Leximi i Kuranit

Shkaqet për arritjen e ëmbëlsisë së besimit

Shkaku i dhjetë: Leximi i Kuranit

Në leximin e Kuranit me meditim besimtari gjen një lumturi e cila nuk mund të krahasohet me asnjë lumturi tjetër, gjen prehje shpirtërore dhe kënaqësi të besimit. Allahu thotë: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.” Isra 82.

Nëse besimtari ka besim të vërtetë e të saktë dhe zemër të shëndoshë, kurrë nuk do të ngopet me fjalën e Allahut. Uthman ibn Affani radijAllahu anhu: “Sikur zemrat tuaja të ishin të shëndosha, kurrë nuk do të ngopeshin me fjalën e Allahut.” Siç ka thënë Allahu: “Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë. Allahu do t’ua plotësojë atyre shpërblimin dhe do t’ua shtojë nga dhuntitë e Tij. Me të vërtetë, Ai është Falës dhe Falënderues.” Fatir 29-30.

Kush ka raport të mirë me Kuranin patjetër se do të gjejë ëmbëlsinë e besimit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shembulli i besimtarit i cili lexon Kuranin është si utruxhe (qitro), i cili ka aromën e mirë dhe shijen e mirë. Shembulli i besimtarit i cili nuk e lexon Kuranin është si hurma, e cila ka shijen e mirë, por nuk ka aromën e mirë. Shembulli i mëkatarit dhe dyfytyrëshit të cilët lexojnë Kuranin është si rejhani (borziloku), e cila ka aromën e mirë, por shijen e hidhur. Shembulli i mëkatarit dhe dyfytyrëshit të cilët nuk e lexojnë Kuranin është si handale (prej familjes së shalqirit – citrullus colocynthis), e cila ka shije të hidhur dhe aromë të keqe.

Gjithashtu ka thënë: “Sa herë që disa njerëz mblidhen në një prej shtëpive të Allahut (xhami) duke e lexuar dhe mësuar Librin e Allahut, veçse mbi ta do të zbresë qetësia, do t’i mbulojë mëshira e Allahut dhe do t’i rrethojnë engjëjt me krahët e tyre dhe Allahu do t’i përmendë me emra tek engjëjt që janë afër Tij.”

Në Kuran ka shërim për zemrat nga sëmundjet e tyre, ai pastron ndryshkun që kaplon zemrat tona, zbut ngurtësinë e tyre dhe është këshillë e kujtim për të shkujdesurit (me premtimet e inkurajimet dhe kërcënimet e frikësimet e ardhura në ajete). Kurani shpjegon gjendjet e njerëzve, rrugën e banorëve të xhenetit dhe të banorëve të xhehenemit.

Nëse njeriu do ta lexonte Kuranin duke paramenduar se Allahu po i drejtohet me Fjalët e Tij, atëherë zemra e tij do të lëvizte prej vendit, prej madhështisë të këtij përjetimi. Leximi i Kuranit në këtë mënyrë patjetër do të sjellë rezultat qetësinë e zemrës dhe rehatinë e shpirtit.

Disa shembuj të leximit të Kuranit

─Transmetohet se pasi Esma radijAllahu anha ka lexuar ajetin (ku tregohet se banorët e xhenetit do të thonë): “Allahu na ka dhuruar mëshirë dhe na ka ruajtur nga era përcëlluese (e Zjarrit).” Tur 27, është ndalë tek ky ajet duke medituar, ka kërkuar mbrojtje tek Allahu dhe e ka lutur Atë një kohë të gjatë.

─Transmetohet se njëri prej ensarëve i ka thënë njërit prej muhaxhirëve të cilët kanë qenë duke bërë roje (për ushtrinë): “Cila është më e dashura për ty, të flesh në fillim apo në fund të natës?” Ka thënë: “Më mjafton fillimi i natës.” Pastaj ensari ka filluar të falet pasi ka fjetur muhaxhiri. Ka ardhur njëri prej idhujtarëve dhe e ka hedhur me shigjetë duke e goditur në trup, ndërsa ensari e ka hequr shigjetën prej trupi dhe ka vazhduar të falet. Pastaj e ka hedhur për së dyti e për së treti (duke e gjakosur), dhe e ka zgjuar shokun e tij: “Zgjohu se më kanë goditur me shigjetë.” I ka thënë: “Pse nuk e ndërpreve namazin e të ikësh? Pse nuk më zgjove që të mbrohesh?” Ai i ka thënë: “Isha duke lexuar një sure dhe nuk desha ta ndërprisja.” Ai e ka ndje kënaqësinë gjatë leximit të saj, e ka përjetuar atë.

Kur besimtari përjeton ëmbëlsinë e besimit të Kuranit, gjithashtu përveç këtij përjetimi, duhet të përjetojë edhe ëmbëlsinë e zbatimit të urdhrave, këshillave e udhëzimeve të Kuranit. Nuk është çështja vetëm se sa po lexojmë Kuran, por se sa jemi zbatues.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.

Madhësia e tekstit