhi ue selem) ishte adhurim dhe falënderim ndaj Krijuesit, thirrje dhe mundim, sprova, bela dhe durim.

Gjatë tërë jetës është dalluar me moral të lartë dhe vepra madhështore. Është veçuar me cilësi nga më të mirat dhe e gjithë jeta e tij është shëmbëlltyrë për ne.

Thotë Ibnul-Kajim (rahimehullah): “Njohja e të Dërguarit dhe e mesazhit të tij, pranimi i asaj që ai ka paralajmëruar dhe nënshtrimi ndaj asaj që ai ka urdhëruar, është nevoja më e madhe që ka njeriu më shumë se ndaj çdo gjëje tjetër.”

Nuk ka asgjë të mirë veçse e ka udhëzuar umetin për të dhe s’ka asgjë të keqe veçse e ka paralajmëruar nga ajo.

Thotë Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) për veten e tij: “Nuk ka asgjë të mirë që e kam kursyer (fshehur) për ju.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar duke thirrur në një gjë të vetme, me të cilën e ka urdhëruar Allahu. Kush nuk përgjigjet në thirrjen e tij, Allahu do ta fusë përgjithmonë në zjarr dhe nuk do ta fusë kurrë ne Xhennet.

E filloi kumtimin e shpalljes me shehadetin atëherë kur u ngrit mbi kodrën e Safasë dhe u tha Kurejshitëve: “Thoni La Ilahe ilAllah, nëse doni që të shpëtoni.”

Kaloi dhjetë vjet në Meke duke mos bërë asnjë thirrje tjetër përveç saj. E pjesën tjetër të shpalljes e kumtoi në kohën e mbetur deri në vdekje. Ai ka premtuar se kushdo që bën një gjë të tillë (kush i përgjigjet thirrjes së tij), do të jetë pjesë e ‘Duasë’ së tij të pranuar nga Allahu.

Andaj, ka thënë: “Çdo Profet ka një lutje të pranuar (që përfshin të gjithë besimtarët) dhe të gjithë Profetët e kanë bërë këtë lutje, ndërsa unë e kam ruajtur lutjen time për të ndërmjetësuar (shefatë) për umetin tim në Ditën e Kiametit.”

Ajo lutje do të përfshijë, insha-Allah, të gjithë ata që prej umetit tim kanë vdekur duke mos i bërë shirk Allahut.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

  • Ishte shumë i përkushtuar në adhurim ndaj Allahut dhe i bënte ato në formën më të mirë.

I ënjtshin këmbët nga namazi i gjatë. Në një rekat të vetëm lexonte komplet suretul-Bekare, Al-Imran dhe En-Nisa. Dhe kishte zë të bukur kur lexonte.

Thotë El-Beraë (radija Allahu ‘anhu): “E kam dëgjuar Profetin (sal Allahu Alejhi ue selem) duke lexuar në namazin e Jacisë suretu-Tin. Nuk kam dëgjuar asnjë që të ketë zë apo lexim më të bukur se ai.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

  • I përulej Allahut në mënyrën më të përsosur. Kur falte namaz, gjoksi i tij gumëzhinte sikurse kur vlon uji në kazan. Gjuha e tij nuk pushonte së përmenduri Allahun.

Thotë Aishja (radija Allahu ‘anha): “E përmendte Allahun në çfarëdo gjendje.” Transmeton Muslimi.

Thotë Ibnu Umeri (radija Allahu ‘anhuma): “Ne i numëronim 100 herë kur i Dërguari i Allahut në një ndejë të vetme thoshte: ‘O Zot, mi fshij mëkatet dhe më fal mua, ngase Ti je Falës dhe Mëshirues!”

  • Ai e donte namazin dhe i porosiste të tjerët që të kenë kujdes ndaj tij.

Thotë Enesi (radija Allahu ‘anhu): “E gjithë porosia e Profetit (sal Allahu alejhi ue selem) para se të vdesë, ishte: ”Kujdesi ndaj namazit dhe skllevërve. Kështu vazhdoi deri atëherë kur i dilnin ushtimat e fundit nga gjoksi dhe gjuha mezi i lëvizte.” D.m.th.: këshillonte për namaz aq shumë derisa i doli shpirti nga trupi. Transmeton Ahmedi.

