Paralajmërimi ndaj mallkimit dhe fyerjes

🔊 Thënie nga derset

Paralajmërimi ndaj mallkimit dhe fyerjes

Është gjë e ndaluar mallkimi dhe fyerja ndaj të tjerëve. Feja Islame është fe e mëshirës. Mëshira përfshinë Islamin në qëllimet e objektivat e tij, e gjithashtu në veprat, adhurimet dhe raportet ndërnjerëzore. Vetë i Dërguari ynë salAllahu alejhi ue selem është i Dërguar i mëshirës. Umeti Islam është umet i mëshirës. Pjesëtarët e këtij umeti e mëshirojnë njëri-tjetrin. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Unë nuk jam dërguar si mallkues, por si mëshirë.”

Mëshira është shenjë e ndritshme e kësaj feje dhe është simbol e tipar që e dallon nga fetë e ideologjitë e tjera. Kush del nga ky rreth, ai e përfaqëson veten, e nuk e përfaqëson Islamin. Kur shohim ndonjë musliman arrogant, të vrazhdë, pa mëshirë në zemrën e tij, ai thjesht e përfaqëson karakterin apo natyrën e tij, e jo fenë Islame.

“Lean” është ai i cili në majën e gjuhës së tij ka ofendimin, fyerjen e mallkimin kundër të tjerëve. Ai këtë e ka të zakonshme. Por, kjo nuk i takon muslimanit dhe nuk duhet të jetë pjesë e moralit së tij. Kjo nuk është një gjë në të cilën thirr Islami. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Besimtari nuk i akuzon të tjerët, as nuk është mallkues, as që flet fjalë të pahijshme e as nuk sillet i paturp.” “Leane” nënkupton të bësh lutje tek Allahu për dikë që Ai ta largojë prej Mëshirës të Tij. Pejbamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ata që mallkojnë dhe fyejnë të tjerët, në Ditën e Gjykimit nuk do të jenë ndërmjetës e as dëshmitarë.”

Mallkimi është gjë e rrezikshme dhe ka pasoja të mëdha për atë që e posedon këtë cilësi, në të dy botët. Mallkimi e fyerja më e rëndë e më e tmerrshme është kur njeriu mallkon Allahun, apo fenë islame, apo Pejgamberin e Tij. Pastaj vijon mallkimi e fyerja ndaj besimtarëve. Kjo ka disa kategori, dhe më e rrezikshmja është kur bëhet ndaj sahabëve (e sidomos ndaj të zgjedhurve në mesin e tyre). Pastaj vijon mallkimi e fyerja ndaj dijetarëve. Pastaj pason mallkimi e fyerja ndaj muslimanëve. Pastaj  ndaj prindërve.

Umeti islam është umet i mëshirës. Pjesëtarët e këtij umeti tregojnë mëshirë për njëri-tjetrin, ndihmohen mes vete në devotshmëri dhe vepra të mira. Ata luten dhe kërkojnë falje për njëri-tjetrin, janë bamirës e të mëshirshëm mes vete, e jo të mallkohen ndërmjet vete e të fyhen.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit