Pasojat e kapjes së dobët për fenë e Allahut
- Mosgjetja e qetësisë dhe rehatisë shpirtërore. Personi i cili shpeshton punët e mirë gjen qetësi në zemër, “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Rad 28. Personi i cili tregohet i shkujdesur dhe ia kthen shpinën përmendjes së Allahut dhe fesë së tij, do të ketë jetë të rëndë, shqetësime shpirtërore dhe vuajtje, “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime (Kuranit), do të ketë jetë të vështirë“, qëllimi: do të ketë jetë të vështirë shpirtërore.
- Kthimi në devijim (pasi largohet nga kryerja e veprave të mira). Kjo sepse kryerja e vazhdueshme e veprave të mira është përgatitja më e mirë për muslimanin në rrugëtimin drejt Allahut. Kur personi largohet nga veprat e mira, bindja dhe afrimi tek Allahu, atëherë fillon t’ia mbulojë zemrën errësira, dhe nëse vazhdon në këtë gjendje kjo e dërgon në devijim prej rrugës së drejtë.
- Shkujdesja fillimisht ndaj mëkateve të vogla, pastaj gradualisht shejtani e nxitë të kryejë mëkate të mëdha. Ne si qenie njerëzore nuk mund të qëndrojmë pa bërë asgjë. Nëse nuk e angazhojmë veten me punë të mira atëherë vetja do të na angazhojë me punë të këqija. Vepra e mirë është pengesë për të mos bërë vepra të këqija. Andaj nëse largohet kjo pengesë atëherë njeriu bie menjëherë në punë të këqija. Punët e këqija në mënyrë të vazhdueshme, tërheqin njëra-tjetrën pas derisa njeriu bie në mëkate të mëdha, shumë të mëdha, saqë çuditet se si ka rënë në këtë gjendje. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kini kujdes ndaj mëkateve të cilave nuk u kushtoni vëmendje (pra mëkateve të vogla) sepse ato tubohen te njeriu derisa ta shkatërrojnë.”
- Mosdhënia sukses nga Allahu. Pa dyshim se kjo është një gjë shumë e rrezikshme, sepse suksesi në jetë arrihet kur i bindesh Allahut. Andaj, nëse tregohesh i shkujdesur në kryerjen e veprave të mira dhe largohesh nga bindja ndaj Allahut, atëherë nuk do të kesh sukses prej Allahut. Pastaj do të humbet autoriteti e ndikimi në mesin e njerëzve. Kur humbet pozita tek Allahu, patjetër humbet edhe pozita në mesin e njerëzve.
- Nuk mund të jesh i qëndrueshëm gjatë sprovave e vështirësive. Nëse je prej atyre që je i shkujdesur ndaj kryerjes së punëve të mira dhe nuk përgatitesh me to, atëherë për pasojë është se nuk mundet t’iu bësh ballë sprovave të cilat goditesh në jetën e kësaj bote. Vepra e mirë është përgatitje e cila e forcon besimtarin. Nuk mund të përballesh me sprova të ndryshme, e veçanërisht kjo ndodhë sepse Allahu nuk të ndihmon ngase ia ke kthyer shpinën bindjes ndaj Tij.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transriptim.