Morali i nxënësit para mësuesit të tij

Morali i nxënësit para mësuesit të tij

Kur nxënësi ulet përball mësuesit të tij, duhet të ulet me edukatë, duhet të jetë modest para tij dhe t’i drejtohet me vëmendje. Nëse mësuesi sillet ashpër me të apo e qorton, atëherë le të bëjë durim, nuk duhet t’ia kthejë me ashpërsi, por duhet tregohet i butë me mësuesin, sepse beson se mësuesi i Kuranit duhet të respektohet ndërsa nxënësi duhet të ketë turp ndaj tij.

Kur mësuesi merr mësim të ri, nxënësi ta falënderojë mësuesin, të lutet për të dhe ta respektojë. Ai nuk sillet ashpër me mësuesin e tij nëse mësuesi sillet ashpër me të, përkundrazi, e nderon atë edhe nëse mësuesi nuk e nderon aq. Ajo që kërkohet prej nxënësit është të përmbushë obligimet karshi mësuesit, sepse me kalimin e kohës, nëse nxënësi ka këtë edukatë, do t’ia njohë vlerën nxënësit, ngase njerëzit të cilët e bartin Kuranin janë njerëz të mirësisë, janë vigjilent dhe i njohin të drejtat e të tjerëve ndaj tyre.

Nëse mësuesi neglizhon përmbushjen e ndonjë të drejte të nxënësit, atëherë nxënësi nuk duhet të neglizhojë të drejtën e tij që duhet ta përmbushë karshi tij, sepse Allahu e ka obliguar atë të njohë vlerën e dijetarëve dhe t’iu bindet atyre, kështu e ka urdhëruar edhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, siç ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk ia di vlerën dijetarit tonë.” Patjetër duhet të marrësh prej udhëzimit të dijetarit, ta zbatosh dijen që ta jep dhe ta respektosh e ta lartësosh atë, sepse “Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija.” Muxhadile 11.

Nëse hedhim një vështrim te brezat e parë të Islamit rreth asaj se si ka qenë sjellja ndaj mësuesit, do të shohim gjëra të mrekullueshme dhe mahnitëse. Tavusi ibën Kejsan ka thënë: “Prej sunetit është nderimi i dijetarit.” Abdullah ibën Abbasi është parë duke mbajtur në shenjë respekti frerët e kafshës së Ubej ibën Kabit i cili ka qenë hipur mbi kafshë, dhe njerëzit e kanë pyetur Abdullah ibën Abbasin: “Ti je djali i axhës së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, pse po vepron kështu?” Dhe është përgjigjur: “Ai i cili është dijetar i madh duhet të nderohet.” Po ashtu ai ka thënë: “Kam ndenjur për dy vite me Umerin radijAllahu anhu dhe kam dashur ta pyes për diçka, mirëpo nuk kam mundur, për shkak të respektit dhe autoritetit të madh të tij.” El Hasen el Khalal ka treguar se Mutemir ibn Sulejmani ka qenë duke treguar hadithe (në vendin e mësimit), dhe në një moment ka ardhur Abdullah ibën Mubareku, atëherë si e ka parë e ka ndërprerë tregimin e haditheve. I kanë kërkuar të vazhdojë e ai ka thënë: “Ne nuk flasim në praninë e njerëzve të mëdhenj (ua lëmë fjalën atyre).” Tregohet se kur Imam Shafiu është ulur para imam Malikut, i ka shfletuar butësisht e lehtë fletët e librit, në shenjë respekti ndaj tij (që të mos e shqetësonte).[1] Një prej nxënëseve të Imam Ahmedit ka treguar se ai e ka parë duke qeshur me zë, dhe ka thënë: “Ende kam turp që më ka parë në atë gjendje!”

Pasi nxënësi e përfundon pjesën që ka pasur ta recitojë te mësuesi i tij, atëherë nëse dëshiron qëndron në Xhami e nëse dëshiron të largohet, atëherë largohet me edukatë të lartë. Nëse shkon në Xhami dhe mësuesi nuk do të vijë, atëherë mund të bëjë namaz vullnetar, apo dhikër, apo falënderim ndaj Allahut që ia ka mësuar Kuranin, apo qëndron në xhami që të ruajë shikimin, apo të ruhet prej shoqërimit me njerëz të cilët bëjnë përgojim, biseda të tepërta etj.

Ai duhet të tregojë morale të larta para mësuesit, por edhe pas përfundimit të mësimit – morale të cilat u shkojnë përshtati bartësve të Kuranit.

[1] Ndërsa sot në kuvendet e dijes ndokush hap telefonin e shkruan, ndokush kthen telefonatën, ndokush i shtrinë këmbët kah mësuesi etj.

 

Hoxhë Petrit Perçuku

Transkriptim

Madhësia e tekstit