Mirësitë e shumta të Ramazanit
Ky muaj ka shpërblim shumë të madh. Allahu këtë muaj dhe agjërimin në të e ka veçuar për Veten e Tij, siç transmetohet në një hadith kudsij se Allahu ka thënë: “Çdo punë e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, ai më përket Mua dhe Unë shpërblej për të.” Buhariu dhe Muslimi.
Agjërimi është mburojë nga mëkatet, ashtu siç është mburojë nga zjarri. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjërimi është mburojë.” Në një tjetër ka thënë: “Agjërimi është mburojë me të cilën njeriu mbrohet nga zjarri i xhehenemit.”
Agjërimi në këtë muaj është shkak për faljen e mëkateve. Kjo është një prej vlerave më madhështore të këtij muaji. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe me shpresë (në shpërblim), atij i falen mëkatet e kaluara.”
Agjërimi në përgjithësi, si adhurim, është madhështor, atë e përjeton shumë muslimani, e megjithatë në Ramazan kjo i shtohet ende, për shkak të mëshirës së madhe që Allahu e zbret në Ramazan dhe bekimeve e begative të shumta.
Agjërimi është prej veprave më madhështore me të cilat muslimani ofrohet tek Allahu. Ebu Umame i tha të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem: “Më urdhëro me një vepër me të cilën do të kem dobi!” Atëherë ai salAllahu alejhi ue selem i tha: “Mos iu ndaj agjërimit sepse nuk ka diçka sikurse ai.”
Agjërimi do të ndërmjetësojë për muslimanin në Ditën e Gjykimit, ashtu siç do të ndërmjetësojë edhe Kurani. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar: “Në Ditën e Gjykimit agjërimi do të thotë: “O Zoti im, unë e kam penguar këtë robin tënd nga ushqimi dhe nga epshet (gjatë ditës), andaj ma mundëso të ndërmjetësoj për të!” Pastaj do të ndërmjetësojë për të.
Agjërimi është shkak për gëzimin dhe lumturinë e muslimanit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjëruesi ka dy gëzime: njëri kur çel iftarin dhe tjetri kur do ta takojë Zotin e tij (dhe Ai e shpërblen për agjërimin).”
Aroma e pakëndshme që del nga goja dhe brendësia e agjëruesit, tek Allahu është më e mirë sesa aroma e miskut (parfumit). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, aroma e cila del nga goja e agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa aroma e miskut!” Kjo sepse ajo del si rezultat i angazhimit me adhurim ndaj Allahut.
Për agjëruesit në xhenet është caktuar një derë e veçantë, e cila quhet er Rajjan. Kur agjëruesit futen në atë derë, ajo mbyllet, dhe askush tjetër përveç tyre nuk ka mundësi të hyjë.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.