  • I këshillonte Sahabët e rinj që të falin sa më shumë namaz nafile.

Një ditë prej ditësh, i tha Abdullah bin Umerit ndërsa ai ishte i ri: “Sa njeri i mirë do të ishte Abdullahu sikurse të falej edhe natën.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

  • Bindja në Allahun ishte shumë e madhe.

Ishte më se i bindur se në Fjalët e Allahut kishte shërim. Kur sëmurej i frynte (bënte rukje) vetes së tij me Fjalët e Allahut.

Thotë Aishja (radija Allahu ‘anha): “Kur rënkonte nga ndonjë sëmundje, i lexonte vetës së tij prej mu’auidhat (el-Felek, en-Nas) dhe frynte.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

  • I çmonte të Dërguarit që ishin para tij.

I tha njëri prej njerëzve: “O krijesa më e mirë.” Ndërsa, Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) ia ktheu: “Ai është Ibrahimi.” Transmeton Muslimi.

  • I ndalonte njerëzit që ta madhërojnë.

Andaj, në një hadith thotë: “Mos më madhëroni, ashtu siç e madhëruan të krishterët birin e Merjemes. Unë jam rob i Allahut, andaj thoni: robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij.” Transmeton Buhariu.

  • I thërriste në këtë fe të gjithë njerëzit dhe pa asnjë dallim, edhe nëse ata ishin të rinj në moshë.

“Një ditë prej ditësh, e vizitoi një djalosh prej jahudive i cili ishte i sëmurë. Ai u ul në afërsi të kokës së tij dhe i tha: “Pranoje islamin.” Dhe djaloshi e pranoi islamin.” Transmeton Buhariu.

  • Ishte shumë modest edhe me fëmijët; mundohej që akiden-besimin t’ua mbillte në zemër.

I tha Ibnu Abasit: “O djalosh, unë do t’i mësoj disa fjalë: Ruaje Allahun, Allahu të ruan ty, ruaje Allahun do ta kesh në anën tënde. Nëse kërkon ndonjë gjë, atëherë kërkoje atë prej Allahut, e nëse mbështetesh, mbështetu vetëm tek Allahu.” Transmeton Tirmidhiu.

  • Ishte i butë kur i mësonte Sahabët dhe ua shfaqte dashurinë që kishte për ta.

”Një ditë prej ditësh, e kapi Muadhin për dore, e i tha: “Pasha Allahun, unë të dua ty. O Muadh, të këshilloj që të mos e lësh pas çdo namazi, pa thënë: ‘O Zot më ndihmo mua që të përmend, të falënderoj dhe të të adhuroj Ty sa më mirë.” Transmeton Nesaiu.

  • Nuk ishte i ashpër e as mendjemadh. Përkundrazi, ishte i hapur me çdokënd.

“Erdh një njeri në xhami, përderisa ai (sal Allahu alejhi ue selem) ishte duke ligjëruar. Dhe i tha: ‘O i Dërguar i Allahut, unë jam një njeri i huaj në mesin tuaj, kam ardhur që të pyes në lidhje me fenë për gjërat të cilat nuk i di.’ Në atë rast, i Dërguari i Allahut erdhi tek unë duke e ndërprerë fjalimin e tij. Dikush nga shokët e tij e solli një karrige e cila kishte këmbë të hekurta. Në atë rast, i Dërguari i Allahut (sal Allahu alejhi ue selem) hipi mbi të dhe filloi të më mësoj për gjëra të cilat Allahu atë e kishte mësuar. E më pas, e vazhdoi ligjërimin e tij derisa e përfundoi atë.” Transmeton Muslimi.

 

  • Ishte i shoqërueshëm dhe i butë me të rinjtë.

