Nëntë parime për pastrimin e shpirtit
Allahu thotë: “قَدْ أَفْلَحَ مَن تَزَكَّىٰ – I shpëtuar është ai që pastrohet…” Ala 14. Në këtë ajet, Allahu na tregon se ai i cili pastrohet shpirtërisht, do të shpëtojë në këtë botë dhe tjetrën. Felah – shpëtim nënkupton: Njeriu ka arritur të posedojë mirësinë në këtë botë dhe tjetrën. Dhe thotë: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” Shems 9.
Pastrimi dhe dëlirja e shpirtit është një çështje e rëndësishme, të cilës çdo musliman duhet t’i kushtojë rëndësi të lartë.
Do të përmendim disa prej rregullave dhe parimeve më të rëndësishme që kanë të bëjnë me pastrimin e shpirtit:
- Pastrimi i shpirtit është një çështje e cila është në Dorën e Allahut
Askush nuk mund të arrijë pastrimin e shpirtit përveç ai të cilin Allahu e pastron. Ai thotë: “Allahu dëlir kë të dojë…” Nisa 49. “Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush nga ju nuk do të ishte pastruar kurrë (prej gjynaheve); Allahu pastron atë që dëshiron Vetë.” Nur 21. Dhe: “Allahu jua ka bërë të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, ashtu siç jua ka bërë të urryer mosbesimin, shthurjen dhe mosbindjen. Pikërisht ata janë të udhëzuarit drejt me mirësinë dhe hirin e Allahut.” Huxhurat 7-8. Ky parim na çon te parimi i dytë i cili është i ndërlidhur me të:
- Lutja tek Allahu që të ta pastrojë shpirtin
Duke qenë se pastrimi dhe dëlirja e shpirtit është në Dorën e Allahut dhe se askush nuk ka mundësi të pastrohet përveçse ai të cilin Ai e ka mëshiruar dhe ia ka dhuruar këtë dhunti, atëherë kjo tregon se sa e madhe është nevoja e njeriut që t’i drejtohet Allahut me lutje duke këmbëngulur, që t’ia pastrojë shpirtin. Siç e dimë, lutja tek Allahu është çelësi i arritjes së çdo mirësie, të kësaj bote dhe botës tjetrës. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur shpesh: “اللَّهُمَّ آتِ نَفْسِي تَقْوَاهَا وَزَكِّهَا أَنْتَ خَيْرُ مَنْ زَكَّاهَا أَنْتَ وَلِيُّهَا وَمَوْلَاهَا – O Allah! Jepi shpirtit tim devotshmëri dhe pastroje/dëlire atë ngase Ti më së miri e pastron atë! Ti je mbrojtësi dhe kujdestari i shpirtit tim!” Muslimi.
- Baza e pastrimit shpirtëror është realizimi i teuhidit
Teuhidi (njëshmëria e Allahut, e kundërta e shirkut) është sikurse themel që mban ndërtesën e pastrimit shpirtëror apo shtylla kryesore mbi të cilën qëndron ajo. Ai është si rrënja për pemën, pa të cilën ajo nuk mund të qëndrojë. Edhe pastrimi i shpirtit nuk ka mundësi të qëndrojë i fortë pa teuhidin. Allahu thotë: “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë (fjala La ilahe ilAllah) me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë.” Ibrahim 24. E tillë është çështja e teuhidit kur të vendoset në zemrën e besimtarit. “degët nga qielli” – rezulton vepra të mira. “jep fruta” – ka mirësjellje e morale të mira. Pema e pastrimit shpirtëror qëndron mbi rrënjët e teuhidit. Por, nëse njeriu nuk ka teuhid, atëherë nuk do të mundet të pastrojë dhe dëlirë shpirtin e tij. Të gjitha veprat e tij bëhen hi e pluhur, sepse shirku asgjëson veprat.
- Burimi i pastrimit shpirtëror është Kurani
Sa më shumë që njeriu është i lidhur për Librin e Allahut (e lexon shumë, mediton mbi kuptimet e tij dhe vepron sipas tij), për aq do të ketë hise në pastrimin e shpirtit të tij. Allahu thotë: “Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare)…” Ali Imran 164. Ajeti na tregon se kur njeriu lexon ajetet e Kuranit, kjo gjë pastron shpirtin e tij. Sa më shumë që t’i përkushtohesh Kuranit, për aq do të dëlirësh shpirtin, dhe sa më larg tij që je, aq më larg do të jesh nga kjo dëlirje.
- Pastrimi shpirtëror bëhet duke pasuar të Dërguarin salAllahu alejhi ue selem
Pejgamberët e Allahut janë shembull e model për ata të cilët duan të pastrojnë vetët e tyre (anën shpirtërore). Modeli ynë në pastrimin e shpirtit tonë është Muhamedi salallahu alejhi ue selem. Allahu na tregon se imami i të Dërguarve, zotëria i krijesave dhe vula e Pejgamberëve, duhet të jetë shembulli ynë, “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm…” Ahzab 21. Kjo vlen për çdo çështje. Andaj, nëse do të pastrosh shpirtit tënd, atëherë shembullin më të mirë e ke tek Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Si ka mundësi që dikush të synojë të arrijë këtë gjë ndërkohë që nuk pason Muhamedin salAllahu alejhi ue selem, por pason dikë tjetër, apo merr shembull dikë tjetër?! Kjo është e pamundur. Vetë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka dhënë një parim përmbledhës dhe kriter të cilin duhet ta marrim për peshore në të gjitha çështjet e fesë sonë, që është: “Kush bën një vepër e cila nuk është e bazuar në fenë tonë (në fenë me të cilën ka ardhur ai salallahu alejhi ue selem), ajo refuzohet.” Andaj, edhe pastrimi shpirtëror, nëse nuk është i bazuar në fenë e Muhamedit salAllahu alejhi ue selem, nuk pranohet tek Allahu.
- Rrugët e shpikura nga njerëzit për pastrim shpirtëror janë të dështuara
Rrugët dhe metodat e shpikura – të pabazuara në sunetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, përmes të cilave njerëzit pretendojnë të pastrojnë shpirtin, në realitet i dërgojnë shumë larg kësaj dhe nuk mund ta realizojnë atë. Kjo është lojë e shejtanit. Gjatë gjithë historisë së Islamit, rrugët e tilla janë të shumta dhe të gjitha janë bidate dhe teka të cilat i kanë ndjekur shpikësit e tyre. Disa prej tyre: Vetmimi në errësirë dhe ndërprerja e çdo lidhjeje me të tjerët, për disa ditë të caktuara (madje ndodh të përsërisin fjalë të cilave nuk ua dinë kuptimin), apo largimi ndaj disa ushqimeve të caktuara etj. Këto rrugë të devijuara e të shpikura i gjejmë te sufitë, të cilat veçse i kanë larguar më shumë prej pastrimit të shpirtit.
- Përmbajtja ndaj rrugës së mesme në pastrimin shpirtëror
Si në çështjet tjera të fesë, edhe në këtë çështje, duhet t’i përmbahemi rrugës së mesme – drejtësisë, në të cilën nuk ka as teprim e as shkujdesje. Allahu thotë: “Ne ju kemi bërë një bashkësi (umet) të drejtë…” Bekare 143. Nëse besimtari bën adhurime apo stoliset me morale të mira dhe përmes kësaj dëshiron të pastrojë shpirtin, medoemos duhet t’i përmbahet rrugës së mesme të vërtetë – sunetit të Muhamedit salAllahu alejhi ue selem. Ai na ka sjellë një shembull shumë të mirë se si besimtari duhet të përpiqet t’i përmbahet rrugës së mesme, ka thënë: “Qëllojani cakut, ose përafrojuni, dhe përgëzohuni!” Ndërsa, ai që ia kthen kurrizin sunetit dhe nuk i kushton rëndësi, por ndjek tekat dhe dëshirat e veta, si ka mundësi t’ia ketë qëlluar cakut dhe rrugës së mesme?! I tilli nuk është prej atyre që ndjekin rrugën e mesme.
- Pastrimi shpirtëror është boshatisja pastaj mbushja
Njeriu nuk ka mundësi të arrijë të pastrojë dhe të dëlirë shpirtin e tij veçse përmes këtyre dy gjërave: boshatisjes dhe mbushjes. Boshatisje prej ndalesave, mëkateve, veseve, të metave dhe tipareve të këqija, pastaj mbushja me vepra të mira, morale të mira dhe tipare e virtyte të larta. Prej ajeteve që tregojnë se pastrimi i shpirtit nënkupton boshatisjen prej mëkateve dhe gjërave të këqija, është: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më e pastër për ta!” Nur 30. Prej ajeteve që tregojnë se pastrimi i shpirtit nënkupton mbushjen me virtyte e gjëra të mira, është: “I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!” Ala 14-15. Përmendja e Allahut, namazi dhe adhurimet e tjera, me të cilat afrohemi tek Ai, pastrojnë shpirtin tonë.
- Kujtimi i Ditës së Gjykimit
Gjithmonë le të jetë para syve të tu se një Ditë do të dalësh para Allahut dhe do të japësh llogari për veprat e bëra. Nëse ia kujton vetes këtë gjë, gjatë ditës apo natës, apo në pjesën më të madhe të tyre, kjo do të të ndihmojë të pastrosh dhe dëlirësh shpirtin tënd. Allahu thotë: “Vërtet, unë kam qenë i bindur se do të jepja llogari.” Kështu, ai do të ketë jetë të lumtur…” Hakka 20-21. Allahu thotë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen!” Hashr 18. “për të nesërmen” do të thotë: Kur të dalë para Allahut në Ditën e Gjykimit. Prej ajeteve të fundit të zbritura është: “Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” Bekare 281. Kur ky besim kaq madhështor dhe ky përkujtim i bekuar e shoqëron besimtarin, do të bëhet shkak që ai të frenojë veten prej gjërave të këqija dhe mëkateve dhe do ta dërgojë drejt vlerave dhe virtyteve të mira.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🖊️Transkriptim