Kjo arrihet përmes disa shkaqeve:
- Meditimi në shenjat në univers (rreth krijesave dhe krijimit të Allahut në univers).
Kjo ka për rezultat njohjen e Allahut dhe njohjen e pushtetit të madh të Tij. Duke qenë se Allahu është Ai i Cili e ka krijuar këtë univers, në mënyrë të përsosur, atëherë Ai dhe është Madhështor, i Plotëfuqishëm, i Urtë, i Cili ka urtësi absolute. Allahu thotë: “A nuk e shohin ata mbretërinë e qiejve e të Tokës dhe gjithçka që ka krijuar Allahu…” Araf 185. Dhe: “Thuaj (o Muhamed): “Unë ju kërkoj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj meditoni…” Sebe 46. Dhe: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët…” Ali imran 190. Dhe: “Vërtet, në ndërrimin e natës me ditën dhe në atë që ka krijuar Allahu në qiej dhe në Tokë, ka shenja për njerëzit që i frikësohen Allahut.” Junus 6. Dhe: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt.” Bekare 164.
- Meditimi në shenjat (argumentet) fetare: shpallja e zbritur tek të Dërguarit dhe tek i Dërguari i fundit.
Njeriu duhet të vrojtojë në ligjet e dispozitat të cilat Allahu ia ka zbritur Muhamedit salAllahu alejhi ue selem e të shohë sesa dobi të mëdha kanë për njerëzimin. Nuk ka mundësi që jeta të qëndrojë drejtë siç duhet, as kjo jetë e as jeta tjetër, veçse duke u zbatuar ligjet e dispozitat e Allahut të zbritura tek të Dërguarit e Tij. Nëse njeriu mediton me vëmendje rreth këtyre argumenteve (të zbritura në Kuran e sunet), në dijen dhe urtësinë që përfshinë ato, do të shohë se ato janë në përputhje (të plotë) me nevojat dhe dobitë e njerëzve. Kur nuk zbatohen, atëherë do të ketë kaos e shkatërrime. Allahu thotë: “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” Nisa 82.
- Allahu hedh në zemrën e besimtarit njohjen e Tij.
Andaj, ai arrin atë nivel të lartë të besimit dhe arrin ta njohë aq shumë, saqë e adhuron Atë sikur është duke e parë (edhe pse njeriu nuk ka mundësi ta shohë Allahun sa është në këtë dunja). Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem kur e ka pyetur Xhibrili se çfarë është ihsani[1] ka thënë: “Të adhurosh Allahun sikurse je duke e parë. Edhe pse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty.”
[1] Ihsani është bamirësi. Porse, qëllimi këtu është bamirësia në raport me Krijuesin, me Allahun, kur e adhurojmë Atë, pra se si duhet ta adhurojmë, si duhet të jetë bamirësia jonë në adhurimin ndaj Tij.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Tri parimet.