Meditimi në Islam

Meditimi në Islam

Në Kuran gjejnë shumë ajete që përfshijnë nxitjen dhe motivimin ndaj meditimit (te njerëzit). Ato na sqarojnë pozitën e lartë dhe vlerën madhështore që ka meditimi. Po ashtu tregojnë për dobitë dhe të mirat e shumta përfituese prej meditimit në çështjet e fesë dhe në ato që do t’i cekim më poshtë. Allahu në Kuran gjithashtu tregon për pozitën e lartë të atyre të cilët meditojnë, se sa të ngritur janë tek Ai dhe i lavdëron ata. Prej tyre: “Ja, kështu jua shpjegon Allahu shpalljet e Tij, që të mund të mendoni.” Bekare 219. “Është Ai që e ka shtrirë tokën, duke krijuar në të male dhe lumenj. Dhe për çdo lloj fruti, Ai ka krijuar nga një çift. Ai ka bërë që nata ta mbulojë ditën. Me të vërtetë, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë.” Rad 3. “Nëpërmjet tij (ujit) rriten të lashtat, ullinjtë, palmat, rrushi dhe fruta të llojllojshme. Këtu ka vërtet tregues (të fuqisë hyjnore) për njerëzit, që kuptojnë.” Nahl 11. “Vallë, a nuk mendojnë ata në vetvete?” Rum 8. “Me të vërtetë, jeta e kësaj bote i shëmbëllen shiut që Ne e lëshojmë nga qielli e me të përzihet toka dhe bën bimë, me të cilat ushqehen njerëzit dhe kafshët. E, kur Toka vishet dhe zbukurohet dhe, kur banorët e saj mendojnë se janë zotërues të saj (për ta vjelur a korrur), iu vjen urdhri ynë, natën ose ditën dhe Ne e bëjmë atë si të ishte e korrur, thuajse nuk kishte lulëzuar të djeshmen. Kështu, Ne ua shpjegojmë shpalljet Tona njerëzve që mendojnë.” Junus 24. “Sikur këtë Kuran t’ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë (mal) të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut. Shembuj të tillë Ne ua japim njerëzve, që ata të meditojnë.” Hashr 21. “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët, 191. për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” Ali Imran 190-191.

Ky meditim madhështor në të cilin po na fton Allahu në këto ajete, është çelës i çdo mirësi, bazë i çdo shpëtimi e përmirësimi dhe burim i çdo virtyti. Meditimi është prej adhurimeve madhështore të zemrës me të cilin adhurohet Allahu. Ai e zhvendos njeriun prej shkujdesjes në vigjilencë, prej mëkatit në adhurim ndaj Allahut dhe prej poshtërimit në krenari.

Raporti i selefëve me këtë adhurim të zemrës ka qenë vërtetë i habitshëm. Ata e kanë parë si këtë adhurim shumë të rëndësishëm dhe madhështor. Andaj kanë ardhur prej tyre thënie të shumta në lidhje me meditimin, prej tyre:

Abdurrahman ibn Zejd ibn Eslem: “Koka e kësaj feje dhe përmirësimi i saj (te personi) është meditimi.”

Hasan el Basriu ka thënë: “Meditimi është babai e nëna e çdo mirësie dhe devotshmërie dhe çelësi i tipareve e cilësie të cilat çojnë drejt mirësisë.” Dhe: “Meditimi është pasqyrë e cila t’i shfaqë të mirat e të këqijat që janë tek ti.”

Katade ka thënë: “Ai që mediton shumë në vetvete (rreth Allahut, provave të Tij etj.), kjo menjëherë vërehet tek ai, ngase sheh se si nyjat e trupit të tij fillojnë të zbuten (lehtësohen) drejt adhurimit ndaj Allahut (e shton atë).”

Sufjan ibn Ujejne ka thënë: “Meditimi është çelësi i arritjes së mëshirës së Allahut. A nuk sheh atë njeri i cili fillon të meditojë rreth fesë, se si menjëherë pas kësaj pendohet dhe kthehet tek Allahu?!”

Umer ibn AbdulAziz ka thënë: “Meditimi rreth mirësive e dhuntive që t’i ka dhënë Allahu, kjo është prej adhurimeve më të vlefshme (me shpërblimin më të madh tek Ai).”

Ai që mediton rreth madhështisë së Allahut, se Ai është mbi ne dhe ne jemi nën mbikëqyrjen e Tij, se asgjë nuk i fshihet sado që e fshehim prej krijesave, se Ai është Dëgjuesi, Shikuesi, i Gjithëdijshmi, i Plotfuqishmi etj., duke e bërë këtë si gjë të zakonshme të tij, atëherë patjetër ky meditim do ta pengojë prej rënies në mëkate. Allahu thotë: “Allahut i frikësohen vetëm dijetarët, (që e dinë se) Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe Falës.” Fatir 28.

Ai që mediton rreth ahiretit, se kjo botë është duke na u afruar çdo ditë e më shumë, se ajo është jeta e vërtetë të cilën e kërkon çdo njeri, që mediton për shpërblimet e kënaqësitë e shumta të cilat Allahu i ka përgatitur për besimtarët e devotshëm, se çfarë fundi të bukur do të kenë, atëherë kjo patjetër se do ta nxisë e motivojë për përgatitjen në formën më të mirë për kalimin në botën tjetër.

Ai që mendon për jetën e kësaj bote, se sa e pavlefshme është ajo, sa e parëndësishme, se nuk vlen që besimtari të merret me të, se sa shpejt do të ikë, atëherë patjetër se kjo do ta nxisë që të mos e ketë këtë jetë synim të tij kryesor, shqetësim parësor dhe gjë për të cilën derdhë dijen e mundin e tij.

Ai që mediton rreth mëkateve e pasojave të tyre të rrezikshme, në këtë botë dhe botën tjetër, patjetër se do të tregohet i kujdesshëm për të mos rënë në to dhe do të largohet sa më shumë prej tyre.

Ai që mediton rreth adhurimeve dhe se njeriu është krijuar vetëm që ta adhurojë Allahun e ta realizojë adhurimin ndaj Tij, kjo do ta nxisë që të përpiqet shumë dhe vazhdimisht në përmbushjen e kësaj në mënyrën më të plotë.

Ai që mediton rreth krijesave të Allahut në univers, se sa bukur i ka krijuar, se ato shkëlqejnë, se ato janë dëshmi të qarta që tregojnë për Krijuesin e përkryer dhe absolut, atëherë kjo do të bëjë që ai të marrë mësim dhe do ta këshillojë vetveten që ta madhërojë e respektojë Krijuesin e tij.

Ai që mediton rreth mirësive që na ka dhuruar Allahu, ky është adhurim madhështor, i cili nxitë zemrën e tij që t’i kthehet Allahut, me përulje, me nënshtrim, duke e shtuar besimin në përsosmërinë dhe madhështinë e Krijuesit, i Cili i ka shpikur të gjitha të mirat që na dhuron.

Allahu i lavdëron ata që mendojnë në këtë mënyrë, i quan “mendarë”, ata logjikojnë drejt e mendojnë drejt. Allahu tregon se prej cilësive të tyre është “…dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:)…” Pastaj tregon se çfarë rezultate e fryte i sjellë ky meditim besimtarit, i cili menjëherë pas kësaj i drejtohet Zotit me lutje (vazhdon ajeti): “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” Ali Imran 191.

Ai që nuk e angazhon mendjen e tij me këtë meditim të dobishëm, që sjellë mirësi të shumta në të dy botët, atëherë patjetër zemra e tij do të angazhohet me mendime të këqija, të kota, të ulëta, të pavlefshme etj.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit