Ngushëllim për të brengosurit dhe të pikëlluarit

Ngushëllim për të brengosurit dhe të pikëlluarit

 

Trajtimi i duhur i brengave dhe pikëllimeve:

  1. Besimi në Caktimin e Allahut

Kur të paraqiten brengat dhe pikëllimet, dije se kjo ka qenë me Caktimin e Allahut. Besimi në Caktimin e Tij është ilaçi më i fortë kundër brengave dhe pikëllimeve. Kjo gjë t’i largon ato, sepse në momentin kur të shfaqen, i thërret mendjes dhe e ngushëllon veten se kështu ka Caktuar Allahu. Nëse sprovohesh në trupin tënd, apo në anëtarët e familjes, apo të shqetëson diçka, apo të humbet pasuria, atëherë dije se këtë e ka shkruar Allahu – Ai ka dashur me Urtësinë, Mëshirën dhe Drejtësinë e Tij të të godasë kjo sprovë. Kur të besosh me bindje në këtë, atëherë kjo të qetëson, të rehaton dhe të zbutë brengat e pikëllimet. Besimtari që beson në Caktimin e Allahut, bindshëm, gjithmonë është njeri i qetë dhe optimist.

  1. Kthimi tek Allahu me lutje për t’i larguar brengat e pikëllimet

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

اللَّهُمَّ إِنِّي أَعُوذُ بِكَ مِنْ الْهَمِّ وَالْحَزَنِ

“O Allah, kërkoj mbrojtje tek Ti nga brengat dhe pikëllimet!” Shënon Buhariu

Kur njeriu ngreh duart drejt Allahut, e lut Atë, shfaq brengën e tij dhe i ankohet Atij, dije se ai do t’ia largojë atë brengë.

Njëri nga dijetarët ka thënë: “Çuditem me atë person i cili është sprovuar me brenga e pikëllime, se si harron lutjen e Junusit alejhi ue selem të cilën e ka përmendur Allahu në Kuran.”

لاَ إِلَهَ إِلَّا أنْـت سُـبْحانَكَ إِنِّي كُنْـتُ مِنَ الظّـالِميـن

“Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje, Ti je i Pastër nga të metat. Me të vërtetë, unë i kam bërë padrejtësi vetes!”

Drejtoju Allahut me lutje, shtrij duart drejt Tij, nxjerre atë që të mundon përbrenda, shfaqja Allahut dhe ankohu tek Ai. Drejtoju Allahut me lutje të sinqertë duke qenë i bindur se Ai të përgjigjet dhe mbaj mendim të mirë ndaj Tij, se pa dyshim Ai t’i largon brengat e pikëllimet.

  1. Leximi i Kuranit, falja e namazit, bërja e dhikrit

Kjo është një lidhje më e veçantë me Allahun. Transmetohet se kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është goditur nga ndonjë gjë, ka falë namaz. Ai salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Prehja e shpirtit tim më është bërë në namaz.” Aty ka gjetur qetësinë.

Kurani është shërim, “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim…” Isra 82. Kurani është ilaç për sëmundjet fizike, shpirtërore dhe emocionale. Nuk është qëllimi vetëm të lexohet, por të lexohet me meditim dhe reflektim dhe të zbatohet në jetë, në këtë mënyrë pastaj ka ndikim leximi i Kruanit.

Gjithashtu dhikri ka efekt të mahnitshëm në largimin e brengave dhe pikëllimeve. Allahu thotë: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Rad 28. Gjuha jote, siç ka ardhur në hadith, le të jetë e njomë sa më shumë me përmendjen e Allahut, sidomos me fjalën La hawle we la kuwwete il-la bil-ah – Nuk ka fuqi dhe ndryshim pa lejen e Allahut.

  1. Shoku i ngushtë tek i cili shfaq brengat e pikëllimet

Fillimisht mos harro Allahun, pastaj nuk ka të keqe të bisedosh me një shok të ngushtë (besimtar) duke ia shfaqur problemet të cilat janë duke ta trazuar jetën dhe duke të shqetësuar (të shkaktojnë siklet dhe ankth). Dijetarët kanë thënë: “Nga gjërat që t’i nxjerrin jashtë mendimet (trazimet), është që t’i flasësh ato (të mos i mbash brenda.” Mirëpo, është kusht që personi me të cilin bisedon të jetë njeri që ka frikë Allahun, të ketë mendime të sakta e përvojë dhe të dijë të japë këshilla. Kur njeriu goditet me brenga e pikëllime, mendon në vete se është goditur nga diçka shumë e rëndë, dhe pasi bisedon me një person i cili ka përvojë, besim e devotshmëri, ai e qetëson duke e këshilluar dhe duke i rrëfyer për ngjarjet e të tjerëve që janë të sprovuar më shumë. Në fund ai do të vërejë se kjo me të cilën qenka goditur, nuk ishte një gjë e madhe dhe aq tragjike sa ka menduar, andaj dhe çlirohet e qetësohet.

  1. Të dimë se kjo gjë është një sprovë

Brengat e pikëllimet janë me Caktimin e Allahut dhe janë sprovë prej Tij, sprovë e cila nuk shkon huq, por bëhet shkak për ngritjen e gradave në Xhenet dhe për fshirjen e gjynaheve. Transmetohet se Hasan el Basriu ka thënë: “Vërtet, një nga gjërat më madhështore që besimtari do të gjejë në regjistrin e veprave të tij Ditën e Gjykimit, do të jenë brengat e pikëllimet që e kanë kapluar në jetën e kësaj bote.” Këtë e vërtetën edhe fjala e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “Nuk e godet besimtarin ndonjë gjë, qoftë sëmundje, apo lodhje, apo brengë, apo pikëllim, veçse Allahu përmes këtyre do t’ia shlyejë mëkatet.” Çdo gjë me të cilën goditet besimtari, është mirë për të, siç ka ardhur në një hadith. Në Ditën e Gjykimit ai do të ketë grada tek Allahu të cilat nuk do t’i arrijë me namaz, me agjërim e me vepra të mira, mirëpo do t’i arrijë me sprova. Selefi ka thënë: “Sikur të mos ishin fatkeqësitë, atëherë në Ditën e Gjykimit, do të dilnim të falimentuar para Allahut.”

  1. Të kuptosh realitetin e dunjasë

Kjo jetë nuk është vendi ku nuk ka brenga e pikëllime. Vetëm në Xhenet nuk ka gjëra të tilla. Një nga fjalët e para kur banorët e Xhenetit hyjnë në të është: “I lavdëruar qoftë Allahu i Cili largoi nga ne brengat e  pikëllimet.” Fatir 34. Dunjaja është me brenga e pikëllime. Të tillë e ka krijuar Allahu. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dunjaja është burg për besimtarin dhe Xhenet për jobesimtarin.” Nëse të paraqiten brengat e pikëllimi, atëherë menjëherë ndërmerri shkaqet fetare, apo dhe ato që kanë të bëjnë me aspektin e dunjasë, për t’i larguar ato, ngase ato të dëmtojnë në fe dhe dunja.

  1. Të shtosh punët e mira të fshehta

Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Luf.toni në rrugën e Allahut, sepse përmes kësaj, Allahu largon brengat dhe pikëllimet.” Ahmedi dhe Taberani. Këtu së pari është për qëllim luf.ta ndaj vetvetes, shejtanit, epsheve, shembull: Kur zgjohesh për namaz naze, lexim të kuranit, lutje, dhikër, të gjitha këto t’i zëvendëson Allahu me jetë të mirë të zemrës – të largohen brengat e pikëllimet. Po ashtu është për qëllim luf.ta ndaj vetvetes në kërkimin e dijes, në veprimin e veprave të mira dhe në prezantimin aty ku përmendet dija fetare. Bindja ndaj Allahut dhe veprat e mira bëjnë që të kesh kënaqësi në zemër dhe rehati shpirtërore. Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush ulë shikimin nga gjërat të cilat i ka ndaluar Allahu, ndërkohë që mund ta lërojë atë, mirëpo e bën vetëm për hir të Allahut duke shpresuar shpërblimin e Tij, atëherë Ai ia zëvendëson këtë me ëmbëlsi të besimit.” Ahmedi dhe Hakimi. Prandaj, kur ke këtë lumturi e kënaqësi të besimit, çdo sprovë që të vijë, nuk lejon të ta trazojë jetën (deri në atë masë sa të të mundë brenga e pikëllimi).

  1. Konsulta me specialistë (besimtarë)

Edhe kjo gjë është e ligjësuar nga Allahu. Transmetohet se Pejgamberi salallahu alehi ue selem ka thënë: “Merrni barëra o robër të Allahut, sepse Ai nuk ka zbritur sëmundje veçse e ka zbritur edhe ilaçin e saj.” Edhe nëse je një besimtar i fortë, ka mundësi të sprovohesh me brenga e pikëllime, me depresion, me gjëra të rënda – këto janë sprova. Krahas ilaçeve fetare, merr dhe ilaçet të cilat t’i caktojnë specialistët e kësaj fushe.

***

Brenga kryesore e besimtarit në jetën e kësaj bote dhe ajo me të cilën duhet të preokupohet, është ahireti i tij. Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush ka brengë kryesore të tij ahiretin, atij Allahu do t’ia vendosë pasurinë në zëmër, ia grumbullon punët e shpërndara e ia lehtëson, kështu i vjen dunjaja përkundër dëshirës së saj. Ndërsa, kush ka brengë të tij këtë dunja, atij Allahu ia vendos varfërinë në mes dy syve, ia shpërndan punët dhe nga dunjaja i vjen vetëm aq sa ia ka caktuar Allahu.”

 

Hoxhë Petrit Perçuku
Transkriptim

Madhësia e tekstit