“O Muadh, pasha Allahun unë të dua ty…”

  • “O Muadh, pasha Allahun unë të dua ty! Mos e lërë pas namazit pa e thënë këtë lutje: “O Allah, më ndihmo të të përkujtoj, të të falënderoj dhe të të adhuroj!” Hadith.

~ Fjala e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “unë të dua ty“, është vlerë për Muadhin radijAllahu anhu. Nga dobitë e hadithit: kur dikush e do dikë për hir të Allahut, nuk ka të keqe t’ia thotë këtë.

~ Kur thuhet kjo lutje “O Allah më ndihmo të të përkujtoj, të të falënderoj dhe të të adhuroj (siç është më së miri)!”? Dijetarët kanë mospajtime se a thuhet para selamit apo pas namazit. Dhe kurdo qoftë që thuhet, nuk prish punë.

~ Njeriu duhet t’i kërkojë ndihmë Allahut për përmendjen e Tij, për falënderimin ndaj Tij dhe për adhurimin ndaj Tij me adhurim të mirë. Njeriu nuk ka mundësi as qerpikun e syrit ta lëvizë pa ndihmën e Allahut.

~ Dikush mund të mendojë se ndihma e Allahut kërkohet vetëm për çështjet e kësaj jete. Por, jo. Ai duhet të kërkojë ndihmën e Allahut në çdo gjë, qoftë për dunja apo për çështje të fesë (namaz, zekat, agjërim, haxh etj.). Pa ndihmën e Allahut nuk mund të realizojë asgjë. Ibn Tejmije ka thënë: “Kam shikuar se cila lutje është më e dobishmja dhe e kam gjetur atë në Fjalën e Allahut: “Vetëm Ty të adhurojmë vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”.

~ Prej çështjeve që duhet pasur nën konsideratë, sidomos sot, është përmendja e Allahut. Për shkak të obligimeve e preokupimeve të shumta gjatë ditës, ikin orë pa e përmendur Allahun. “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun” (Ahzab 41). “Le të jetë gjuha jote vazhdimisht e lagur (njomë) me përmendjen e Allahut” (hadith), me dhikre të ndryshme. Dijetarët kanë thënë se nuk ka dhikër më të mirë sesa leximi i Kuranit. Dhikër është gjithashtu kryerja e veprave, si: falja e namazit (i cili prej fillimit deri në fund është dhikër) agjërimi, zekati, haxhi etj.

~ Kërkimi i ndihmës së Allahut bëhet edhe për ta falënderuar Atë, për mirësitë e panumërta që na ka dhënë. A nuk duhet falënderuar Allahu që na ka bërë prej namazfalësve?!

~ Kërkimi i ndihmës së Allahut bëhet edhe për ta adhuruar Atë siç është më së miri. Nuk është fjala për adhurim të shumtë, por fjala është për kualitet dhe cilësi. Nuk është qëllimi të filluarit me adhurime të shumta duke e lodhur veten dhe demoralizuar, e si pasojë ta braktisë krejt atë. Por, qëllimi është: atë që e bën ta bësh mirë, vazhdimisht, jo herë po e herë jo, ta bësh për Allahun sinqerisht dhe në përputhje me sunetin profetik.

~ Së bashku me këtë lutje duhet vepruar dhe shkaqet.

 

Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim i derseve.

Madhësia e tekstit