Lehtësimi i çështjeve ndaj besimtarëve

Hadith: “Atij që ia largon (lehtëson) një besimtari një vështirësi prej vështirësive të kësaj bote, Allahu do t’ia largojë (lehtësojë) në Ditën e Gjykimit një vështirësi prej vështirësive të botës tjetër.” Muslimi.

-Ia lehtëson çdo brengë, apo vështirësi, e cila i shkakton ngushtim, e çliron nga ajo, bën të marrë frymë lirshëm prej saj. Është për qëllim me brengën e vështirësinë që e rrethon besimtarin nga të gjitha anët, në mendimet, zemrën e shpirtin e tij, e shqetëson dhe e brengos nga të gjitha aspektet. I vështirësohet gjendja saqë i ngushtohet toka. Nëse ia largon një vështirësi të tillë vëllait besimtar, atëherë Allahu në varësi të këtij çlirimi ta largon një vështirësi të botës tjetër.

-“një vështirësi“, përfshihen të gjitha vështirësitë, si nga ato shpirtërore, psikologjike, nga ana e pasurisë, e trupit, vështirësitë nga ana e fesë etj. Lehtësimi i saj bëhet përmes pasurisë, apo me fjalë të mira lehtësuese, apo përmes pozitës etj.

-E shpërblimi i Allahut për të është shumë më i madh sesa lehtësimi/çlirimi që ia ka bërë besimtarit në këtë botë. Allahu së paku shpërblen për një vepër të mirë dhjetë fish deri në shtatëqind fish. Vështirësitë e botës tjetër nuk krahasohen me vështirësitë e kësaj bote.

 

Allahu është në ndihmë të robit kur ai është në ndihmë ndaj vëllait të tij.” Në këtë hadith kemi nxitje dhe inkurajim për ndihmë ndaj vëllait musliman. Nëse e ndihmon qoftë dhe një herë, Allahu ka për të të ndihmuar kur ke nevojë. Tek kjo ndihmë ndaj vëllait musliman përfshihet edhe ndihma më e thjeshtë, si: afrimi i këpucëve, apo hipja në veturë, apo afrimi i shtrojës për ulje etj. Dera e ndihmës ndërmjet muslimanëve është shumë e gjerë.

Atij të cilit ia lehtëson dikujt i cili është në një vështirësi (qëllimi është për borxhin), Allahu do t’ia lehtësojë në këtë botë dhe tjetrën.” Kjo është prej lëmoshave madhështore. Këtu është fjala për atë që ka borxhe e që nuk ka mundësi ta shlyejë atë. Lehtësimi vjen në disa mënyra: t’i jepet nga pasuria jote për borxhin, nëse ka borxh ndaj teje atëherë t’ia lehtësosh (duke ia fal krejt, apo duke ia fal një pjesë, po duke ia shtyrë afatin). Çdo përpjekje e bërë për t’ia lehtësuar këtë çështje përfshihet në këtë hadith.

-Ne duhet të veprojmë me këto hadithe, duke u munduar sa më shumë që t’ua largojmë vështirësitë vëllezërve muslimanë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit