Lër gjurmë të mira para se të largohesh nga kjo botë

Lër gjurmë të mira para se të largohesh nga kjo botë

Jeta jonë është e përbërë prej fletave, të cilat i palosin ditët që kalojmë. Kalimi i këtyre ditëve është më i shpejt se era. Mirëpo, këto fletë, përmbajnë brenda shumë mundësi që na jepen përgjatë jetës sonë, e të cilat nëse nuk i shfrytëzojmë, përfundimi është humbja dhe dëshpërimi. Ai që i shfrytëzon këto mundësi për të mirë, është vetëm ai i cili është njeri i kujdesshëm për jetën e tij dhe për botën tjetër.

Nga ana tjetër, kush e ka natyrë të tij përtacinë dhe zvarritjen e çështjeve, nuk do të ketë mundësi të shfrytëzojë këto mundësi që ia ofron jeta. Kjo ngase, natyra e tillë, sjell vese e tipare negative, të cilat pengojnë në përpjekjen për të lënë shenjë/gjurmë pozitive në jetën e kësaj bote, e të cilat kurrë nuk shlyhen sado që të kalojnë ditët, muajt dhe vitet.

Gjurmët pozitive që lë muslimani në jetën e kësaj bote, janë veprat e mira, të bëra për hir të Allahut, shpërblimi i të cilave vazhdon edhe pasi të largohet nga kjo jetë kalimtare. Andaj, nga suksesi që Allahu ia dhuron robit të Tij, është kujdesi në rrënjosjen e këtyre gjurmëve në jetën e kësaj bote – vepron që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë përmes të cilave arrihet mirësia. Kjo sepse ai e di se këto mundësi kanë shpërblime të mëdha dhe nuk shlyhen kurrë sado që të zgjasë koha (aq sa do Allahu).

Muslimani duhet të mundohet të japë kontributin e tij që të bëjë vepra të mira, sipas mundësisë dhe forcës së tij.

Në një hadith Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Të vdekurin e ndjekin tri gjëra, dy nga të cilat kthehen dhe një mbetet me të, ato janë: familja, pasuria dhe veprat. Familja dhe pasuria e tij kthehen dhe mbeten veprat e tij të mira.”

Nga mirësia e Allahut ndaj robërve të Tij, është se për veprat e mira që bëjnë, ka caktuar kuptime të gjëra, aspekte të shumta dhe fusha të llojllojshme. Ai ua ka lehtësuar atyre dyert e mirësisë dhe bamirësisë ndaj të tjerëve dhe rrugët e tyre i ka bërë të shumta. Përball këtyre mundësive, ua ka caktuar atyre afatin e jetës i cili është i kufizuar. Andaj, kështu ka bërë që muslimani i mençur të mundohet të shfrytëzojë këtë jetë të kufizuar në vepra të mira.

Njeriu duhet të dijë se prej momentit të ardhjes në këtë botë, jeta e tij shkon duke iu pakësuar dhe afati i vdekjes i afrohet. Mirëpo, i zgjuari dhe i mençuri, i cili i kupton këto kuptime, mundohet dhe vepron që të lërë gjurmë të mira sa është në jetën e kësaj bote, para se të largohet për në botën tjetër.

Andaj, ai mundohet të jetë bamirës ndaj të tjerëve, të ndihmojë nevojtarët, të këshillojë të tjerët, t’i udhëzojë në të vërtetën (duke i orientuar t’i përmbahen bindjes dhe adhurimeve, duke i urdhëruar në të mira e duke i ndalur nga të këqijat etj.), të mbështesë të dobëtit, të nxjerrë prej krizave nevojtarët etj. Ai duhet t’ia bëjë këtë gjë qëllim dhe mision (detyrë) vetes. Në këtë mënyrë do të lërë gjurmë pozitive në jetën e kësaj bote, që pastaj t’i vazhdojnë shpërblimet edhe pasi të vdesë.

Gjurmët e veprave mbesin edhe pas vdekjes, qofshin gjurmë të mira apo të këqija, dhe njeriu merr pastaj shpërblimin apo dënimin në bazë të tyre. Allahu thotë: “Sigurisht, Ne i ringjallim të vdekurit dhe shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre. Ne e kemi llogaritur çdo gjë në një Libër të qartë.” Ja Sin 12. Veprat e njeriut janë të shënuara së bashku me gjurmët (rezultatet) e tyre, për të cilat ka qenë shkaktar që të mbesin te njerëzit, sa është gjallë dhe pasi të vdesë.

Nisur nga kjo, themi se besimtari gjithmonë duhet të jetë i kujdesshëm të lërë gjurmë të mira në mesin e njerëzve për të cilat pastaj do të shpërblehet në botën tjetër: në jetën e varrit dhe në Xhenet.

Gjendja e besimtarit në jetën e kësaj bote, nga ky aspekt, duhet të qëndrojë në mes tri veprave kryesore, që janë:

-Të shpërndajë dije të dobishme – fetare.

-Të urdhërojë në të mirë e të ndalojë nga të këqijat.

-Të jetë bamirës ndaj njerëzve.

Nëse ndalemi të meditojmë për njerëzit që kanë jetuar para nesh, do të gjejmë se ka të atillë të cilët nuk kanë lënë gjurmë të mira, ndërsa nga ana tjetër, ka të atillë të cilët edhe pse nuk gjenden në mesin tonë, gjurmët e tyre të mira vazhdojnë të jenë edhe sot. Prandaj, gjejmë se nga lutjet që ka bërë Ibrahimi alejhisselam ka qenë edhe kjo:

وَٱجْعَل لِّى لِسَانَ صِدْقٍۢ فِى ٱلْءَاخِرِينَ

Bëj që të përmendem për të mirë te breznitë e ardhshme…” Shu’ara 84.

Kuptimi i lutjes është: Të lërë vepra dhe gjurmë të mira, përmes të cilave pastaj udhëzohen njerëzit deri në Ditën e Gjykimit dhe për shkak të tyre ai të lavdërohet në mesin e njerëzve (të thuhen fjalë të mira për të e të luten për të).

Vepra që lënë gjurmë

▪Thirrja për tek Allahu (daveti)

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush fton njerëzit drejt një vepre të mirë, do të ketë shpërblim si ata që e veprojnë atë vepër, pa iu pakësuar shpërblimi i tyre. Kush fton njerëzit drejt një devijimi, do të ketë mëkatin si ata që e veprojnë atë, pa iu pakësuar atyre mëkati.” Muslimi. Në këtë hadith kemi nxitje që të ftojmë sa më shumë për tek Allahu. Kjo është nga veprat më madhështore përmes të cilave njeriu do të lërë gjurmë të mira dhe do t’i shumëfishohen shpërblimet pas vdekjes së tij.

▪Orientimi apo udhëzimi i të tjerëve drejt një vepre të mirë

Transmetohet se një njeri ka ardhur te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe i ka treguar se i ka ngordhur kafsha duke qenë se ka pasur dëshirë të shkonte në betejë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk ka pasur kafshë që t’ia jepte, porse njëri nga të pranishmit ka dëgjuar dialogun mes tyre dhe ka thënë: “O i Dërguar i Allahut! Unë di një person i cili mund t’ia japë një kafshë shale.” Atëherë i ka thënë: “Kush orienton/udhëzon dikë për një vepër të mirë, ka shpërblimin sikur të atij që e vepron atë.” Muslimi. Hadithi na tregon se ne mund të arrijmë shpërblime të shumta thjesht duke i orientuar të tjerët se ku mund të shkojnë që të plotësojnë nevojat që kanë. Kjo vepër nuk kërkon as kohë e as mund të madh.

Shpërndarja e dijes së dobishme

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur të vdesë njeriu, të gjitha veprat e tij ndërpriten përveç tri veprave: Lëmosha rrjedhëse, dija prej së cilës përfitojnë të tjerët dhe një fëmijë i devotshëm i cili lutet për të.” Muslimi.

Dhe ka thënë: “Nga veprat me shpërblim të vazhdueshëm pas vdekjes janë:

-shpërndarja e dijes,

-lënia pas një fëmijë të devotshëm,

-lënia pas një musaf,

-ndërtimi i xhamisë,

-ndërtimi i shtëpisë për udhëtarët e rrugës (që të gjejnë konak),

-hapja e një kanali uji,[1]

-dhënia e lëmoshës duke qenë gjallë dhe shëndosh, shpërblimi i së cilës i vazhdon edhe pas vdekjes.”

Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) duke folur për vlerën e dijes dhe të dijetarëve (duke përmendur me mbi 200 argumente) dhe duke treguar se kjo është një pozitë shumë e lartë dhe mirësia më e madhe që ia jep Allahu ndokujt, thotë: “Nga dobitë e kësaj mirësie, është se njeriu duke qenë ende gjallë në këtë jetë i angazhuar me punët e tij, apo duke qenë në varrin e tij pasi eshtrat kanë filluar t’i treten, regjistrat e veprave të tij vazhdojnë të mbushen me shpërblime. Atij i dhurohen këto shpërblime prej atyre që punojnë me dijen që ai ua ka mësuar…”

Dhe ka thënë: “Kur dijetari mbjell një dije tek të tjerët, pastaj vdes, atij i vazhdon shpërblimi i çdo kujt që punon me atë dije dhe i mbetet përmendja për të mirë në mesin e njerëzve. Kjo është jeta e dytë që Allahu ua jep disave.”

Kur njeriu shikon në këto gjëra që përmendëm dhe se çfarë mirësie ka në tërë këtë, do të japë një përpjekje shumë të madhe që të përhapë dijen e dobishme në mesin e njerëzve me çdo mundësi që posedon, si:

-t’i mësojë të tjerët me atë që di prej dijes,

-të ndihmojë thirrësit dhe kërkuesit e dijes duke i financuar apo duke ndihmuar thirrjen e tyre, apo duke i ndihmuar moralisht ata, duke shpërndarë dijen e tyre (përmes rrjeteve sociale dhe të tjerave).[2]

Lëmosha

Nga veprat që shtojnë shpërblimet tek Allahu është edhe lëmosha – shpenzimi në rrugën e Allahut. Kjo është tregtia më fitimprurëse. Allahu thotë: “Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish?” Bekare 245. Dhe: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë…” Bekare 261.

Muslimanit të cilit Allahu i ka dhënë sukses dhe e ka inspiruar, tregohet i kujdesshëm që vazhdimisht të bëjë vepra të cilat janë më të vlefshmet dhe që kanë shpërblimet më të mëdha tek Ai. Nëse ai jep lëmoshë, mundohet që lëmosha e tij të jetë rrjedhëse (në shpërblime).

Historia islame është e mbushur me ngjarje të burrave dhe grave të mira e të devotshme, të cilët kanë vdekur dhe kanë lënë lëmosha rrjedhëse, prej të cilave muslimanët kanë përfituar me vite e shekuj dhe atyre u ecin shpërblimet duke qenë në varret e tyre. Dhe vërtetë ata janë njerëzit të cilët meritojnë t’i lakmojmë, që edhe ne të mundohemi të veprojmë sikurse ata në këtë shembull.

[1] Prej të cilit pastaj njerëzit pinë, shërbehen, ujitin arat, apo pinë kafshët etj.

[2] Tërë kjo hyn të shpërblimi për shpërndarjen e dijes edhe pse nuk je hoxhë apo kërkues i dijes. Kështu fiton edhe ti shpërblimin e atyre që veprojnë me atë dije që shpërndan.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit