Përmendja e Allahut

Përmendja e Allahut

 

Prej mënyrave madhore me të cilën e përmirësojmë zemrën është përmendja e Allahut. Allahu thotë: “…ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Rad 28. Kur njeriu e përmend Allahun, zemra i qetësohet dhe i përmirësohet, kurse shkujdesja ndaj përmendjes së Tij, e ashpërson dhe e sëmurë zemrën. Dhikri është dy lloje:

  1. Me zemër, i fshehtë. Edhe ky është dy lloje: 1. Kur vazhdimisht mediton me mendje e me zemër për madhërinë e Allahut, përsosmërinë e tij, sundimin e Tij, për shenjat dhe provat që ka vendosur në qiell dhe tokë. 2. Kur e kujton dhe e përmend Allahun gjatë urdhëresave (i zbaton) dhe ndalesave të Tij dhe të dyshimtave (i braktisë).
  2. Me gjuhë. Ky është lloji më i dobët, edhe pse në të ka shpërblim.

Dijetarët kanë mospajtime se cili është më i vlefshëm, dhikri që bëhet me gjuhë apo me zemër. Dhe më i ngrituri është kur bën bashkë: dhikrin, zemrën dhe gjuhën.

Dhikri është adhurim i zemrës dhe i gjuhës. Ai është një adhurim i cili nuk ka kohë të kufizuar. Allahu thotë: “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun…” Ahzab 41. Ibën Abbasi komenton: “Përmendeni Allahun kur jeni në këmbë, ulur dhe shtrirë, gjatë natës dhe ditës, në tokë dhe në det, në udhëtim dhe në vend, në pasuri dhe në varfëri, në sëmundje dhe në shëndet, në vetmi dhe kur jeni në publik dhe në çdo gjendje.”

Kur përmendet dhikri në Kuran përshkruhet i shumtë e i shpeshtë, si: “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun…” Ahzab 41. Dhe: “nxitoni për ta përmendur shumë Allahun” Xhuma 9. Dhe: “dhe përmendni shumë Allahun” Enfal 45. Synimi e qëllimi më i lartë i besimtarit duhet të jetë përmendja e Allahut. Ai na ka urdhëruar që ta përmendim shumë Atë gjatë adhurimeve tona dhe pasi t’i kryejmë ato (si: namazi, haxhi etj.). Dhikri është shpirti i veprave të mira. Nëse vepra e mirë është e zbrazur prej dhikrit është sikur trupi që nuk ka shpirt. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend Allahun dhe atij që nuk e përmend është sikur i gjalli me të vdekurin.”

Prej fryteve të mira në të dy botët të përmendjes së Allahut janë:

─Allahu do ta ruajë dhe mbrojë atë që e përmend Atë nga kurthet e intrigat e shejtanit. Hadithi: “Allahu më ka urdhëruar me pesë gjëra (fjalë), të cilat unë i pari t’i veproj dhe t’ju urdhëroj që të veproni me to”, prej tyre ka thënë: “Ju urdhëroj ta përmendni shumë dhe shpesh Allahun. Shembulli i atij që e përmend Allahun është sikur ai i cili është duke ikur prej armikut i cili e ndjek atë dhe gjen një kala të fortifikuar e hyn në të për t’u mbrojtur. Kalaja më e fortifikuar për njeriun ndaj armikut të tij (shejtanit) është përmendja e Allahut.” Kanë ardhur dhikre të shumta në sunet që tregojnë se nëse i lexojmë, e dëbojnë shejtanin prej nesh, si: ajetul kursij para gjumit, dhikri pasi zgjohemi nga gjumi, kur fillojmë të hamë bukë, kur hymë në shtëpi, kur dalim nga shtëpia, kur hyn në tualet etj.

Shpëtimi, falja dhe shpërblimi prej Allahut. “…dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni” Xhuma 10. “përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh” Ahzab 35.

Allahu do të përmendë tek engjëjt në qiell dhe arritja e meijes së Allahut (Ai do të jetë me të). “më kujtoni Mua që Unë t’ju kujtoj” Beare 152. Dhe: “Nëse më përmend te një grumbull njerëzish Unë do ta përmendi tek një grumbull që janë më të mirë se ta (tek engjëjt).” Ai që e përmend Allahun, është afër Tij dhe Ai është me të. Kjo meije është e veçantë (ngase janë dy lloje: meije e përgjithshme dhe meije e veçantë- me besimtarët), që do të thotë: Allahu do ta dojë, do t’i japë sukses, do ta inspirojë drejt veprave të mira, do ta ndihmojë etj. Sikur dhikri të mos kishte vlerë dhe shpërblim tjetër përveçse këtë, atëherë do të mjaftonte.

Allahu do ta lavdërojë tek engjëjt dhe do ta lavdërojnë engjëjt, mbi të zbret qetësia dhe Ai e nxjerr prej errësirës në dritë, “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje! Është Ai që ju bekon, ndërkohë që engjëjt e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve”. Ahzab 41-43.

Kur e përmend Allahun në vetmi dhe i lotojnë sytë, kjo është prej shkaqeve të strehimit në hijen e Allahut Ditën e Gjykimit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë shtatë persona (kategori) të cilët Allahu do t’i strehojë në Hijen e Tij atë Ditë ku s’do të ketë hije tjetër”, prej tyre: “…një njeri i cili e kujton/përmend Allahun në vetmi dhe sytë i lotojnë (nga frika, madhërimi dhe turpi ndaj Tij).”

Dhikri është shkak që njeriu të mbjellë pemët e tij në xhenet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se Ibrahimi alejhi ue selem i ka thënë (kur janë takuar në Miraxh): “Dërgoji selam prej meje umetit tënd! Dhe tregoju se dheu i xhenetit është i mrekullueshëm, ndërsa uji është i shijshëm, mirëpo xheneti është tokë e rrafshët, dhe ato që mbjellin pemët në tokën e xhenetit janë fjalët: SubhanAllah, elhamdulilah, La ilahe ilAllah dhe Allahu ekber.” Sa më shumë që thua, aq më shumë mbijnë pemët në xhenetin ku do të shkosh. Dhe ka thënë: “Kush thotë SubhanAllahil adhim ue bihamdihi do t’i mbillet një palmë në xhenet.”

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit