Ngurtësimi – Sëmundja e shtatë e zemrës

 

Ngurtësimi i zemrës dhe ilaçi

Qëllimi me ngurtësimin dhe forcimin e zemrës është kur ajo bëhet e vrazhdë dhe e ashpër. Allahu thotë: “Por, pas kësaj, zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri, madje edhe më të forta. Në të vërtetë, ka gurë nga të cilët burojnë lumenj, ka të atillë që çahen e nga të cilët rrjedh uji…” Bekare 74. Pra, zemra e njeriut kur kalon në këtë gjendje (ngurtësimi) mund të jetë më e ngurtë sesa guri, zemra e ngurtë është më e fortë sesa guri.

Ngurtësia e zemrës largon prej njeriut të mirat e dhuntitë që ia ka dhënë Allahu dhe është shkak për zbritjen e ndëshkimeve prej Tij. Personi që ka zemër të ngurtë është larg mëshirës së Allahut dhe larg krijesave, shumë shpejt njerëzit largohen prej tij.

Allahu e ka pastruar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem prej kësaj sëmundjeje, “Në saj të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.” Ali Imran 159. Këtu na tregohet se çfarë pasoja të mëdha ka njeriu kur ka zemër të ngurtë.

Malik ibën Dinari (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Njeriu nuk është goditur me bela dhe fatkeqësi më të madhe sesa ngurtësimi i zemrës. Dhe sa herë që Allahu zemërohet me një popull, largon mëshirën prej zemrave të tyre.”

Allahu i ka kërcënuar ashpër ata që kanë zemra të ngurta e të forta, i ka kërcënuar me dënim dhe ndëshkim në zjarrit të xhehenemit, thotë: “…mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu”. Zumer 22. Wejl – luginë në xhehenem, apo kërcënim se i pret ndëshkim.

Shkaqet e ngurtësimit të zemrës

Kalimi i një kohe të gjatë (pas kemi filluar të adhurojmë Allahun), “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur” Hadid 16. Dijetarët kanë dhënë komentime të ndryshme se çfarë është qëllimi me pjesën “Me kalimin e një kohe të gjatë”, dhe disa kanë thënë: “Kohë e gjatë mes tyre dhe Pejgamberëve”, disa kanë thënë: “Kanë anuar kah dunjaja dhe ia kanë kthyer kurrizin këshillave të Allahut (nuk kanë marrë më nga to)”, disa kanë thënë: “Kanë jetuar duke qenë të shkujdesur (për një kohë të gjatë) ndaj kujtimit dhe përmendjes së Allahut”, disa kanë thënë: “Ka kaluar kohë e gjatë duke mbajtur shpresa të kota se Allahu i fal (edhe pse kanë bërë mëkate e kanë qenë në mosbindje).” Dhe Allahu në këtë ajet na ndalon që të mos bëhemi sikur ithtarët e Librit para nesh: të preokupuar me jetën e kësaj bote dhe të shmangur nga këshillat e Allahut, dhe kjo patjetër rezulton në ngurtësimin e zemrave.

Thyerja e besës ndaj Allahut dhe njerëzve, “Për shkak se ata e thyen besëlidhjen e tyre, Ne i mallkuam ata dhe ua bëmë zemrat të ashpra.” Maide 13.

─  Shkujdesja ndaj përmendjes së Allahut. Nëse njeriu nuk e përmend Allahun, atëherë zemra e tij patjetër se do të ngurtësohet. Allahu thotë: “…mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu”. Zumer 22.

Bërja e mëkateve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu kur vepron një mëkat, në zemrën e tij vendoset një pikë e zezë. Nëse largohet prej atij mëkati, pendohet dhe kërkon falje atëherë i pastrohet ajo, e nëse i kthehet mëkatit i bëhet prapë një pikë e zezë, derisa (pikat e zeza) t’ia përfshijnë pjesën më të madhe të zemrës.” Nëse njeriu vazhdon në mëkate, atëherë ato ia mbulojnë zemrën e tij dhe ai më nuk pranon këshillat, nuk ndjen ëmbëlsinë ndaj adhurimit dhe nuk ndikohet prej leximit të Kuranit.

Qeshja e tepërt. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos e shpeshto të qeshurën, sepse të qeshurit e tepërt e vdes zemrën.”

 

Ilaçi i ngurtësimit të zemrës

Ajo gjë e cila e largon këtë ngurtësi prej zemrës është butësia e saj, kur njeriu mundohet ta zbusë zemrën dhe ta mbushë me mëshirë ndaj të tjerëve dhe me frikë ndaj Allahut. Kur flasim për zemrën e butë, atëherë për qëllim është se ajo lehtësisht i bindet të vërtetës, e pranon atë dhe sillet me butësi e mirësi me njerëzit. Kjo është shenjë e zemrës së butë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “A doni t’ju tregoj se kujt Allahu ia ka bërë të ndaluar ta prekë zjarri i xhehenemit? Atij që është i afërt me njerëzit, i lehtë (në raport me ta), i butë dhe i mirë me ta.” Kuptimi i kundërt i hadithit është se Allahu nuk ia ka bërë të ndaluar zjarrit të xhehenemit të prekë atë që ka zemër të ngurtë e të fortë.

Shkaqet e zbutjes së zemrës (nga ngurtësimi)

Përmendja e Allahut, në mënyrë të përgjithshme apo të veçantë (leximi i Kuranit). Allahu thotë: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Rad 28. Dhe: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët…” Isra 82. Dhe hadithi: “Shembulli (krahasimi) mes atij që e përmend Zotin e tij dhe atij që nuk e përmend, është sikur shembulli i të gjallit me të vdekurin.”

Ushqimi i të varfërve, nevojtarëve, dhe fërkimi i kokës së jetimit. Një njeri është ankuar te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem për ngurtësimin e zemrës së tij dhe ai i ka thënë: “Nëse do që të të zbutet zemra, atëherë ushqeje të varfrin dhe fërkoje kokën e jetimit.” Dhe ka thënë: “Tregohu i mëshirshëm ndaj jetimit, fërkoja kokën dhe jepi ushqim prej ushqimit që ha ti, kështu do të të zbutet zemra dhe Allahu do t’i plotësojë qëllimet tua.”

Kujtimi i vdekjes, jetës së varrit dhe Ditës së Ringjalljes. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shtojeni sa më shumë kujtimin e asaj që shkëput kënaqësitë e kësaj jete. E ajo është vdekja.” Sa më shumë që e kujton vdekjen, nuk do të ndikohesh prej joshjeve dhe kënaqësive të jetës dhe do të të zbutet zemra. Ndërsa, Xhibrili i ka thënë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “O Muhamed! Jeto sa të duash, por dije se një ditë do të vdesësh. Duaje kë të duash, por dije se një ditë do të ndahesh prej tij. Puno çfarë të duash, por dije se për atë që punon do të shpërblehesh ose do të dënohesh.” Sa i përket varrit ka thënë: “Më herët ua kam ndaluar vizitën e varreve, por që tani vizitoni ato, sepse kjo e zbutë zemrën, bën syrin të lotojë dhe ua kujton botën tjetër!” Sa i përket kujtimit të Ditës së Gjykimit Allahu thotë: “Me të vërtetë, ata që dridhen nga frika e Zotit të tyre, që besojnë në shpalljet e Zotit të tyre, që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre, dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre, ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët.” Muminun 57-61. Kush e shpeshton kujtimin e këtyre gjërave, patjetër atij do t’i zbutet zemra dhe do t’ua kalojë të tjerëve në vepra të mira. E ai që nuk i kujton këto, atëherë zemra e tij do të ngurtësohet dhe do të shpejtojë të veprojë mëkate (kjo është gjendja e shumicës së njerëzve).

Mësimi i dijes fetare (e bazuar në Kuran dhe sunet sipas të kuptuarit të gjeneratave të para). Allahu thotë: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët…” Fatir 28. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem çdo ditë pas namazit të sabahut e ka lutur Allahun me këtë lutje: “O Allah, kërkoj prej Teje të më japësh dije të dobishme, furnizim të mirë dhe vepër të pranuar!”

Atij që i zbutet zemra, do t’i zbuten edhe fjalët dhe veprat. Ky është rezultat i pashmangshëm dhe patjetër do të jetë i butë në raportet me njerëzit. Atij që i zbutet zemra do të arrijë lumturinë në këtë botë dhe tjetrën.

Nëse sheh veten se je i ashpër e arrogant me të tjerët, atëherë dije se ke problem me zemrën tënde, ende në të ka ngurtësi.

Ne duhet të mundohemi të jemi të afërt me Allahun duke i zbutur zemrat tona dhe të afërt me njerëzit. Kështu, të tillët do të fitojnë xhenetin dhe do të shpëtojnë prej zjarrit.

 

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit