Largimi nga fitnet
Nga mënyrat përmes të cilave arrijmë të përmirësojmë zemrat është dhe largimi nga fitnet. Qëllimi është: ti në një anë ato në një anë, mosmarrja pjesë në to. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Do t’iu ekspozohen zemrave fitnet sikur hasra (shtrojë me thupra/fije të shumta). Cilado zemër i pranon ato, i vendoset një pikë e zezë në zemër e ajo e cila i refuzon i bëhet një pikë e bardhë…” Shpëtimi e përmirësimi i zemrave arrihet kur njeriu largohet nga fitnet. Kurse, prishja e saj bëhet kur ai përfshihet në to dhe është i lidhur me zemër me to.
Ka ardhur paralajmërim i ashpër në Kuran ndaj fitneve, Allahu thotë: “Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq; dhe ta dini se Allahu dënon ashpër!” Enfal 25. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë tri herë: “I lumtur është ai i cili qëndron larg fitneve!” Andaj duhet të kemi kujdes nga ata që thërrasin për përfshirje në fitne. Këta e hedhin umetin në fitne, në bela e fatkeqësi. Njeriu nuk duhet të ngutet e të shkelë bazat e parimet islame duke dëshiruar sa më shpejt “vjeljen e fryteve”, por duhet të tregohet i durueshëm. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Do të vijë fitne dhe besimtari do të thotë: “Kjo do të më shkatërroj” dhe pastaj largohet. Vjen fitne tjetër dhe do të thotë: “Kjo është edhe më e rëndë. Kjo do të më shkatërrojë.” Kush dëshiron të shpëtojë prej zjarrit të xhehenemit dhe të hyjë në xhenet, le ta nxënë vdekja duke besuar Allahun dhe ditën e Fundit.” Dhe ka thënë: “Patjetër do të vijnë fitne. Ai që qëndron ulur (në këto fitne) është më i mirë se ai që qëndron në këmbë, ai që qëndron në këmbë është më i mirë se ai që ecë në to dhe ai që ecë në to është më i mirë sesa ai që shpejton në to. Ai që u hyn atyre ato do ta gëlltisin dhe do ta shkatërrojnë. Kush gjen një strehë që të mbrohet prej tyre, le të strehohet aty (të ikë prej tyre).”
Në kohën tonë janë përhapur fitnet dhe në to kanë rënë ata që kanë besim të dobët, zemra të sëmura, që janë injorantë dhe po ashtu ka që janë dyfytyrësh. Fitnet para Kiametit shkojnë duke u shtuar e ashpërsuar. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Para Kiametit do të ndodhin fitne të cilat janë sikur pjesët e errëta të natës.” Janë të ashpra e të rënda saqë e nxjerrin njeriun nga feja, e po ashtu saqë do të dëshironte të ishte i vdekur.
Disa të fitne të përhapura sot:
- Nxjerrja e muslimanëve nga feja (tekfiri). Kjo ka sjellë si rezultat vrasjen mes muslimanëve.
- Rrotullimi i realiteteve dhe ndryshimi i peshoreve, si:
-besohet gënjeshtari e tradhtari dhe përgënjeshtrohet i vërteti dhe besniku,
-flet injoranti, i ulëti, për çështje madhore,
-gjërat kundërshtuese ndaj fesë do të llogariten prej fesë për shkak të injorancës, e vërteta do të llogaritet e kotë dhe anasjelltas, bidati do të llogaritet sunet dhe anasjelltas,
-kërkohet dunjaja me punët e ahiretit,
-mësohen shkencat e tjera dhe braktiset mësimi i fesë etj.
Shpëtimi i muslimanëve nga këto fitne është kur i kthehen fesë së tyre. Kjo është dera përmes së cilës shpëtojnë prej tyre. Pra, kur i kthehen fesë në të cilën kanë qenë të parët tanë (selefi). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur të përdorni kamatën mes jush, të kapeni pas bishtit të devesë dhe të kënaqeni me të mbjellat (qëllimi: kur të jepeni pas dunjasë), Allahu do t’ju dërgojë një poshtërim të cilin nuk ua largon derisa t’i ktheheni fesë suaj.”
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.