Mëshira ndaj të tjerëve
Prej gjërave përmes të cilave përmirësohet zemra është se njeriu duhet të ketë mëshirë në zemrën e tij. Mëshira (rahmeti) është provë se një zemër është e butë. Mëshira është prej veprave të zemrës. Gjurmët e saj shfaqen në gjymtyrë. Ai që ka zemër të mëshirshme dhe i mëshiron të tjerët, Allahu do ta mëshirojë atë. Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në një rast filluan t’i lotonin sytë (duke pasur në duar djalin e vajzës së tij i cili ishte në momentet e fundit të jetës) dhe Sad ibën Ubade (i cili ishte i pranishëm) nga çudia i tha: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë është kjo?” Atëherë i tha: “Kjo është prej mëshirës, të cilën Allahu e ka vendosur në zemrat e robërve të Tij. Ai i mëshiron vetëm robërit e Tij që janë të mëshirshëm ndaj të tjerëve.” Ka ardhur një beduin te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe i ka thënë se ai nuk i puth fëmijët e tij, ndërsa ai salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Çfarë të bëj unë me ty (s’kam asgjë në dorë) kur Allahu ka larguar mëshirën prej zemrës tënde?!” Një ditë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka puthur nipin e tij Hasenin dhe aty afër ulur ka qenë Akra (sahabi) i cili ka thënë: “Unë kam dhjetë fëmijë dhe asnjërin prej tyre kurrë nuk e kam puthur.” Atëherë ai salAllahu alejhi ue selem e ka shikuar dhe i ka thënë: “Ai që nuk i mëshiron të tjerët, nuk mëshirohet prej Allahut.” Mëshira ka lidhje të fortë me përmirësimin e zemrës, ajo e zbutë atë, e bën të lehtë. Gjithashtu ka thënë: “Ata që janë të mëshirshëm i mëshiron i Gjithëmëshirshmi. Mëshironi ata që janë në tokë, ju mëshiron Ai që është në qiell.”
Disa grupe (sekte) që i atribuohen Islamit, prej zemrave të të cilëve Allahu ka larguar mëshirën, i shpallin jobesimtarë muslimanët, pastaj i vrasin, edhe nëse dëshmojnë shehadetin. Ndërsa, armiqtë e Islamit të cilët hedhin peshq në ujin e ndotur (shohin këto sekte duke vepruar kështu) mundohen të shpërfytyrojnë pamjen e saktë e Islamit (e përshkruajnë si fe të dhunës, terrorit, vrasjes etj.). Andaj, dëshirojmë t’ua sqarojmë këtyre se këto veprime janë në kundërshtim me Islamin dhe se Islami nuk është fe e dhunës. Atyre duhet t’iu tregojmë se Islami është fe e mëshirës, ajo thërret në mëshirë.
Vetë Allahu ia ka bërë detyrë Vetës mëshirën (ndaj krijesave), “Zoti juaj ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën” Enam 54. Vetë i Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka qenë Pejgamber i mëshirës. “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” Enbija 107. Ai salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “O ju njerëz, unë jam një mëshirë që u është dhuruar juve…” Edhe sahabët kanë qenë të mëshirshëm ndaj njëri-tjetrit, “Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre.” Fet’h 29.
Besimtarët e vërtetë (ehli suneti) janë ata që e njohin më së miri të vërtetën dhe (njëkohësisht) janë të mëshirshëm ndaj krijesave, siç kanë thënë dijetarët e mëhershëm.
Si përmirësohet zemra përmes mëshirës?
► Të tregohemi të mëshirshëm ndaj të gjitha krijesave (njerëz apo kafshë). Hadith: “Nuk do të besoni derisa të jenë të mëshirshëm ndaj njëri-tjetrit” dhe e ka sqaruar: “Nuk e kam fjalën për mëshirën ndaj të afërmit, shokut, por për mëshirën e përgjithshme (ndaj të gjitha krijesave).” Dhe: “Mëshironi, do të mëshiroheni (prej Allahut).”
►Të tregohemi të mëshirshëm ndaj jetimëve. Ka ardhur një njeri te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe i është ankuar se i është ngurtësuar zemra, dhe i ka thënë: “Mëshiroje jetimin, fërkoja kokën dhe ushqeje me ushqimin me të cilin ushqehesh…”
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.