Mes mirëqenies dhe sprovimit

Mes mirëqenies dhe sprovimit

 

  • Mirëqenia (afije) është një begati e madhe në këtë dunja.

 

  • Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Lute Allahun të të japë mirëqenie në këtë botë dhe tjetrën!” Dhe: “Kërkoni prej Allahut mirëqenie, sepse pas bindjes në Allahun, askujt nuk i është dhënë diçka më e mirë sesa ajo.” Dhe: “Kush prej jush zgjohet në mëngjes duke qenë i sigurt në veten e tij (nuk ka frikë), ka shëndet në trupin e tij dhe ka ushqim të mjaftueshëm për një ditë, ai është sikur personi tek i cili është grumbulluar krejt kjo botë dhe çfarë ka në të.” Dhe: “O Allah, të kërkoj falje dhe mirëqenie në këtë botë dhe tjetrën! O Allah, të kërkoj falje dhe mirëqenie në fenë time, në dunjanë time, në familjen time dhe në pasurinë time!”

 

  • Çfarë është mirëqenia?

-Shpëtim prej sëmundjeve të zemrës (të epsheve dhe dyshimeve dhe atyre fizike), mirëqenie në familje, në pasuri, në jetën e kësaj bote etj.

  • Njeriu i mençur e di se, sprovimi dhe mirëqenia, janë paraprakisht me Caktimin e Allahut.

 

  • Kur njeriu goditet me vështirësi e sprova, duhet të cilësohet me dy gjëra: me durim dhe me pajtim në Caktimin e Allahut. Në këtë mënyrë fiton shpërblimin e plotë.

 

  • Edhe sprovat janë begati, ngase përmes tyre fshihen mëkatet dhe arrihen grada e shpërblime nëse durimi ka qenë siç kërkohet, si dhe në to ka mëshirë e urtësi.

 

  • Njeriu në këtë jetë jeton mes begative (për të cilët duhet të falënderojë Allahun) dhe sprovave (për të cilat duhet të durojë).

 

  • Njeriu patjetër se do të sprovohet, siç tregohet në këtë ajet kuranor: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” Bekare 155-157.

 

  • Prej sprovave janë: sëmundjet, brengat, pikëllimet, vdekja, vështirësitë etj. Sëmundjet edhe pse janë të hidhura, në to ka dobi. Ibn Kajjim përmend mbi 100 dobi.

 

  • Njeriu sprovohet varësisht nga bindja dhe besimi që ka në Allahun. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu vazhdimisht e sprovon robin e Tij besimtar derisa ecën mbi sipërfaqen e tokës i pastër prej mëkateve.”

 

  • Njeriut i ngritën gradat në botën tjetër varësisht nga vlera e durimit që ka bërë gjatë sprovimit.

 

  • Me gjithë këtë që u sqarua, sprova nuk është diçka që kërkohet prej Allahut që besimtari të goditet me të, ngase pamë në hadithe: “Lute Allahun të të japë mirëqenie në këtë botë dhe tjetrën!”

 

  • Islami i lavdëron të sprovuarit për shkak të durimit dhe bindes së fortë në Allahun (e nuk e lavdëron sprovën).

 

  • Sprovat, kur e rrethojnë njeriun dhe i zgjaten, vetëm durimi është ai i cili e mbron, me lejen e Allahut, nga dëshpërimi, siç kemi rastin e Profetit Ejub, i cili është shembull për durimin (e mirëfilltë).

 

  • Njeriu duhet të lusë Allahun për mirëqenie në të gjitha çështjet e tij dhe t’ia vazhdojë atë. Por, nëse goditet me sprovë, duhet të bëjë durim e të pajtohet me Caktimin e Tij, gjithashtu duhet të kthehet tek Allahu e ta lusë Atë fortë që t’ia largojë atë. Duhet të dijë se në atë sprovë ka urtësi e dobi të shumta, Pastaj, le t’i gëzohet premtimit të Allahut i Cili ka thënë: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”. Zumer 10.

 

Transkriptim dhe përshtatje – Marrë nga dërsi “Mes mirëqenies dhe sprovimit” – Hoxhë Petrit Perçuku.

Madhësia e tekstit