Muavije radijAllahu anhu
Muavije ka qenë prijësi i besimtarëve. Ai ka hyrë në Islam pas çlirimit të Mekës. Ka qenë prej sahabëve më të vlefshëm. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ia ka besuar atij shkrimin e Shpalljes.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur për të: “O Allah, bëje Muavijen udhëzues për të tjerët dhe të udhëzuar (në veten e tij)!” Tirmidhiu. Dhe: “Është bërë obligim Xheneti për ushtrinë e parë prej umetit tim e cila do të luftojë në det.” Buhariu. Komandanti i kësaj ushtrie ka qenë Muavije.
Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani radijAllahu anhuma e kanë caktuar Muavijen për udhëheqës për njëzetë vite radhazi. Udhëheqësia e tij ka vazhduar edhe njëzetë vite pas fitnes (që ka ndodhur mes tij dhe Aliut). Të gjithë dëshmojnë se Muavije ka qenë i drejtë dhe i mirë me ata që kanë qenë nën udhëheqësinë e tij. Ai është bërë udhëheqës i Shamit pas vdekjes së vëllait të tij Jezidit.
Ehli suneti thonë se Muavije gjatë hilafetit të Aliut nuk ka qenë halife, por ka qenë mbret – udhëheqës. Muavije në raport me fitnen që ka pasur me Aliun,[1] ka qenë muxhtehid (e ka dhënë mendimin e tij dhe shpërblehet për të, porse ka gabuar në të, ndërsa e vërteta ka qenë në anën e Aliut). Pas vdekjes së Aliut dhe dorëzimit të hilafetit që ka bërë Haseni (me zgjedhjen e tij të lirë) te Muavija, atëherë hilafeti i Muavijes ka qenë i vërtetë. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e ka lavdëruar Hasenin duke thënë: “Biri im është zotëri. Allahu përmes tij do të pajtojë dy grupe të mëdha të muslimanëve.”
Muavije ka qenë shumë bujar në rrugën e Allahut. Kjo ka qenë prej tipareve të tij. Gjithashtu njeri i dijshëm, i butë dhe i drejtë. Ai ka transmetuar 136 hadithe.
Ka vdekur në Damask, në vitin 60 hixhri, në moshën 87 vjeçare (apo 82, apo 86). Përmendet se ka poseduar disa gjëra të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, si: izarin e poshtëm, këmishën, disa qime dhe thonj. Ka porositur të qefinoset me këmishën dhe izarin e Pejhamberit salAllahu alejhi ue selem, ndërsa në vendet e sexhdes t’i vendosen thonjtë dhe qimet e tij.
[1] Aliu dhe Muavija kanë qenë sahabë – shokë të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe të dytë hyjnë tek ajeti: “…Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim, edhe ata janë të kënaqur me Atë.” Teube 100. Kush fyen apo mallkon njërin prej tyre, atij i takon mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i njerëzve.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🖊Transkriptim



