“Pasi i kaloi frika Ibrahimit dhe i erdhi lajmi i gëzuar…”

Këshillë e shkurtë 4

  • Fjala e Allahut: “Pasi i kaloi frika Ibrahimit dhe i erdhi lajmi i gëzuar, ai polemizoi me të dërguarit Tanë për popullin e Lutit.” Hud 74.

~ Ibrahimin e kanë vizituar disa engjëj (të personifikuar në formë të njeriut), dhe pasi i nderon me gosti si mysafirë, engjëjt nuk zgjasin duart për të ngrënë, por e përgëzojnë Ibrahimin dhe gruan e tij për lindjen e një fëmije. Mosngrënia e ushqimit, e frikësoi Ibrahimin në fillim, duke bërë të mendojë se çfarë janë këta, se për çfarë qëllimi kanë ardhur. E pasi e informuan se janë engjëj dhe janë dërguar për të shkatërruar popullin e Lutit, gjithashtu e përgëzojnë për lindjen e e Ishakut me Sarën. Pas përgëzimit që i bëjnë engjëjt për lindjen e një fëmijë, Ibrahimi alejhi selam fillon të polemizojë me ta për dënimin e Lutit, që të mos i dënojë, që t’ua shtyjë dënimin se ndoshta pendohen, ndoshta udhëzohen etj.

~Populli i Lutit ka qenë shumë i keq. Ata kanë bërë një mëkat që nuk e ka bërë askush më parë. Është fjala për kontaktin intim mes dy gjinive, “Përse bëni paturpësi të tilla që askush nuk i ka bërë në botë?” Araf 80. Jo vetëm kaq, kanë qenë dhe arrogantë ndaj atyre që i kanë këshilluar për t’u larguar nga kjo punë e keqe. Çështja e tyre pati arritur në kulminacion saqë për ata që nuk ishin sikurse ta thoshin: “Dëbojini ata nga vendbanimi juaj! Ata janë njerëz që duan të mbahen të dëlirë.” Araf 82. Populli i Lutit e ndryshuan natyrshmërinë e tyre, e Allahu si dënim përmbysi vendin ku jetonin.

~ Dobi nga ajeti: Pavarësisht njeriu se sa sheh të pa udhëzuar në këtë botë e që kanë mundësinë t’i bëjnë të këqija e padrejtësi, prapëseprapë duhet të udhëhiqet prej durimit dhe dashamirësisë (t’ua dojë udhëzimin, e jo dënimin). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem për kundër peripecive, sakrificave, vuajtjeve dhe persekutimeve prej besimtarëve, ka qenë i udhëhequr nga urtësia, butësia e dashamirësia ndaj njerëzimit (për udhëzim). Kjo duhet të na mbizotërojë neve pavarësisht sprovave e sfidave prej njerëzve, pa u udhëhequr prej hakmarrjes dhe kthimit të së keqes.

 

Dr. Gazmend Mehmeti | Transkriptim nga derset e tij.

Madhësia e tekstit