Thotë Malik bin Huvejrith: “Shkuam disa të rinj te Profeti (dal Allahu alejhi ue selem) dhe qëndruam tek ai për njëzet netë. Kur ai kishte menduar se ishim të mërzitur për familjet tona, pasi që na pyeti se kë e kishim lënë në shtëpitë e secilit prej nesh dhe ne i treguam atij. Ishte shumë i butë, i mëshirshëm kur na tha: “Kthehuni tek familjet tuaja, mësojini e urdhërojini ata. Dhe faluni ashtu siç më keni parë mua duke u falur.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

  • Posedonte etikën më të pastër, nuk ishte i rëndë e as fyes në të shprehur. Ishte i turpshëm më shumë sesa një virgjëreshë në natën e martesës.

  • Nuk kishte rrahur askënd gjatë tërë jetës së tij.

Thotë Aishja (radija Allahu anha): “I Dërguari i Allahut (sal Allahu alejhi ue selem), nuk ka rrahur askënd me dorë të tij, as grua e as shërbëtorë, përveç kur ishte në luftë për hir të Allahut. Asnjëherë nuk hakmerrej për veten e tij, por gjithmonë i falte të tjerët. E nëse kishte mundësi për të zgjedhur në mes të dy gjërave, gjithnjë e merrte atë që është më e lehtë përderisa nuk kishte të bënte me mëkatin.”

  • Kishte gjithnjë fytyrë të hapur e të buzëqeshur.

Thotë Xherir bin Abdullah: “Asnjëherë nuk më ka shikuar i Dërguari i Allahut (sal Allahu alejhi ue selem) përveçse duke buzëqeshur.”

  • I vizitonte të afërmit e tij, i besonte gjithnjë të vërtetës dhe u ndihmonte atyre që kishin nevojë.

I kishte thënë atij Khadixhja radijAllahu anha: “Me të vërtetë ti i viziton të afërmit, e thua gjithnjë të vërtetën, u ndihmon atyre që nuk janë të aftë, u jep të varfërve, je mikpritës dhe po u ndihmon atyre të cilët e mbrojnë të vërtetën.”

  • E respektonte nënën e tij.

E vizitoi varrin e saj, qau aq shumë saqë i bëri që edhe të tjerët që ishin me të që të qanin.

Në një hadith thotë: “I kërkova Zotit tim që të lutem për të e nuk më lejoi, ndërsa kur kërkova që ta vizitoj varrin e saj, më lejoi.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

  • I këshillonte njerëzit që të kenë kujdes e t’i respektojnë komshinjtë, të jenë të kujdesshëm dhe t’i nderojnë ata.

I ka thënë Ebu Dherrit: “Kur të përgatitësh supë, shtoji ujë pak më shumë dhe ftoji edhe komshinjtë e tu.” Transmeton Muslimi.

  • Ishte zemërbutë dhe i shoqërueshëm me ata që ishin nën të.

“Enesi i kishte shërbyer për dhjetë vite me radhë, asnjëherë nuk i kishte thënë ‘Oh’ dhe as nuk i kishte thënë për diçka që ka bërë përse e ke bërë këtë, apo sikurse ta kishe bërë kështu.”

  • Ishte i mëshirshëm ndaj të dobëtëve dhe të sëmurëve.

“Kishte urdhëruar për ata që ua falin namazin të tjerëve, që të mos e zgjasin namazin për shkak të tyre (për shkak të sëmurëve dhe të dobëtëve).”

  • Ishte i ndjeshëm për njerëzit.

”Një prej beduinëve urinoi në xhami për shkak se nuk e dinte (se një gjë e tillë është e ndaluar). Në këtë rast, njerëzit deshën ta pengojnë, ndërsa ai u tha: “Lëreni derisa ta përfundojë urinimin, e më pas derdheni një kovë me ujë mbi atë vend. Me të vërtetë, jemi porositur që t’ua lehtësojmë gjërat njerëzve e jo t’ua vështirësojmë.” Transmeton Buhariu.

  • Jepte shumë sadaka. Asnjëherë nuk e ka kthyer ndonjë lypës apo nevojtarë.

Thotë Hakim bin Hizam (radija Allahu anhu): “I kam kërkuar Profetit (sal Allahu alejhi ue selem) e më ka dhënë, unë prapë i kërkova e ai më dha, e prapë i kam kërkuar e ai gjithnjë më ka dhënë.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

  • Nuk ishte dorështrënguar dhe ishte shumë bujar.

“Erdhi një njeri dhe i dha aq shumë, sa ishte e mbushur një luginë ndërmjet dy kodrave me deve.”

“Një njeri e pa atë përderisa kishte të veshur një xhybe e i tha: “Sa rrobe e mirë qenka! A mund të ma japësh?!’ Kurse, ai ia dha xhyben atij.” Transmeton Buhariu.

  • Ishte i mirë dhe ushqehej vetëm me gjëra të mira-pastra. Ruhej nga çdo dyshim që mund të lindte në ushqim apo pije.

“Kur unë vij në shtëpinë time, mund të gjej në tokë ndonjë hurme, kur unë dua ta ha atë kam frikë se është nga sadakaja dhe kjo më shtyn të ta lë.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

  • I respektonte Sahabet dhe ua dinte vlerën atyre, edhe nëse ishin të rinj në moshë.

Ai tha për Usame Bin Zejdin përderisa ai nuk ishte ende 18 vjeç: “Ju këshilloj që të keni kujdes për të, ngase ai është prej më të mirëve nga mesi juaj.” Transmeton Muslimi.

  • Nëse sëmurej ndonjëri prej sahabeve, e vizitonte dhe ndjehej keq atëherë kur dikush rënkonte.

“E vizitoi Sa’d bin Ubaden dhe kur e pa se ishte shumë i sëmurë qau.”

  • Ishte shumë i drejtë me Sahabet e tij.

Nuk e harronte në asnjë rast ndikimin pozitiv që e kishin ata në këtë thirrje. Në herën e fundit kur ai hipi mbi minber, tha: “Ju këshilloj që të keni kujdes ndaj ensarëve, sepse ata janë xhemati im dhe ata më dhanë besën. Ata e kanë kryer obligimin e tyre që e kishin, e tani mbetet vetëm ajo që ata duan ta bëjnë me vullnetin e tyre. Andaj, pranoni të mirat që vijnë nga ata dhe falini ata të cilët nuk veprojnë siç duhet.” Transmeton Buhariu.

Nuk e harronte asnjëherë gatishmërinë e Hadixhes në momentet më të vështira dhe as sakrificën në bujari e mendjemprehtësinë e saj. Shpeshherë e përmendte atë për të mirë edhe pas vdekjes, i vizitonte të afërmit dhe u jepte lëmoshë e pasuri shoqeve të saj.

Urdhëroi që të mbyllej çdo derë e xhamisë përveç derës kryesore dhe derës së Ebu Bekrit (radija Allahu anhu) si respekt për të.

Me gjithë vështirësitë që i kishte për shkak të ngarkesës me përhapjen e shpalljes, ishte shumë i sjellshëm me familjen e tij. Kur futej në shtëpinë e tij, ishte në shërbim të tyre. Ndërsa kur ishte koha e namazit, shkonte në xhami.

  • Ishte i butë e i sjellshëm me fëmijët dhe nipërit e mbesat e tij.

”Kur vajza e tij Fatimja futej në shtëpi ngrihej në këmbë, e kapte për dore dhe e ulëte në vendin ku ai ishte i ulur.

E merrte Hasanin në prehër dhe thoshte: “O Allahu im, me të vërtetë unë e dua; të lutem o Zot duaje edhe Ti.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

“Doli para shokëve të tij për ta falur namazin dhe me vete e kishte marrë mbesën e tij Umamen që e mbante në krah. Falej së bashku me të në krah, kur binte në ruku e lëshonte në tokë, kur ngrihej e barte atë në krah.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

  • E tregon Uthmani (radija Allahu ahnu) sjelljen e tij ndaj Sahabëve duke thënë:

“E kemi shoqëruar të Dërguarin e Allahut (sal Allahu alejhi ue selem) në udhëtim dhe kur ishte në Medine. Ai i vizitonte të sëmurit, i përcillte xhenazet tek varrezat, luftonte në fushëbetejë së bashku me ne dhe na ngushëllonte për gjëra të imëta e të mëdha.” Transmeton Ahmedi.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit