NDARJA E NJERËZVE SIPAS VEPRAVE DHE PËRFUNDIMIT TË TYRE
1.Ata të cilët i ka paraprirë mirësia e Allahut, të cilëve u ka dhënë lumturi e sukses të dallojnë mes së vërtetës dhe të pavërtetës. Ata ndjekin rrugën e drejtë të Allahut, veprojnë me urdhrat e Allahut, e adhurojnë Atë me argumente me shpresë në shpërblimin e Tij dhe braktisin mëkatet me argumente me frikë prej dënimit të Tij. Këta janë të mençurit, me intelekt të shëndoshë, el gurabah- të huajt, të cilët përmirësohen kur njerëzit prishen dhe përmirësojnë atë që prishin njerëzit. Këta janë të dashurit e Allahut, “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut). Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën. S’ka ndryshim në fjalët e Allahut; kjo është fitorja madhështore.” Junus 62-64. Ata janë pala e të Gjithmëshirshmit: “Ata janë Pala e Allahut dhe, vërtet që Pala e Allahut do të jetë fituese.” Muxhadile 22. Ata janë të cilët kanë qëndruar fortë në rrugën e Allahut dhe Ai i lavdëron ata në Kuran: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë.” Fussilet 30-32. Dhe: “Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!”; dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë; dhe ata që thonë: “O Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit, sepse, me të vërtetë, dënimi i tij është i përjetshëm e ai është vendbanim dhe vendstrehim i keq” Furkan 63-66. Ata nuk janë mashtruar pas dunjas sepse atë e kanë parë me syrin e largpamësisë (me mendjemprehtësi, me meditim në realitetin e dunjas).
- Ata të cilët janë dhënë pas dunjasë, nga injoranca (mosdija për Allahun, për të drejtën e Tij ndaj tyre që është adhurimi ndaj Tij, mosdija për qëllimin pse janë krijuar, mosdija për realitetin e kësaj bote) i kanë dhënë përparësi jetës së kësaj bote dhe kanë shijuar pasojat e kësaj përparësie. Ata nuk i kanë zbatuar urdhrat e Allahut, nuk janë larguar prej ndalesave, nuk e kanë pranuar udhëzimin e këshillën prej Pejgamberëve. Ata kanë logjikë të dobët. Nuk bëjnë dallim mes së vërtetës dhe të pavërtetës. Dunjaja i ka mashtruar me stolitë e bukuritë e saj, andaj i janë nënshtruar asaj dhe e kanë nderuar atë. Kënaqësitë e kësaj jete i kanë hutuar ata, dhe kanë anuar pas saj, qëllimi e preokupimi i tyre është bërë dunjaja.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset “Poezi për zuhdin”.