Në këto ditë pandemie po dalin materiale me përmbajtje konspirative dhe preh e tyre po bien vetë muslimanit…

Në këto ditë pandemie po dalin materiale me përmbajtje konspirative dhe preh e tyre po bien vetë muslimanit, të cilët po i shpërndajnë pa hezitim. Një këshillë!

Bazë në fe është mospërhapja e lajmeve pa i konfirmuar. Allahu thotë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë)…” Huxhurat 6. Ky ajet bën fjalë për një musliman mëkatar, e mos të flasim për atë se lajmet që marrim na vijnë prej jobesimtarëve, apo prej sufive e sekteve, apo prej personave që pretendojnë se dinë çfarë ndodhë në botë, për marrëveshjet e fshehta, planet etj., dhe pastaj i plasojnë në mesin e muslimanëve, duke u bërë këta nga të parët që i pranojnë ato. Kjo është në kundërshtim me fenë. Nuk lejohet pranimi i një lajmi pa qenë i konfirmuar. E konfirmimi i tij është gjë e pamundur sepse burimi i atij lajmi nuk dihet. Kur i pyet: “A e ke burimin e lajmit?”, të referon te ndonjë emër që është i dyshimtë për shkak të besimit të tij, apo mendimeve të tij, apo nuk është prej ehli sunetit etj. E vetë ky pastaj nuk tregon se nga e ka marrë, por thjeshtë e jep si lajm. Të përhapet çdo gjë që lexohet në internet, kjo nuk bën dhe ka pasoja të shumta. Te dikush mund të shkaktojë frikë, panik, përçarje etj. Teoritë konspirative, muslimani nuk duhet t’i besojë menjëherë pa u konfirmuar ato. Se a mund të konfirmohen, kjo është e pamundur, për arsye se vetë ata që i nxjerrin këto teori kanë deklaruar se do të nxjerrin aq shumë teori sa njerëzve do t’iu humbet fija e lëmshit dhe nuk do ta dinë se cila është vërteta e cila e rrejshmja. Këto teori dikush i shpikë qëllimisht, që të mbjellë konfuzion e mëdyshje se çfarë të besojnë njerëzit dhe frikë ndër ta. Andaj, muslimani në këto çështje duhet t’i mbështetet Allahut, të marrë mësimet e Tij dhe të Pejgamberit e t’i praktikojë në jetën e përditshme, dhe me lejen e Allahut nuk e dëmton asgjë. Kur vepron me atë që e ka mësuar Allahu dhe Pejgamberi i Tij, asgjë nuk mund ta dëmtojë, përveç nëse Ai lejon dikë apo diçka ta dëmtojë. Këto teori e plane kanë qenë gjithmonë gjatë historisë, por kur muslimanët u janë përmbajtur udhëzimeve të Kuranit e sunetit, nuk janë dëmtuar nga intrigat. Muslimani duhet të ketë kujdes të mos bie viktimë e këtyre lajmeve dhe të mos i pranojë aq lehtë, por duhet shumë të ketë kujdes dhe të mos e marrë një lajmë përveçse atëherë kur konfirmohet qartësisht si fakt e dëshmi.

 

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Madhësia e tekstit